Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përmbyllur serinë e debateve maratonike në Kuvendin e Kosovës për Gjykatën Speciale. Ai e ka cilësuar këtë gjykatë si kapitullim të shtetit, duke i fajësuar drejtpërdrejt liderët e institucioneve për themelimin e saj.
Pas diskutimeve të shumta rreth Gjykatës Speciale, në foltore është paraqitur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai tha se Kuvendi duhet të marrë një vendim, pavarësisht peshës së tij.
Ai tha se Kuvendit duhet t’i vijë turp që nuk ka miratuar asnjëherë ndonjë rezolutë për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë. Veseli pranoi se Gjykata Speciale është një e keqe për Kosovën, por tani në këtë fazë, sipas tij, është e pashmangshme.
Në vazhdën e pozicionimeve në lidhje me Gjykatën Speciale, edhe deputeti tjetër i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka treguar se do të votojë kundër themelimit të saj. Hasani tha se nëse do të votonte për këtë gjykatë, atëherë do të votonte kundër luftës së UÇK-së. Ai propozoi që votimi për Gjykatën Speciale të jetë i fshehtë.
Deputetët e partive opozitare janë tërhequr nga mbajtja e fjalimeve në Kuvend në lidhje me Gjykatën Speciale. Ky vendim është konfirmuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ai ka thënë se mbase bëhet fjalë për një taktizim të ri.