Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska planifikon t’i njohë zgjedhjet, që organizohen më 2 nëntor në pjesën lindore të Ukrainës, në shenjë të kundërshtimit të hapur të qeverisë në Kiev.
Në një intervistë për gazetën moskovite, Izvestia, të publikuar të marten, Lavrov tha se “ne presim që zgjedhjet të lëvizin përpara sipas pajtueshmërisë së arritur, dhe ne, natyrisht, do t’i njohim rezultatet”.
Liderët e kryengritësve pro-rusë në rajonet Donjeck dhe Luhansk, kanë thënë se ata do të mbajnë zgjedhje në të ashtuquajturën “republikë popullore” të tyre, për të zgjedhur parlamentet e ndara dhe liderët e tyre.
Ukraina, Shtetet e Bashkuara, dhe disa shtete të tjera, kanë thënë se këto zgjedhje janë jolegjitime dhe nuk do të njihen.
Megjithatë, Lavrov tha se zgjedhjet simultane do të jenë të “rëndësishme nga pikëpamja e legjitimimit të autoritetit” të udhëheqjes pro-ruse të rajoneve.
Deklaratë të ngjashme me zotin Lavrov, ka bërë edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Agjencia Interfax raporton se ai ka thënë sot se Rusia nuk ka arsye për të mos i njohur zgjedhjet e planifikuara në Donjeck dhe Luhansk.
Zyrtari i lartë i Ministrisë së jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, e ka kritikuar Rusinë për njohje të zgjedhjeve të planifikuara, duke thënë se me këtë “shkatërrohen” përpjekjet për ta përfunduar konfliktin gjashtëmujor në këto rajone.
Ai i tha agjencisë AFP se “synimet e Rusisë direkt janë në kundërshtim me marrëveshjen paqësore të Minskut, e shkatërrojnë procesin e pajtuar për ulje të përshkallëzimit dhe të zgjidhjes paqësore, dhe vazhdojnë ta dobësojnë besimin në Rusinë si partner i besueshëm ndërkombëtar”.
Votuesit në hapësirat nën kontrollin e separatistëve në Donjeck dhe Luhansk, nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, më 26 tetor, në të cilat kanë dominuar partitë properëndimore.
Ukraina ka kërkuar nga Rusia të bëjë presion ndaj separatistëve, që të mos i mbajnë zgjedhjet rivale në rajonet lindore.
Por, Lavrov dhe Peskov thanë se ata presin që zgjedhjet në Donjeck dhe Luhansk, do të lëvizin përpara sipas palanit.
Peskov tha se ndikimi i Rusisë në separatistët nuk është “i pakufizuar” dhe nuk duhet të “ekzagjerohet”.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se çfarëdo zgjedhje lokale të mbajtura në Ukrainë, duhet të udhëhiqen në harmoni me ligjet e Ukrainës, duke sinjalizuar se Kievi nuk i konsideron legjitime zgjedhjet e planifikuara në Donjeck dhe Luhansk.
Kievi ka ofruar tri vjet të “vetëqeverisjes” për pjesë të rajoneve Donjeck dhe Luhansk, ndërsa zgjedhjet lokale do të mbaheshin më 7 dhjetor.
Separatistët pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk kanë shpallur pavarësi, pasi Rusia e aneksoi Krimenë e Ukrainës, në muajin mars.
Një armëpushim i arritur në fillim të muajit të kaluar, e ka përfunduar pjesën më të madhe të armiqësive në pjesën lindore të Ukrainës, nga të cilat janë vrarë afro 3,600 vetë, gjatë pesë muajve të fundit. (f. bujupi)