Protesta e organizuar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, ka përfunduar pak para orës 14:00.
Protesta është mbajtur para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësuesit e këtyre organizatave kanë theksuar se “deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë marrë porosinë e protestuesve”, e cila, sipas tyre, duhet të respektohet.
Pas pauzës së drekës, Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet ku në rend dite ka shqyrtimin për miratim të amendamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale.
Pas pozicionimit të deputetëve opozitarë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu ka shprehur hapur qëndrimin e saj në kuvend kundër.
Ajo tha se nuk beson që kjo gjykatë do të merr ndonjë vendim të drejtë, marrë parasysh edhe gjykimet e këtyre viteve nga ana e UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës dhe EULEX-it.
Deputetët e partive opozitare janë tërhequr nga mbajtja e fjalimeve në Kuvend në lidhje me Gjykatën Speciale. Ky vendim është konfirmuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ai ka thënë se mbase bëhet fjalë për një taktizim të ri.