Afaristët e Maqedonisë së Veriut krahas ndihmës financiare kërkojnë që të lehtësohen procedurat juridike për riorientimin e veprimtarisë duke u fokusuar në prodhimin e produkteve për të cilat ka mungesë në treg si; maska për mbrojtje, dorëza, mjete për dezinfektim.
Ndërkohë që qeveria ka siguruar linjën e parë kreditore me zero normë interesi për kompanitë e vogla dhe ato të mesme për tu përballur me krizën nga koronavirusi
Së fundmi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e saj të mbrëmshme (të mërkurën në mbrëmje) ka marrë vendim që të anulohen pagesat e kësteve të kredive nga ana e qytetarëve dhe ndërmarrjeve, por do të ketë edhe përfitime tjera për klientët e bankave dhe shtëpive të kursimit derisa të zgjasë kriza e shkaktuar nga epidemia e koronavirusit.
Përderisa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët e hotelerisë, turizmit dhe transportit të mallrave është vënë në dispozicion një linjë kreditore me c'rast këto kompani do të mund të aplikojnë për kredi pa interes nga 3.000 deri në 30.000 euro.
Krahas këtyre lehtësimeve për tu përballë nga kriza me koronavirusin afaristët thonë se më me rëndësi është që shteti të krijojë mekanizma që biznesi të gjejë forma për të mbijetuar edhe në këtë situatë përmes stimulimit të prodhimtarisë së produkteve vendore.
Ndërkohë, në barnatoret e Maqedonisë së Veriut vërehet mungesë e theksuar e maskave, dorëzave dhe alkoolit për nevoja mjekësore dhe mjeteve për dezinfektim.
Duke iu referuar praktikave të kompanive të njohura betërore për prodhimin e pijeve alkoolike të cilët e riorientuan prodhimtarinë e tyre në prodhimin e alkoolit për nevoja mjekësore ose mjete për dezinfektim, kompanitë në Maqedoninë e Veriut thonë se nuk kanë kushte për një gjë të tillë, përkatësisht riorientimin e prodhimtarisë.
“Edhe kundrejt dëshirës sonë që të dalim në ndihmë për të siguruar produktet për të cilat ka mangësi në tregun e vendit, siç është alkooli për nevoja mjekësore, për prodhimin e të njëjtit nuk kemi kushte për realizmin e kësaj procedure, duke filluar nga mungesa e personave të specializuar të cilët do të na shpjegonin procesin, deri tek procedurat administrative”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vase Mitev, pronar i një kompanie të njohur për prodhimin e pijeve alkoolike dhe joalkoolike.
Ekspertët e ekonomisë thonë se problem më i madh nuk është mungesa e kuadrit përkatës, por lufta më e vështirë që kanë kompanitë është me çështjet burokratike.
Alaudin Zeqiri, njohës i cështjeve ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se qeveria teknike i ka duart e lidhura dhe për shumë cështje nuk mund të reagojë për t'ju përgjigjur sfidave me të cilat përballet vendi në kohën e pandemisë me koronavirusin.
“Fatkeqsia më e madhe është se kemi qeveri teknike. Gjithmonë kam potencuar se kjo qoft hera e fundit që në Maqedoninë e Veriut të kemi qeveri teknike. Sepse për të miratuar një ligj ai duhet të kalojë në Parlament, duhet një qeveri stabile e cila mund të vendos konform situatës në aspektin e cëshjeve juridike për funksionimin e kompanive edhe në kushte sic është tani me koronavirusin”, thotë Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë.
Storie suksesi paraqet një kompani e tekstilit në Prilep e cila së fundmi është duke prodhuar maska për mbrojtje nga korona virusi e cila fillimisht ka filluar me prodhimin e maskave me dorë dhe sapo të arrijnë makinat do të prodhojë maska në përputhje me standardet e përcaktuara.
”Kishim fat që arritëm të sigurojmë makinat adekuate. Ajo që na ka shkaktuar problem është sigurimi i lëndës së parë”, thotë Irena Jakimovska nga një kompani tekstili duke shkaktuar se në këtë firmë edhe në kushte krize mundësohet që punëtorët ta kenë vendin e sigurt të punës.