Ndërlidhjet

Gjoba ndaj atyre që shpërndajnë lajme të rreme në Maqedoninë e Veriut


Shkup
Shkup

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë bërë të ditur se do të gjobiten të gjithë ata perona që përmes rrjeteve sociale shpërndajnë lajme të rrejshme, përkatësisht lajme të paverifikuara ose gjysmë të vërteta që ndërlidhen me koronavirusin.

Dënime parashihen edhe për mediat që do t'i plasojnë këto informacione pa i verifikuar.

Përderisa, Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë u kanë bërë thirrje mediave të sillen në mënyrë profesionale dhe etike dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e gënjeshtrave dhe krijimin e panikut në opinion.

Shumë lajme të paverifikuara kanë të bëjnë me personat e ardhur nga jashtë shtetit të cilët nuk i respektojnë rekomandimet për vetëizolim. Lajme të paverifikuara janë shfaqur në rrjetet sociale dhe për mënyrën e kurimit dhe medikamenteve që përdoren ndaj koronavirusit si dhe shumë ide konspirative se si erdhi deri tek shpërthimi i kësaj pandemie.

Duke marrë foto nga interneti në shumë rrjete është shpërndarë lajmi i rremë se gjatë natës do të dezinfektohet si pjesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Pre e lajme të rreme është ankuar se ka rënë dhe babai i vajzës katër vjeçare pacientes më të vogël në Maqedoninë e Veriut të prekur nga korona virusi, Dragan Zllatkov. Ai ka theksuar se nuk është e vërtetë se janë kthyer nga Anglia pasi kanë mësuar se vajza e saj është infektuar për shkak se atje s`kanë pasur sigurim shëndetësor.

Ai ka sqaruar se në Maqedoni bashkë me të shoqen dhe vajzën e saj kanë ardhur më 14 mars me ç'rast s`kanë pasur asnjë simptomë të koronavirusit.

Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Mediave në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se në këtë situatë po aq sa kanë rëndësi mjekët për të shpëtuar jetë kanë dhe mediat duke i orientuar qytetetarët kah veprimet e duhura që sa më lehtë të menaxhohet situata e krijuar.

“Vlerësoj se e gjithë kjo situatë u bën thirrje edhe gazetarëve edhe mediave qofshin publike apo private përkatësisht komerciale dhe atyre online që të jenë sa më të përgjegjshme dhe sa më të ndërgjegjshme gjatë raportimit të kësaj sëmundjeje përkatësisht gjatë raportimit të këtij virusi të mos hapin në publik panik dhe në anën tjetër duke publikuar të pavërteta ose gjysmë të vërteta mund të shkaktojnë krizë edhe më të madhe mund të shkaktojnë një pasiguri tek qytetarët, gjë që në këto momente është më së paku e nevojshme“.

“Mendoj se një pjesë e mediave tashmë e kanë kuptuar rolin e tyre jo vetëm informues, por edhe atë edukues në situata të këtilla”, thotë Tahiri.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipce ka porositur qytetarët se nga fitorja ndaj lajmeve të rrejshme varet dhe fitorja ndaj koronavirusit.

“Betejën me koronairusin do ta fitojmë shumë më lehtë në qoftë se arrijmë të fitojmë betejën me lajmet e rrejshme, informacionet jo të sakta dhe rekomandimet e pakontrolluara. Te gjitha këto kontribuojnë në masë të madhe në krijim e panikut e cila është shumë e rrezikshme në situatë krize“.

“Se si duhet të veproni, si dhe a shërohet kjo sëmundje si dhe cilat janë simptomat duhet informuar vetëm nga burimet relevante”, sugjeron në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale dhe konferencave për shtyp ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.

Ndërkaq, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, tha se në kohën e karantinës dhe vetizolimit ku ndodhen tani shumë qytetarë të vendit mediat sociale dhe mediat online janë burim prej ku marrin informacione andaj siç ka thënë duhet tu japim mbështetje.

Pendarovski njëherësh ka theksuar se duhet pasur në mendje se mediat sociale dhe ato online paraqesin një urë komunikimi mes shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët qëndrojnë me punë në vendet e jashtme veçanërisht në ata me rrezik të lartë për shkak të koronavirusit dhe familjarëve të tyre në vend.

”Nga ne varet se çfarë ambienti do të krijojmë në hapësirën e komunikimit veçanërisht në mediat sociale. Nevojitet hapësirë në të cilën me shumë përgjegjësi do të shpërndajmë informacione të verifikuara relevante”, ka theksuar në faqen e tij zyrtare Pendarovski.

Në këtë drejtim, Bojan Kordallov, specialist i marrëdhënieve me publikun dhe mediave online, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet e shtetit duhet të krijojnë mekanizma efikas që të parandalojnë infektimin e qytetarëve nga lajmet e rreme po aq sa kujdesen që e parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Kardallov thotë se beteja kundër lajmeve të rrejshme mund të jetë e suksesshme vetëm përmes informimit të drejtë dhe në kohë nga ana e institucioneve përkatëse.

“Këdo që ta pyesni, veçanërisht nga kjo fushë për ballafaqimin me lajmet e rreme, do t’ju thotë se mënyra më e mirë për luftë kundër dezinformatave është, me shumë informata të sakta dhe të verifikuara”, thotë Kordallov.

Ekspertët e mediave njëherësh kanë theksuar se në këtë situatë me rëndësi të veçantë është që punonjësit në media duhet të përmbahen nga lufta për të pasur lajme sensacionale ose përçimin e lajme me dozë negativiteti sepse gjendja është mëse serioze dhe si e tillë duhet trajtuar me sensibilitet të lartë dhe nga mediat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG