Ndërlidhjet

Mungesa e gjykatësve rrit numrin e lëndëve


Numri i lëndëve të pazgjidhura në Gjykatat e Kosovës, vazhdon të jetë i lartë dhe kjo siç thuhet është si pasojë e mungesës së gjykatësve.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se mungesa e gjykatësve, vazhdon të paraqes problem për sistemin e drejtësisë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha për Radion Evropa e Lirë, se këshilli ka zgjedhur së fundmi 41 gjykatës të ri, por siç tha ai, tash pritet që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të bëjë dekretimin e tyre.

“Jemi në proces të përshpejtimit të disa proceduarave sa i përket emërimit të gjyqkatësve. Me emërimin e këtyre gjykatësve vetëm në Prishtinë, do të ketë mundësi të arrihet efikasitet edhe në gjykatat e tjera të vendit”, ka deklaruar Peci.

Ai tha se aktualisht në Gjykatat e Kosovës, janë duke punuar mbi 300 gjykatës, kurse numri i përgjithshëm sipas Pecit, duhet të jetë 400.

“Ju e dini se është procesi i integrimit, duke u bazuar edhe në marrëveshjen për drejtësi, e arritur në Bruksel. Janë 48 pozita të minoriteteve që do të integrohen në sistemin gjyqësor. Tash ndoshta ka ardhur momenti që të plotësohet edhe ajo pjesë që deri tash ka qenë e zbrazët”, tha Peci.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, theksoi se në gjykatën që ai e drejton, ka mungesë të gjykatësve dhe si pasojë, sipas tij, një numër i lëndëve vazhdojnë të shqyrtohen me një ritëm të ngadaltë.

Ai thotë se edhe me emërimet e reja të cilat pritet të bëhen së shpejti, sërish do të ketë mungesë të gjykatësve në të gjitha Gjykatat e Kosovës.

“Procesi i emërimeve e ka vështirësuar punën, sepse ka zgjatur shumë, gati dy vjet. Ne do ta vërejmë mungesën e gjykatësve edhe kur të vijnë gjykatësit e ri, por do të ketë një zbutje të gjendjes që e kemi, edhe pse përfundimisht nuk e zgjidh çështjen”, tha Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsideron se mungesa e gjykatësve në gjykata ka prekur të drejtat e shumë qytetarëve, lëndët e të cilëve nuk kanë mundur të zgjidhen.

Musliu thotë se numri aktual i gjykjatësve në sistemin e drejtësisë, nuk mjafton që t’i adresojë të gjitha çështjet që i kanë në punë gjykatat.

Ai ka kritikuar autoritetet kompetente që deri tash nuk kanë bërë ndonjë analizë që do të tregonte se cilat janë kërkesat e sistemi gjyqësor lidhur me nevojën e gjykatësve, apo edhe çështjeve të tjera.

“Asnjë institucion, përfshirë këtu Këshillin Gjyqësor të Kosovës, apo mekanizmat ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar gjyqësorin, nuk e kanë bërë asnjë analizë kualitative për të parë nevojat e sakta të cilat i ka sistemi gjyqësor i Kosovës, për t’i adresuar të gjitha çështjet që i ka në punë".

"Pra, deri tash flasim për numër të banorëve për territor, por në fakt nuk ka asnjë analizë, asnjë ekspertizë të saktë që thotë se Kosova duhet t’i ketë 400 gjykatës, 500 apo sa në fakt duhet t’i ketë”, tha Musliu.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si një nga sistemet me probleme të shumta në funksionim, përfshirë këtu edhe dukurinë e korrupsionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG