Ndërlidhjet

Nënë Tereza - "shenjtorja" që ndihmonte të varfërit


Katedralja katolike në Prishtinë
Katedralja katolike në Prishtinë

Derisa ishte gjallë, quhej “shenjtore e gjallë”. Ndihmonte të varfrit, jetimët dhe të sëmurët. Ofronte dashuri dhe kujdes për të padëshiruarit. Ishte shpresë për të zhgënjyerit. Murgesha trupshkurtër, që do të bëhej e njohur si Nëna Terezë, më 4 shtator, do të shpallet edhe zyrtarisht e shenjtë.

Puna bamirëse që ajo ka bërë në lagjet e Kalkutës, qytetit më të varfër dhe më të populluar të Indisë, ka prekur zemrat e njerëzve të të gjitha feve.

E lindur në vitin 1910, nga prindër shqiptarë, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu është rritur në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë, që në atë kohë ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Ajo ka qenë fëmija më i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiut. Familja e saj ka pasur prejardhje nga Prizreni dhe kanë qenë katolikë të devotshëm.

Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e ka nisur në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë ka udhëtuar drejt Indisë. Në vitin 1950, ka krijuar urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.

“Njerëzit që nuk kanë asgjë, që nuk i do askush, që janë bërë barrë mbi shoqërinë, që kanë harruar çfarë është dashuria… për ne ata janë njerëz të Zotit”, ka thënë Nënë Tereza.

“Nëse nuk mund të ushqesh 100 njerëz, atëherë ushqe vetëm një”, ka porositur po ashtu ajo.

Dhembshuria, sakrifica dhe përkushtimi ndaj njerëzve në nevojë i kanë sjellë Nënës Terezë Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Ajo po ashtu është nderuar nga shumë udhëheqës të botës. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, i ka dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa Mbretëresha Elizabeth e Britanisë, Urdhrin e Meritës.

Nënë Tereza ka qenë armike e zëshme e ndëshkimit kapital dhe kundërshtare e fuqishme e abortit. Ajo e ka cilësuar abortin si “shkatërruesin më të madh të paqes”.

Nënë Tereza ka takuar njëherë kryeministren e Indisë, Indira Gandhi, për të kundërshtuar një program sterilizimi, i cili do të frenonte rritjen e popullsisë indiane. “Të takosh Nënën Terezë do të thotë të ndjehesh krejtësisht e përulur”, ka thënë Ghandi në atë rast.

Nënë Tereza shpeshherë e ka potencuar prejardhjen e saj shqiptare. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 1988, ajo ka thënë në shqip lutjen Puna e Pendimit.

“Zoti jem, po më vjen keq me gjithë zemër për gjithë mëkatet që kam ba, se kam bjerrë parrizin, kam meritue ferrin, por ma fort se t’kam fye Ty, o e mira e pambarueme që kaq fort m’ke dashtë. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të nap fjalën, me ndihmën tënde, mos me t’fye ma kurrë”.

Nënë Tereza mbetet në kujtesën e botës me veshjen indiane sari, të bardhë me vija blu. Ajo ka vdekur më 5 shtator të vitit 1997. Më 2003, gjashtë vjet pas vdekjes, i ndjeri Papa Gjon Pali II e ka shpallur të lume, duke bërë hapin e parë drejt shenjtërimit. Në dhjetor të vitit 2015, Papa Francesku i ka hapur rrugë procesit të shenjtërimit, pasi i ka njohur mrekullinë e dytë.

Katolikët besojnë se i shenjtë është dikush që ka jetuar jetë të shenjtë në tokë dhe tani është në qiell. Të shenjtët konsiderohen role model për njerëzit ende në Tokë dhe besohet se janë në gjendje të ndërmjetësojnë me Perëndinë, në emër të dikujt që ka nevojë për ndihmë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG