Autoritetet e Kosovës do t’i drejtohen Malit të Zi me një kërkesë që Podgorica t’i kërkojë Bashkimit Evropian që Demarkacioni i kufirit mes dyjave vendeve të mos mbetet pengesë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit të Kryesisë së Kuvendit, ku për mungesë të kuorumit nuk u zhvillua mbledhja e thirrur për të hënën.
“Unë kam vënë disa kontakte dhe presim shumë shpejt që bartësit më të lartë institucional në Republikën e Malit të Zi, do ta thonë këtë edhe publikisht, duke iu drejtuar edhe instancave të Bashkimit Evropian se për çështjen e Demarkacionit nuk do të ishte mirë që qytetarët e Republikës së Kosovës të mbeten të izoluar", tha Veseli.
Tutje, Veseli tha po ashtu se demarkacioni është bërë një histori e gjatë që po e dëmton Kosovën. Ndërkaq si kusht për heqjen e vizave, ai tha se është i padrejtë.
Kryetari i Kuvendit,Veseli, tha se demarkacioni nuk është çështje problematike në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi.
"Kosova është e interesuar që çështjen e Demarkacionit ta përfundojë. Në të njëjtën kohë i kemi thënë shumë në mënyrë korrekte edhe zonjës Ulrike Lunacek edhe komisionerit Johannes Hahn se Kosova ka gatishmëri të ketë raporte shumë të mira me Malin e Zi dhe nuk është korrektet që edhe pas gjashtë vitesh, qytetarët tanë të mos kenë lëvizje të lirë drejtë Bashkimit Evropian për një çështje siç është Demarkacioni", tha Veseli.
Ai ka shprehur dyshimet e tij që në këtë vit, Kuvendi nuk do t’ia del të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin, ngase nuk ka gatishmëri nga palët për ta çuar përpara ketë çështje.
Nga ana tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca duke folur për Demarkacionin tha se ndërkombëtarët nuk janë kundër ri-negocimit të marrëveshjes për Demarkacionin.
Konjufca tha se alternativa më e mirë për Kosovën në këtë fazë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
"Edhe brenda shumicës ka zëra kritik, ka zëra kundër se Demarkacioni është bërë në mënyrë të gabueshme, pa kujdesin e duhur dhe se Kosova po humb me ketë proces. Këto dy procese janë të mjaftueshme që të shkohet në zgjedhje, aq me shumë tash që ka edhe probleme shtesë", tha Konjufca.
Sipas tij, shumica e ambasadorëve e pranojnë së nëse nuk ka zgjidhje tjetër për çështjet që kanë ngecur duhet të shkohet në zgjedhje.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se qeveria e Kosovës edhe pse i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës, nuk po arrin që t'i çojë përpara shumë procese te rëndësishme.
"Është për të ardhur keq se në çfarë gjendje kemi ra, prandaj mund të them lirisht sa ma parë që të shkohet në zgjedhje aq me mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës sepse me këtë qeveri janë ngopur qytetaret e Kosovës", tha Lekaj.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në Kosovë po shihet nga dy perspektiva.
E para, ajo e koalicionit qeverisës, sipas së cilës, kjo është një marrëveshje të drejtë sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe është e domosdoshme për fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kurse nga perspektiva e opozitës, po shihet si marrëveshje jo e drejtë që i humb Kosovës një territor prej mbi 8 mijë hektarësh.
Si e tillë, marrëveshja për Demarkacion ka mbetur e pa ratifikuar nga Kuvendi, ngaqë nuk e ka mbështetjen e 80 deputetëve. (REL)
Facebook Forum