Thaçi uron Trumpin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar fitoren Donald Trumpit në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës i uroj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe mandat të suksesshëm në realizimin e prioriteteve të popullit amerikan”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve është bazamenti mbi të cilin do ta vazhdohet thellimi dhe bashkëpunimi dypalësh.
Merkel uron Trumpin
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë mbi bazën e vlerave të demokracisë, lirisë, respektit të ligjit dhe të dinjitetit të njerëzve, pavarësisht origjinës, ngjyrës së lëkurës, fesë, gjinisë, orientimeve seksuale ose pikëpamjeve politike.
Vuçiq ka uruar Trumpin
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka uruar Donald Trumpin për fitoren e madhe zgjedhore për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shpresën që kjo fitore do të kontribuojë për vazhdimin në përparimin e marrëdhënieve bilaterale të dy shteteve.
Haradinaj uron popullin amerikan dhe presidentin Trump
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar popullin amerikan për zgjedhje të mira dhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.
“Njëkohësisht urimet më të mira për Presidentin e ri Donald Trumop, me bindjen e thellë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e tij, do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Kosovës dhe i Ballkanit, në rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore”, thuhet në urimin e Haradinajt.
Kosova e vogël do të vazhdojë të jetë një aleate dhe një mike e Amerikës së madhe, ka nënvizuar Haradinaj.
Po ashtu, ai i ka shprehur mirënjohje të thellë Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, një mike e madhe e Kosovës, për gjithë çfarë ka bërë për Kosovën.