Në një intervistë për Radios Evropa e Lirë, Todor Gardos, hulumtues për Evropën Lindore dhe Ballkanin në organizatën Human Rihgts Watch, tërheq vërejtjen për pasojat që mund të ketë dëbimi i gjashtë shtetasve turq në integrimin evropian të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gardos, gjashtë shtetas turq, të arrestuar në Kosovë për shkak të lidhjeve të dyshuara me lëvizjen e Fethullah Gulenit, të cilin Ankaraja e fajëson për puçin e dështuar më 2016, janë dëbuar në Turqi, pa pasur qasje në avokat apo mundësi për të kundërshtuar arsyet për ndalimin dhe dëbimin e tyre. Si e shihni këtë veprim të autoriteteve kosovare?
Todor Gardos: Human Rights Watch është shumë e shqetësuar me veprimet e autoriteteve të Kosovës në këtë rast. Duam që autoritetet të kryejnë hetime të plota të kësaj ngjarjeje dhe të rrjedhës së saj, se si ka ndodhur dorëzimi dhe dëbimi i gjashtë shtetasve turq.
Përpara këtij incidenti ne nuk kemi qenë në dijeni se këta njerëz kërkohen për ndonjë krim. Me sa dimë ne, atyre nuk u është ofruar shansi as të apelojnë vendimin e marrë ndaj tyre.
Radio Evropa e Lirë: Human Rights Watch ka thënë se këta burra janë dërguar në një vend ku do të përballen me rrezik serioz të torturës. Pse? Si funksionon sistemi atje?
Todor Gardos: Që nga grushtshteti i dështuar në vitin 2016, kemi parë njerëz të arrestuar për punën e tyre: mbrojtës të të drejtave të njeriut, avokatë, gazetarë, njerëz që shprehin kritika në media sociale.
Ata arrestohen dhe gjykohen për terrorizëm. Në shumë raste, këto nuk janë akuza të vërteta dhe njerëzit torturohen derisa të pranojnë fajin. Ka pasur raste të nivelit të lartë, por edhe figura të rëndomta opozitare që janë përballur me këtë trajtim.
Radio Evropa e Lirë: Dhe kush e mban përgjegjësinë për rastin konkret?
Todor Gaordos: Kjo duhet të qartësohet nga hetimet. Ne nuk jemi të sigurt për rrjedhën konkrete të ngjarjes. Nuk e dimë se deri në çfarë shkalle Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia e Kosovës kanë bashkëpunuar me inteligjencën turke.
Ne mbështetmi në informacionet që na jepen nga avokatët e gjashtë personave dhe informacionet që janë dhënë nga ana e qeverisë. Por, duhet të ketë më shumë detaje që njerëzit të dinë rrjedhën e kësaj ngjarjeje.
Avokatët e gjashtë personave po ashtu janë përballë një zgjedhjeje të vështirë, nëse duhet të bëjnë përpjekje ose jo të sfidojnë arrestimin e tyre... cilat janë opsionet ligjore për periudhën e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: Thuhet se ky është dëbimi i parë i Gylenistëve nga Evropa për në Turqi. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën, e cila synon të ndërtojë lidhje më të afërta me BE-në?
Todor Gardosh: Nuk jemi në dijeni nëse këto janë përpjekjet e para të autoriteteve turke për të kërkuar dëbimin dhe për të ndjekur penalisht këta terroristë të dyshuar gylenistë në Turqi.
Sa u përket pasojave të këtyre operacioneve për integrimin evropian të Kosovës, Kosova qartazi është në një situatë ku institucione të ndryshme janë ende përgjegjëse për të mbajtur sundimin e ligjit, gjyqësinë dhe policinë të pavarur dhe profesionale.
Që kjo situatë të mos rezultojë me pasoja për integrimin evropian të Kosovës, duhet kryer hetime të pavarura dhe transparente për dëbimin e shtetasve turq dhe të jepet llogari për çdo sjellje të gabuar.
Mënyra e vetme për të ruajtur besueshmërinë dhe sundimin e ligjit është kryerja e këtyre hetimeve dhe, përtej pasojave politike të këtij operacioni, të mbahet përgjegjësia për veprimet e shtetit.