Ndërlidhjet

Dhjetë fakte nga zgjedhjet e Ukrainës


Ukrainasit kanë votuar për legjislaturën e re parlamentare, për herë të parë prejse protestat e Euromaidanit kanë rrëzuar presidentin Viktor Yanukovych dhe qeverinë e tij pro-ruse në muajin shkurt.

Radio Evropa e Lirë sjell dhjetë fakte nga zgjedhjet e 26 tetorit.

Ndarja Perëndim-Rusi nuk është më relevante në parlament.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, betejat parlamentare të Ukrainës janë zhvilluar kryesisht midis të të ashtuquajturave fraksione pro-perëndimore dhe atyre pro-ruse. Kjo nuk do të ndodhë më.

Për herë të parë në historinë e Ukrainës së pavarur, parlamenti i vendit do të dominohet nga partitë që mbështesin lidhje të forta me Evropën. Të trija partitë kryesore mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Partia e Poroshenkos ka zhgënjyer.

Presidenti Petro Poroshenko do të ketë koalicion pro-evropian, por partia e tij nuk ka dalë aq e fortë sa ka shpresuar. Në një moment, anëtarët e Bllokut Petro Poroshenko kanë menduar se mund të fitojnë shumicë të drejtpërdrejtë parlamentare, por, siç tregojnë rezultatet e zgjedhjeve, ky bllok po udhëheq krah për krah me Frontin Popullor të kryeministrit Arseniy Yatsenyuk. Ata kanë thënë se do të formojnë së bashku koalicionin, por rivaliteti mund të pritet.

Partia radikale ka dështuar.

Sondazhet kanë treguar se kandidati ultra-populist, Oleh Lyashko, do të dalë i dyti, pas pakënaqësisë në rritje të ukrainasve me ritmin e ngadaltë të reformave. Por, Partia Radikale ka zënë vendin e pestë, me rreth 7.5 për qind të votave.

“I panjohuri” i zgjedhjeve del i treti.

Nëse ka pasur të panjohur të suksesshëm në këto zgjedhje, ai nuk ka qenë Lyashko, por kryetari i Lvivit, Andriy Sadoviy, dhe partia e tij “Samopomich”. Sipas exit-polleve, ai ka fituar Kievin dhe ka dalë i treti me 11 për qind të votave.

Lamtumirë Lenin!

Për herë të parë në 96 vjet, në Parlamentin e Ukrainës nuk do të ketë Parti Komuniste – një arritje kjo e rëndësishme, të cilën Poroshenko e ka theksuar në fjalimin e tij treminutësh paszgjedhor .

“Kjo duket sikur statuja e Leninit brenda Parlamentit të Ukrainës, të jetë rrëzuar”, ka thënë analisti politik, Volodymyr Fesenko, për shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

“Kjo korrespondon me opinionin e brendshëm dhe padyshim me ndryshimin në strukturën e elektoratit në vend”, ka shtuar ai.

Kohë të vështira për Tymoshenkon.

Yulia Tymoshenko, së paku tani për tani, është bërë gati e parëndësishme në politikat e Ukrainës. Kur ish-kryeministrja është liruar nga burgu në muajin shkurt dhe ka dalë para protestave të Euromaidanit në Kiev, ajo ka bërë publike synimet e saj për të rihyrë në politikë. Por, disa në turmë thuhet se kanë ofsharë.

Deri më tani, ajo nuk ka qenë në gjendje të zhdukë perceptimin se ajo përfaqëson një rojë të vjetër, e cila ka qenë shumë e gatshme për të punuar brenda një sistemi pa shpresë të korruptuar. Pasi ka humbur në garën e saj për presidente, partia e Tymoshenkos tani ka fituar vetëm pak vota mbi pragun prej 5 për qind.

Partia e Rajoneve ka mbijetuar.

Në Parlament do të vazhdojë të ketë parti pro-ruse. Blloku Opozitar, i cili përfshin kryesisht anëtarë të ish-partisë sunduese, Partisë së Rajoneve, ka dalë në vendin e katërt me rreth 10 për qind të votave. Por, ata duket se kanë shënuar fitore të konsiderueshme në rajonet lindore, përfshirë Dnipropetrovskin.

Asnjë votë besimi në lindje.

Nëse pjesëmarrja e votuesve prej 70 për qind në Lviv, në pjesën perëndimore të Ukrainës, tregon entuziazëm për të ardhmen, pjesëmarrja e ulët në lindje flet për apatinë ndaj drejtimit të ri të Ukrainës.

Pjesëmarrja në Donjeck dhe Luhansk nuk është pritur të jetë e lartë, sepse shumë pjesë të rajoneve janë të okupuara nga separatistët pro-rusë, të cilët kanë ndaluar votimin. Por, pjesëmarrja e ulët në rajonet tjera lindore: Odesa, Kherson, Mykolaiv, e kombinuar me mbështetjen për Partinë e Rajoneve, duhet të jetë shqetësuese për Kievin, i cili ka mbështetur shpresat në këto rajone për rezistencë ndaj çdo rebelimi separatist.

Na vjen keq Rusi, por Ukraina nuk po krijon shtet fashist.

Për tetë muaj, Moska ka bërë thirrje kundër rritjes së supozuar të fashizmit në Ukrainë. Por, për herë të dytë, partitë ultranacionaliste kanë dalë tmerrësisht keq në votime. Në muajin maj, kandidati ultranacionalist për president, Dmytro Yarosh, ka fituar më pak se 1 për qind të votave.

Dhe, të dielën, partia e tij, Sektori i Djathtë, ka dalë po aq keq. Edhe Svoboda, një parti ultranacionaliste e cila ka qenë në parlament, pasi ka fituar 10 për qind të votave më 2012, rrezikon të humbasë të gjitha vendet e saj. Me gjysmën e votave të numëruara nga zgjedhjet e së dielës, ajo ka qenë nën pragun zgjedhor.

Kartat e egra të votave të rretheve.

Ultranacionalisti Yarosh ka ende gjasa të jetë deputet në parlamentin e ardhshëm. Vetëm 50 për qind e votave të parlamentit bazohen në listat proporcionale të partive. Të tjerat bazohen në zgjedhjet e rretheve. Yarosh ka qenë kandidat në Dnipropetrovsk, ku duket se ka fituar votat.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG