Ndërlidhjet

Vrasja e Farkhundas, godet ndërgjegjen në Afganistan


Dhuna ndaj grave në Afganistan ndodhë aq shpesh sa që rrallë herë nxit reagim publik.

Mirëpo, diçka ka ndryshuar pas vrasjes së 27 vjeçares, Farkhunda.

Vrasja e saj brutale në duart e një turme të zemëruar më 19 mars, ka nxitur zemërim brenda shtetit, përmes protestave, ceremonive memoriale dhe thirrjes për drejtësi.

Një hetim penal, që përfshinë Ministrinë e Brendshme dhe autoritetin më të lartë ligjor vendor, ka çuar deri te arrestimi i rreth 30 personave që dyshohet se kanë lidhje me sulmin si dhe pezullimin e policëve.

Të drejtat e grave, me përkrahjen e partive politike, qeverisë dhe grupeve për të drejtat e njeriut, janë duke tërhequr vëmendje në këtë vend.

Ka shumë arsye, pse sulmi ndaj Farkhundas ka prekur nervat në shoqërinë afgane, por brutaliteti i paparë dhe ekspozimi i momentit të sulmit janë kyç për nxitjen e reagimeve.

“Pamjet kanë hyrë në çdo shtëpi afgane, dhe populli e ka parë se si një grua e re ishte mbuluar me gjak derisa turma e rrihte atë”, sqaron Waheed Mozhda, analist politik në Kabul dhe ish zyrtar i talibanëve.

“Pamjet kanë pasur efekt shumë të madh tek njerëzit të cilët e kanë paramenduar vetën dhe pjesëtarët e familjes së tyre në të njejtën pozitë si viktima”.

Farkhunda ishte goditur me grushta, me shkelma, ishte rrahur me shkopinjë dhe ishte gjuajtur me objekte nga turma që ishte pjesë e linçimit, e krijuar duke u mbështetur në pretendimin e rremë se ajo e ka djegur Kuranin brenda një vendi të shenjtë të Kabulit.

Trupi i saj është djegur dhe gjuajtur në lumin e Kabulit.

Sulmi i gjatë ka ndodhur në pikë të ditës para vendit të shenjtë të quajtur, Shah-e-Doshamshira, përballë policisë, dhe vetëm pak kilomtra larg pallatit presidencial.

Diçka që ka nxitur zemërimin e popullit është edhe mos reagimi i policisë derisa viktima është sulmuar.

“Policia është dashur ta mbrojë atë, por ata janë sjellur si spektatorë indiferent”, thotë Selay Ghaffar, një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe pjesëtare e Partisë së Solidaritetit.

Incidenti, shton ajo, demonstron se qeveria dhe forcat e saj të policisë nuk janë në gjendje, apo as që kanë dëshirë të mbrojnë popullin e saj.

"Ne kemi parë se si grave u janë prerë gjinjtë, kemi parë se si vajzat në moshën 6 apo 12 vjeçare janë dhunuar nga mullahët, kemi parë se si vajzave u është hedhur acid në fytyrë…ka aq shumë sulme ndaj vajzave dhe grave. Njerëzve po iu humb durimi”, thotë politikania, Ghaffar.

Autoritetet janë munduar së shpejti të kontrollojnë situatën, pasi presidenti Asgraf Ghani, ka urdhëruar që ministri i brendshëm, liderishipi fetar dhe udhëheqësit e vendit të shenjtë ku ka ndodhur krimi të përfshihen në hetim.

Përgjatë hetimit, 28 persona janë arrestuar, disa prej të cilëve e kanë pranuar pjesëmarrjen në sulm.

20 oficerë policie janë pezulluar, ndërsa zëdhënësja e policisë është përjashtuar nga puna pasi ka postuar komente në ‘Facebook’ ku e përkrahte linçimin.

Grupet politike, figura fetare dhe aktivistë të të drejtave të njeriut janë bashkuar në dënimin e këtij incidenti.

Të premten, është planifikuar të mbahet edhe një memorial për të nderuar “martiren Farkhunda".

Vrasja e Farkhundas është i fundit në vendin që ka parë shumë lloje të dhunës dhe padrejtësive.

Derisa diskutimet rreth vrasjes së Farkhundas kanë shpërthyer në rrjete sociale, organizatorët e protestave shpresojnë se diçka e mirë do të dal nga kjo tragjedi, duke nxitur kështu ndryshimin e shoqërisë dhe mënyrës se si i trajton çështjet e grave.

Familja e saj tani nuk dëshiron më që ta komentojë ngjarjen për media, derisa ka njoftuar se e ka krijuar një fond që do të përdoret për ngritjen e vetëdijes për dhunën kundër grave.

“Ajo ka qenë motra ime”, ka thënë gjatë kësaj jave vëllai i saj, Najib, për Radion Evropa e Lirë.

“Tani ajo është motra e të gjithëve”, ka thënë ai..

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG