Ndërlidhjet

Strategjia kundër radikalizmit, ende pa rezultate në terren


Ilustrim
Ilustrim

Strategjia Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, aktualisht ndodhet në fazën e zbatimit, por edhe rishikimit.

Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh koordinator i Strategjisë thotë për Radion Evropa e Lirë, se për zbatimin e strategjisë në terren, është punuar dhe po punohet ende me shumë institucione dhe organizata.

"Tani gjendemi në një fazë edhe të zbatimit, edhe të rishikimit të vetë strategjisë. Tash kemi edhe rifokusim në programet rehabilituese dhe ri-integruese, pra për personat, të cilët qoftë që janë kthyer nga Lindja e Mesme apo edhe kanë qenë të radikalizuar dhe nuk kanë shkuar fare, por me ta megjithatë duhet të punojmë që të jenë pjesë kontribuuese e shoqërisë kosovare", thotë Miftari.

Institucionet e Kosovës janë në përfundim të përgatitjes së programeve për rehabilitimin dhe integrimin e personave, të cilët kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak, përkrah organizatës tashmë të shpallur si terroriste, që veten e quan Shteti Islamik.

Miftari thotë se në terren, disa organizata joqeveritare kanë punuar duke organizuar tryeza të ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve që të mos bien pre e atyre personave që mund të ndikojnë që të rinjtë nga Kosova të marrin pjesë në luftërat e huaja.

"Shumë organizata dhe shoqëri cilivile në të gjitha rajonet e Kosovës, kanë ndërmarrë aktivitete dhe iniciativa, duke organizuar tryeza të rrumbullakëta, fushata vetëdijesimi. Ndërsa konkretisht për rehabilitimin e familjarëve, këto programe janë në hartim e sipër", shton Miftari.

Strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, parasheh që, në një segment të vetin, të përfshijë edhe edukimin dhe vetëdijesimin e brezave të rinj nëpër shkollat e Kosovës.

Por, kjo pjesë e strategjisë, megjithatë ende nuk ka nisur të zbatohet në një shkallë më të gjerë në nivel të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se aktivitetet rreth zbatimit të kësaj strategjie, do të zhvillohen së bashku me shoqërinë civile, me njerëzit që punojnë në arsim e edukim, si dhe me bashkësitë fetare në Kosovë.

Skënder Përteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se pavarësisht disa përpjekjeve, nuk mund të thuhet se ka nisma serioze që ndihmojnë qoftë ri-integrimin apo ri-socializimin e personave të cilësuar si të radikalizuar.

"Lidhur me planet ose strategjitë, ose dhe dokumentet, por edhe aktivitetet në terren për ri-integrim dhe deradikalizëm, qoftë për qytetarët që janë prekur ose për ata që janë në burgje, si të dyshuar që kanë marr pjesë në luftërat e Sirisë apo Irakut, ose si financues, mbështetës e po ashtu edhe për qytetarët e tjerë që janë të dyshuar e janë nën hetime edhe familjet e tyre, nuk ka pasur ndonjë iniciative konkrete për ri-integrim ose de-radikalizëm në përgjithësi, për këta persona", thekson Përteshi.

Tutje, Përteshi konsideron se në radhe të parë, ngecjet në këtë drejtim vijnë si pasojë e mospërvojës së mekanizmave të Kosovës që të përballen me këto dukuri por, siç thotë ai, janë edhe disa faktorë të tjerë.

"E dyta, është mungesa e kapaciteteve në institucioneve në nivel lokal apo edhe në nivel qendror. Pra, nuk kemi kapacitete ose staf kadrovik profesional që mund ta bëjë këtë punë në mënyrën më të mirë të mundshme e që do të kishte rezultate direkt në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe reduktimin e rrezikut nga ky fenomen”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë fonde për këto aktivitete. Nuk ka ndarë fonde për implementimin e kësaj strategjie. Këto aktivitete dhe plane pritet të zbatohen me fonde ndërkombëtare", shpjegon Përteshi.

Institucionet e Kosovës, shton Përteshi, janë marrë në mënyrë ad-hoc dhe jo të koordinuar, me dukurinë e ekstremizmit të dhunshëm.

"Kërkohet një koordinim shumë i mirë, sidomos i institucioneve të nivelit lokal dhe nivelit qendror. E dyta pengesë tjetër është edhe mungesa sidomos në Shërbimin Korrektues dhe qendrat sociale. Është mungesa e kuadrit profesional si në shërbim korrektues apo institucione tjera që merren me ri-integrim ose deradikalizim e të tjera. Së pari ata nuk e kuptojnë fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm", vlerëson Përteshi.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar Ligjin, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG