Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje themelimit të Gjykatës Speciale. Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie politike, Ismet Beqiri ka thënë se amendamenti kushtetues është në harmoni me Kushtetutën, kështu që i ka dhënë mbështetje.
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale. Deputeti Glauk Konjufca e ka krahasuar këtë vendim me kohën e suprimimit të autonomisë së Kosovës në epokën e ish-Jugosllavisë. Themelimi i kësaj gjykate, sipas tij, është cungim i sovranitetit të Kosovës.
Në vazhdën e qëndrimeve opozitare, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes liderit të saj, Ramush Haradinaj ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Haradinaj ka thënë se kjo gjykatë paraqet një monstrum ligjor i cili po i ofrohet vetëm Kosovës.
Faton Klinaku, përfaqësues i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ta lirojnë oborrin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se “nuk jemi nën masa të dhunshme dhe se protesta po bëhet me kërkesën që e ka gjithë populli, mos votimin e Gjykatës Speciale”.