Reduktimet e ujit po vazhdojnë. Në shumë lagje në Prishtinë ka reduktime të ujit të pijshëm gjatë ditës, duke filluar nga ora 10 deri në orën 16, për të vazhduar reduktimet nga ora 22 deri në orën 6 të mëngjesit. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe zyrtarë në Ujësjellësin Rajonal Prishtina.
Por, së fundmi reduktime ka pasur gjatë gjithë ditës në disa zona të kryeqytetit, ku sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, kjo ka ardhur si pasojë e punimeve që janë bërë në gypat e ujit.
Ilir Abdullahu, drejtor teknik në ujësjellësin rajonal “Prishtina” i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se me gjithë përmirësimin e gjendjes me furnizim me ujë gjatë këtij viti, reduktimet do të vazhdojnë.
“Deri në përfundim të fabrikës (së ujit) në Shkabaj, këto reduktime do të vazhdojnë. Ndërsa, pas përfundimit do të stabilizohet furnizimi dhe ujë do të ketë 24 orë. Por, nëse e përcjellim një kronologji të furnizimit me ujë, kjo verë ka qenë më e mira. Konsumatorët e dinë që jemi duke kryer punime dhe herë pas herë atakohen me mungesë të ujit disa zona”.
“ Lagja Aktashi ka qenë pa ujë pasi që gjatë punimeve është bërë dëmtimi i tubit kryesor që furnizon me ujë. Gjendja po shkon drejt stabilitetit. Gjatë ditës, nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 16 dhe nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit ka reduktime”, ka bërë të ditur Abdullahu, duke përmendur edhe një problem tjetër që po u shkaktojnë qytetarët:
“Problemi kyç që na mbetet është lidhja ilegale e konsumatorëve. Konsumatorët e kyçur në rrjet në periferi dhe fshatra janë harxhuesit më të mëdhenj, e që ndikojnë shumë në furnizim me ujë".
Por, çka thonë qytetarët lidhur me reduktimet e ujit?
Nita Sadiku 26-vjeçare ekonomiste e profesion, e cila jeton në Lagjen Bregu i Diellit, thotë se gjatë 24 orëve, furnizohen me ujë vetëm rreth 5 orë.
“Ne kemi vetëm 5 orë ujë gjatë ditës, ndonjëherë edhe 3 orë, varet. Ndërsa, shpesh ndodh që edhe këtë kohë të mos ketë shtypje të mjaftueshme, gjë që nuk mund të kryesh shumë punë pa shtypje uji. Kemi thirrur shpesh në kompaninë e ujësjellësit, por na kanë thënë se është prishur ndonjë gyp që furnizon lagjen me ujë, apo qyteti është mbipopulluar dhe nuk mund të ketë ujë për të gjithë gjatë gjithë kohës, andaj edhe ndodhin reduktimet”, thotë Nita.
Ndryshe Antigona Morina, studente 24-vjeçare, e cila jeton në Lagjen Ulpiana, thotë se nuk përballet me reduktime të shumta.
“Nuk ndalet ujë shpesh. Gjatë natës ka ujë me shtypje të ulët, por nuk ndalet tërësisht. Mund të pastrohesh, të lash rroba. Qe një vjet që jetoj aty, vërej se ka ujë”, tregon Antigona.
Edhe Shpresa Sogojeva, e cila jeton në qendër të kryeqytetit, mendon se gjendja me furnizim me ujë të pijshëm është përmirësuar, krahasuar me vitet paraprake.
“Kemi pasur reduktime kur ka pasur mungesë të ujit, por tash është situatë më e mirë. Ka pasur më shumë problem në të kaluarën. Prej orës 22 deri në orën 6 të mëngjesit nuk ka pasur asnjëherë dhe as tash nuk ka ujë. Por, gjatë ditës është përmirësuar furnizimi me ujë”, shprehet Shpresa.
E, sipas deklaratave të zyrtarëve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, 30 për qind e popullatës nuk janë të kyçur në rrjetin e ujësjellësit. Kjo, sipas tyre, bën që rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë ta kenë burimin nga kualiteti i dobët i ujit.
Bashkësia Evropiane, në bashkëpunim me institucionet vendore, është duke kontribuar që deri në vitin 2020, të mos mbetet asnjë vendbanim në Kosovë pa u furnizuar me ujë higjienik për pije.