Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh lider i PDK-së, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se deputetët i kanë dy mundësi para vetes, të themelojnë vet këtë gjykatë apo që çështjen t’ia lënë në duar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku sipas tij, ka edhe vende që e kundërshtojnë dhe sfidojnë shtetësinë e Kosovës. Ai ka ftuar deputetët të votojnë themelimin e kësaj gjykate.
Varësisht përfundimeve të seancës së Kuvendit Kosovës, pritet që më pas Qeveria të procedojë tutje me miratimin e projektligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar.
Ky projektligj, është rezultat i negociatave me Bashkimin Evropian i cili lejon vendosjen e prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë për hetimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt.
Krahas këtij projektligji, qeveria ka propozuar edhe miratimin e një ligji tjetër, atij për mbrojtjen dhe kompensimin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur pjesën e parë të punës së seancës, ku po diskutohet themelimi i Gjykatës Speciale.
Deputeti dhe kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, ishte folësi i fundit para se Kuvendi të shkonte në pauzë.
Ai ka thënë se me këtë gjykatë po suprimohet kushtetuta dhe se nga themelimi i kësaj gjykate, asgjë më nuk do të jetë njësoj. Andaj, ka ftuar deputetët të mos e mbështesin këtë themelimin e kësaj gjykate.
Pritet që seanca të vazhdojë pas orës 15:00.