Pas insistimit të opozitës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri thirrje publike që asnjë forcë policore, nga njësitë speciale të mos qëndrojë brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët opozitarë i ripërsërisin kërkesën kryetarit të Kuvendit që të largohen forcat speciale nga oborri i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se njësitë speciale janë me pajisje komplete sikurse të ishte luftë. Ai tha se këto forca nuk kanë se çfarë kërkojnë në oborrin e Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka shprehur pakënaqësinë e tij me seancën e sotme, për shkak të pranisë së shtuar të forcave policore brenda dhe përreth ndërtesës së Kuvendit.
Ai ftoi kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që t'i ftojë forcat policore të largohen, duke e cilësuar këtë seancë nën represionin policor.
Veseli i është kundërpërgjigjur deputetit Konjufca në lidhje me forcat policore, duke thënë se në ndërtesën e Kuvendit nuk ka forca speciale të policisë.
Bazuar në procedurat parlamentare, amendamenti është pritur të prezantohet edhe nga kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ajo ka refuzuar ta bëjë këtë, duke e quajtur të turpshëm këtë amendament.