Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë zotuar se bashkë me faktorë të tjerë relevantë do të punojnë në zbatimin e “Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se aktivitetet rreth zbatimit të kësaj strategjie do të zhvillohen së bashku me shoqërinë civile, me njerëzit që punojnë në arsim e edukim, si dhe me bashkësitë fetare në Kosovë.
Mirëpo, sociologët konsiderojnë se ekzekutivi i vendit, kur behët fjalë për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, duhet të prezantojë plane konkrete, në kuptimin e vetëdijesimit të të rinjve në shkolla, në të gjitha nivelet.
Ismail Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse ligjëratat e ndryshme bëhen nga persona që nuk janë të thirrur për atë punë, dhe nuk bazohen në module të veçanta, ndikimi te nxënësit mund të jenë negativ.
"Temat e tilla do të duhej të elaboroheshin nga ekspertët e fushave që përkojnë me problemet e ekstremizmit. Do të thotë, shpjegimi i fenomeneve fondamentale të çështjes së besimit, të mënyrës së kapjes se besimit, përvetësimit të besimit, predikimit të besimit, kufizimeve të cilat tejkalojnë predikimin, që tejkalojnë caqet e lirisë së tjetrit. Probleme këto që, në kontekstin e përgjithshëm shoqëror, mund të afektojnë rininë e të gjitha niveleve", tha Hasani.
Profesori Hasani thotë se gjatë zbatimit të strategjisë nuk duhet të gabohet, e në institucione arsimore të shkojnë klerikët fetar për të ligjëruar rreth pasojave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
"Për fat të keq Kosova ka shumë pak njerëz që merren me këto probleme në mënyrë profesionale. Ne nuk mund të dërgojmë në shkolla priftërinj dhe hoxhallarë që t’u flasin të rinjve që të mos u bashkohen grupeve ekstremiste,sepse mund të prodhojnë efekte negative”.
“Do të thotë,vet prania e klerit në shkolla do të thotë se diçka po ndodhë. Kjo mund të bëhet përmes shpjegimit të moduleve mësimore të veçanta, dhe me to të merren njerëzit kompetentë", tha Hasani.
Edhe Fadil Maloku, profesor në departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, konsideron se kur flitet me të rinjtë për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, nuk duhet të përfshihet vetëm politika.
"Vetëdijesimi i të rinjve nuk bëhet me ligjërime boshe dhe me përralla të tipit që kinse prodhojnë reperkusione sigurie dhe stabiliteti”.
“Do të thotë, qasja që pretendon primesa nacionale s'mund dhe s'do të duhej të merrej me pasojat (që prodhon ekstremizmi dhe radikalizmi), por me shkaqet (injorancën, papunësinë, krimin, korrupsionin)”.
“Kështu që, kam përshtypjen që vetëm qasja politike, pa kyçjen e eksperteve, si; sociologë,psikologë, politikologë, pedagogë, e të tjerë, është e kotë dhe e gabuar", tha Maloku, në një përgjigje me shkrim.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, organizatë joqeveritare që vepron në Kosovë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si duhet qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Kjo organizatë, në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka zhvilluar një fushatë avokimi në çdo komunë, për vetëdijesimin e shoqërisë rreth asaj se çfarë mund të bëjë shoqëria në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Vesë Kelmendi, hulumtuese në këtë organizatë, tha se temat dhe debatet të cilat janë organizuar në shumë shkolla të mesme të komunave të Kosovës, për ekstremizmin e dhunshëm, kanë pasur sukses.
Kelmendi tha po ashtu se edhe interesimi i të rinjve në këtë rrafsh ka qenë i kënaqshëm.
"Disa nga nxënësit nuk kanë pasur informacione të sakta se çka në fakt është ekstremizmi. Por, kjo ka ndryshuar pas debateve që janë zhvilluar. Esenca e këtij organizimi ka qenë që debati të zhvillohet ndërmjet nxënësve, me qëllim që të arrihet të kuptohet me saktë se çka mendojnë të rinjtë rreth fenomenit të ekstremizmit”.
“Ne mendojmë se trajnimi ka pasur shumë sukses dhe është mirëpritur. Ka pasur ndoshta kundërshtime për trajtimin dhe mënyrën se si ka ardhur çështja deri të ekstremizmi, por në fund [debatuesit ] kanë arritur një pajtim rreth debatit", tha Kelmendi.
Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 persona. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.
Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.
Nga shumica e komunave të Kosovës, të banuara me shumicë shqiptare, vetëm dy prej tyre, Podujeva dhe Drenasi, thuhet se nuk janë përballur deri më tash me problemin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.