Ndërlidhjet

Si do të duket presidenca Trump?


Presidenti i 45-të i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i 45-të i SHBA-së, Donald Trump

Nga planet për një mur kufitar e deri te lëvdatat për Putinin, deklaratat e kandidatit republikan, Donald Trump – të bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 – tregojnë një fushatë si asnjë tjetër.

Fitorja e tij në zgjedhjet e 8 nëntorit ka ngritur pyetjen kudo në botë se çka mund të pritet nga presidenca e Trumpit dhe nëse propozimet e tij politike do të zbatohen.

Profili i Donald Trump
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:05:09 0:00

Fuqitë presidenciale

Për shkak të politikave të verifikimit dhe balancës, të krijuara nga Kushtetuta amerikane, shumë varet nga ajo nëse Kongresi amerikan përkrah politikat e propozuara nga Trump.

Trumpit do t’i nevojitet përkrahja e legjislaturës apo gjyqësorit, nëse ai do të dëshirojë t’i zbatojë premtimet e dhëna gjatë fushatës, sikurse shkurtimi i taksave për bizneset, ndryshimi i ligjeve vendore për shpifje, apo anulimi i reformave në shëndetësi të presidentit Barack Obama.

Por, ekspertët thonë se Trump nuk do të mund t’i zbatojë shumë prej planeve të tij thjeshtë duke lëshuar urdhra ekzekutivë.

Në fakt, një ekip tranzicioni – i përgatitur nga Trump që disa muaj -ka identifikuar rreth 25 urdhra ekzekutivë që ai mund t’i nënshkruajë menjëherë pas marrjes së postit, më 20 janar.

Sa i përket politikës së jashtme, “kompetencat e presidentit në teori janë të pafundme”, ka thënë Dana Allin, një eksperte në politikat e jashtme amerikane, e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër.

“Është shumë e vështirë të shihet se si ato do të kufizoheshin me lehtësi nga Kongresi”, ka thënë Allin. “Presidenti është në një pozitë që mund të bëjë shumë në këtë fushë – të marrë vendime lidhur me gatishmërinë e trupave, nëse duhet të merren veprime ushtarake. Nuk jam e sigurt nëse do të mund të kontrollohet aq lehtë ai.”

Këto janë disa prej pikave që ka veçuar Trumpi

Rusia dhe NATO

Trump ka thënë se ai më me dëshirë do të donte që “Rusia të ishte mike” me Shtetet e Bashkuara sesa “mënyra se si janë aktualisht”, duke pretenduar se lidhjet më të mira me Rusinë nënkuptojnë që këto dy vende “mund ta rrëzojnë” së bashku grupin militant Shteti Islamik. Ai gjithashtu ka thënë se lehtësisht mund ta ndryshojë rënien drastike në këto marrëdhënie.

Ai ka thënë në shtator se “do të kishte një marrëdhënie shumë, shumë të mirë” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe ai gjithashtu ka pohuar se do të ishte më i mirë në negociata me Putinin sesa presidenti Barack Obama.

Kritikët e Trumpit e vejnë në pikëpyetje këtë vetëbesim të tij, duke theksuar se Obama kishte kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë gjatë mandatit të tij të parë. Ata gjithashtu vejnë në pikëpyetje nëse Trumpi do të jetë i gatshëm dhe në gjendje t’u bëjë ballë veprimeve agresive të Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Trump ka shfaqur admirim për Putinin, duke e quajtur atë një lider më të mirë se Obama. Dhe, në muajin mars, ai e quajti NATO-n “të vjetruar”, duke thënë se ai do të ndalte ndihmën amerikane për vendet anëtare, nëse ato nuk do t’i rrisin shpenzimet ushtarake dhe “përmbushnin obligimet e tyre” ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Henning Riecke, udhëheqës i programit për Marrëdhënie Transatlantike në Këshillin gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se nëse Shtetet e Bashkuara “anojnë më shumë nga ana ruse” gjatë presidencës Trump, kjo do të mund të kishte pasoja të drejtpërdrejta dhe shumë të rrezikshme për sigurinë evropiane”.

Trump do të përballet me “realitetin” nëse mundohet të negociojë lidhur me barrën e pjesëmarrjes në NATO, thotë Riecke.

“Kjo është një nga bazat më të rëndësishme të statusit prej një superfuqie të Amerikës – pra, premtimi se ata do t’i mbrojnë aleatët e tyre”, thotë ai për Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se Rusia me gjasë do të shfrytëzonte çfarëdo zbrazëtie në sistemet mbrojtëse dhe parandaluese të Perëndimit.

Moska do të bënte “gjithçka që është e mundur për ta dobësuar” NATO-n dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të “fitojë më shumë ndikim, veçanërisht në…Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore”, thotë Riecke. “Nëse një president do ta kryejë këtë punë për Rusinë, Putin do të ishte shumë i lumtur.”

Marrëveshja bërthamore me Iranin

Trump do ta ketë autoritetin që ta mbajë zotimin e tij se do të mundohet ta rinegociojë marrëveshjen e vitit 2015, sipas së cilës Irani kufizon programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por, Riecke thotë se kjo gjë do të ishte “shumë e vështirë, sepse kjo nënkupton përfshirjen e disa prej partnerëve që ishin pjesë e negociatave – në mesin e të cilëve Rusia, e gjithashtu edhe BE-ja”.

Një përpjekje e tillë “do t’u konvenonte ekstremistëve në Iran”, thotë ai, ndoshta duke e fundosur këtë marrëveshje dhe duke e bërë më të vështirë për ta parandaluar Teheranin të kërkojë armë bërthamore.

Mospërhapja e armëve bërthamore

Trump ka mohuar ta përjashtojë mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe ka sugjeruar se Koreja e Jugut dhe Japonia duhet t’ia nisin punës për zhvillimin e armëve të tyre bërthamore.

Riecke dhe Allin thonë se retorika e Trumpit gjatë fushatës mund të çojë në degradim të përpjekjeve për mospërhapje të armëve bërthamore në nivel global. Shtetet “mund të duhet realisht t’i shqyrtojnë pozicionet e tyre të sigurisë dhe nëse atyre u duhen armët bërthamore”, thotë Allin, duke folur para zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Mjedisi

Trump ka thënë se “koncepti i ngrohjes globale është krijuar nga kinezët dhe për kinezët, në mënyrë që ta bëjnë prodhimtarinë amerikane jo-konkurruese”.

Si president, ai do ta ketë autoritetin që ta mbajë premtimin e tij për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit, e cila kufizon emetimin e gazrave serrë që lidhen me ndryshimet globale klimatike.

Trump - politikat e të cilit për energjinë dhe mjedisin kanë gjetur përkrahje të gjerë nga ligjvënësit republikanë – gjithashtu është zotuar për zvogëlim të rregullave federale mjedisore.

Përmes urdhrave ekzekutivë, ai potencialisht mund të rihapë eksplorimin e naftës në zonat e mbrojtura të Alaskës dhe Oqeanit Arktik dhe të mundësojë fillimin e punës në një tubacion të naftës nga Kanada, plan që ishte pezulluar nga Obama.

Imigrimi

Trump ka premtuar dëbimin e të gjithë personave pa dokumente – gjithsej 11.3 milionë migrantë – nga Shtetet e Bashkuara brenda dy viteve dhe është zotuar se do ta krijojë “një task forcë të dëbimit” për ta zbatuar këtë plan.

Financimi i një programi të tillë kërkon aprovim nga Kongresi dhe disa republikanë e kanë kundërshtuar këtë ide, e cila është e papëlqyer në mesin e votuesve latinë dhe disa konservatorëve.

Analiza nga Forumi amerikan për Veprim, një “think tank” konservativ me bazë në Uashington, thotë se zbatimi i tërësishëm i planit të Trumpit brenda dy vitesh do të “kërkonte një zgjerim të paprecedent në personelin dhe infrastrukturën amerikane të zbatimit të politikave të imigrimit”.

Protestojnë kundër Trumpit e përleshen me policinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Në analizë gjithashtu thuhet se largimi i të gjithë migrantëve që nuk kanë dokumente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ulte bruto prodhimin vendor për 1.6 trilionë dollarë dhe, nëse kjo gjë ndodh brenda dy vitesh, atëherë kjo mund të rezultonte me një “recesion të befasishëm dhe të thellë”.

Gjithashtu, ka dyshime rreth planit të Trumpit për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara dhe zotimit se do ta detyrojë Meksikën që të paguajë për të.

Meksika thotë se nuk do të paguajë për këtë projekt, të cilin “Washington Post” e ka vlerësuar të kushtojë të paktën 25 miliardë dollarë.

Trump ka sugjeruar se ai mund të konfiskonte remitencat nga migrantët meksikanë që nuk kanë dokumentacion, bazuar në Aktin Patriotik të SHBA-së, por ekspertët ligjorë kanë vënë në pikëpyetje nëse ky ligj – që është i dizajnuar për ndalimin e financimit të terroristëve – mund të përdoret për këtë qëllim.

Sërish, sa i përket imigrimit, Trump mund të lëshojë një urdhër ekzekutiv për të zbatuar propozimin e tij kontravers për të ndaluar hyrjen e përkohshme të myslimanëve në vend dhe t’i pezullojë programet për refugjatë.

Që të dyja veprimet me gjasë do të sfidoheshin në gjyq, por, do të mund të kalonte kohë e gjatë derisa një vendim i gjykatës do t’i zgjidhte ankesat.

Shkurtimi i taksave

Trump ka propozuar një plan ekonomik të bazuar në idenë e shkurtimit të taksave për bizneset deri në 15 për qind, nga 35 për qind sa janë aktualisht, dhe se do të krijonte vende pune e rritje ekonomike, duke inkurajuar kompanitë që të investojnë.

Republikanët, në përgjithësi, përkrahin shkurtimin e taksave. Por, ka kundërshtime nga të pavarurit dhe grupet ekonomike dypartiake, e po ashtu edhe nga disa konservatorë fiskalë.

Fondacioni i Taksave, një “think tank” jopartiak në Uashington, vlerëson se propozimet e Trumpit për shkurtim të taksave mund të ndikojnë në “zvogëlim të të ardhurave federale” deri në 5.9 trilionë dollarë – pa llogaritur rritjen ekonomike – dhe kjo do të nënkuptonte taksa më të ulëta për më të pasurit.

Në një raport të muajit tetor të Qendrës për Politika Tatimore, profesoresha nga “New York University”, Lily Batchelder, konkludoi se plani i Trumpit “ do t’i rriste taksat për miliona familje të shtresës së ulët dhe të mesme”.

Komiteti për Buxhet të Përgjegjshëm Federal, një “think tank” jopartiak për politika publike, me bazë në Uashington, vlerëson se propozimi i Trumpit për shkurtim të taksave do ta rriste borxhin amerikan gjithsej deri në 28.4 trilionë dollarë deri në vitin 2026.

Marrëveshjet tregtare

Një pjesë tjetër e planit ekonomik të Trumpit bazohet në pikëpamjet e tij se bizneset amerikane vuajnë nga një varg marrëveshjesh tregtare, që kanë qenë “katastrofike” dhe duhet të rinegociohen.

Si president, Trump do ta ketë autoritetin ligjor që të tërhiqet nga marrëveshja tregtare e Partneritetit Trans-Pacifik ( TPP) dhe nga Marrëveshja e Amerikës Veriore për Tregti të Lirë (NAFTA). Ai gjithashtu do të mund ta urdhërojë Departamentit amerikan të Tregtisë të nis raste tregtare kundër vendeve si Kina – gjë që ka kërcënuar se do ta bëjë – dhe të vendos tarifa në kategori specifike të importeve.

Trump gjithashtu ka kërcënuar se do ta tërheq SHBA-në nga Organizata Botërore e Tregtisë (që përbëhet nga 164 shtete) - e cila ka rolin e arbitrit në rastet e mosmarrëveshjeve lidhur me marrëveshjet për tarifat dhe rregullat e tregtisë – nëse kjo organizatë merr vendim kundër politikave të tij tregtare. Ai do ta kishte autoritetin ligjor për ta bërë një gjë të tillë.

Një vlerësim nga Mark Zandi, një ekonomist në “Moody’s Analytics”, thotë se propozimet e këtyre politikave të Trumpit do ta dobësonin “në mënyrë të konsiderueshme” ekonominë amerikane, duke zvogëluar tregtinë ndër-kufitare, imigrimin dhe investimet e huaja direkte. (REL)

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG