Ndërlidhjet

VMRO dhe BDI, mijëra amendamente kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor


Zgjedhjet në Maqedoni - Foto nga arkivi
Zgjedhjet në Maqedoni - Foto nga arkivi

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka nisur debati për amendamentet e BDI-së dhe VMRO DPMNE-së, kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me të cilat parashihet ndryshimi i njësive zgjedhore nga gjashtë sa janë aktualisht, në një njësi zgjedhore.

Dy partitë, BDI-ja në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, në komisionin parlamentar për sistem politik kanë dorëzuar afër gjashtëmijë amendamente për të bllokuar ndryshimet që janë iniciuar nga partitë e vogla parlamentare, e që mbështeten edhe nga LSDM-ja e kryeministrit, Zoran Zaev.

Nisma synon që zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parapara më 12 prill 2020 të mbahen me modelin e ri zgjedhor, që sipas propozuesve do të forconte demokracinë duke u mundësuar përfaqësim në institucionin ligjvënës edhe partive të vogla parlamentare, në veçanti partitë e pakicave të cilat për tu përfaqësuar në Kuvend gjithmonë kanë bërë koalicione parazgjedhore me dy partitë e mëdha LSDM dhe VMRO DPMNE.

Por, paraqitja e një numri kaq të madh të amendamenteve nënkupton edhe bllokimin e nismës dhe këtë e pranon edhe kryetari i komisionit parlamentar për sistem politik, Aleksandar Kiracovski.

“Mund të them se kjo formë e paraqitjes së një numri kaq të madh të amendamenteve gjithmonë shfrytëzohet kur kanë për qëllim bllokimin e një procedure ligjore në Kuvend. Propozimi ka për qëllim aplikimin e një njësie zgjedhore dhe me këtë synojnë forcimin e demokracisë parlamentare dhe përfaqësim sa më të mirë të të gjitha partive politike, por duke marrë parasysh numrin e madh të amendamenteve gjasat janë të vogla që ky propozim të miratohet vetëm nëse nuk ndodhë e kundërta, që partitë të tërheqin bllokadën që kanë vendosur”, ka deklaruar Kiracovski.

Por, nga VMRO DPMNE-ja thonë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga amendamentet, që, sipas saj, janë mënyra e vetme për të penguar ndryshimet për të cilat siç thonë, nevojitet debat i gjerë dhe konsensus nga të gjitha partitë e mëdha.

“Nuk e di se cili është qëllimi i partisë në pushtet apo i Kiracovskit, apo ndoshta me heqjen dorë nga kjo temë synon të aktualizojë ndonjë çështje tjetër. VMRO DPMNE-ja nuk do të tërhiqet pasi konsiderojnë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk mund të miratohen pa një mbështetje të gjerë, apo pa pëlqimin edhe të partive të mëdha politike”, ka deklaruar Nikolla Micovski nga VMRO DPMNE-ja.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, kundërshtimin e nismës për ndryshimin e njësive zgjedhore e kanë arsyetuar me pretendimin se me një model të ri me një njësi zgjedhore shqiptarët do të humbnin mandate deputetësh në Kuvend.

Partitë e opozitës shqiptare gjithashtu mbështesin nismën për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por lëvizja Besa kërkon tre njësi zgjedhore dhe lista të hapura ndërsa Aleanca për Shqiptarët kërkon gjithashtu lista të hapura por me tetë njësi zgjedhore.

Disa nga njohësit e çështjeve politike ndërkohë thonë se sistemi me një njësi zgjedhore nuk dëmton shqiptarët siç pretendon BDI-ja, përkundrazi numri i deputetëve mund të rritet.

“Ne jemi konsultuar edhe me ekspertë dhe gjashtë njësitë zgjedhore dhe sistemi aktual zgjedhor u japin përparësi këtyre partive të mëdha dhe pengon zhvillimin e sistemit të vlerave. Sistemi me një njësi dhe lista të hapura u jep përparësi atyre që marrin më shumë vota, do të vijnë në shprehje kuadrot më kualitativ, më profesional, që kanë ide, që janë më kreativ".

"Unë jam i bindur se listat e hapura me një njësi zgjedhore janë më të dobishme pasi askush deri më tani nuk e ka arsyetuar se pse janë të dëmshme”, thotë Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve politike dhe anëtar i Forumit të Intelektualëve Shqiptar.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë të cilat sipas modelit aktual zgjidhen në gjashtë njësi zgjedhore apo secila prej tyre nga 20 deputetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG