Ndërlidhjet

Asfalti e lë Kosovën pa ujë


Pamje nga Liqeni i Batllavës
Pamje nga Liqeni i Batllavës
Vlera financiare e zgjidhjes së problemi me furnizim me ujë të pijes për popullatën e Kosovës është minimale, krahasuar me investime që janë bërë deri më tani në infrastrukturë rrugore, vlerësojnë njohës të problematikave të ujit në vend.

Kosova sipas tyre, ka bërë investime të shumta në infrastrukturë rrugore duke përfshirë këtu ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera kapitale, të cilat nuk kanë prekur sektorin e ujit.

Sektori i ujit përgjatë 15 viteve të pasluftës, sipas ish drejtorit të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Skender Bublaku, ka pasur përkrahjen më të madhe nga donatorët ndërkombëtarë dhe më pak nga niveli qendror dhe ai lokal.

“Në përgjithësi nuk është bërë mjaftueshëm, pavarësisht se ka pasur investime si nga niveli qendror ashtu edhe ai lokal, por ato po duket po tregohen se kanë qenë të pamjaftueshme, ndoshta nuk ka qenë një prioritet më i madh krahasuar me sektorët tjerë që investimet kanë qenë më domethënëse dhe kanë bërë zgjidhje".

"Por tek uji problemi më i madh është se investimet kanë qenë minimale, kanë qenë të pa organizuara dhe të pasistemuara sipas një plani përgjithshëm që ndoshta në nivel qendror do të duhej të bëhej në mënyrë që të paraprij këtyre situatave”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë Bublaku.

Ai konsideron se sikur shpërndarja e investimeve të Qeverisë së Kosovës do të ishte bërë në bazë të prioriteteve, furnizimi me ujë të pijes nuk do të ishte problem serioz, sikurse është paraqitur tani.

“Shpërndarja e investimeve do të duhej të jetë në bazë të prioriteteve. Nuk mendoj që financiarisht është e nevojshme shumë të investohet në ujë, sepse vlera financiare e zgjedhjes së problemit të ujit të pijes është minimale krahasuar me investime tjera, si në infrastrukturën rrugore, në arsim apo shëndetësi".

"Sistemi i ujti ka pasur investime më të pakta, e në fakt reflektimi është i madh në shumë sektorë tjera, pengesat mund të jenë edhe në ekonomi nëse nuk kemi furnizim të rregullt me ujë, pastaj problemet shëndetësore janë relativisht të mëdha që mund të shfaqen”, thekson Bublaku.

Që nga muaji i kaluar shumë komuna të Kosovës kanë hyrë në një fazë emergjente të furnizimit me ujë të pijes, për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike.

Liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit thuhet të kenë sasi të ujit vetëm edhe për disa muaj. Në Liqenin e Batllavës niveli i ujit ka rënë mbi 12 metra, gjendje e njëjtë paraqitet edhe në Liqenin e Badovcit.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Gjelosh Vataj konsideron se investime të pakta janë bërë në sektorin e ujit.

“Ne përgjithësi si shtet jemi vonuar në investime në të gjithë zonën e shërbimit tonë. Në një studim të bërë në vitin 1983 janë paraparë disa akumulacione të ujit, sidomos në zonën e shërbimit të Prishtinës janë paraparë edhe tri akumulacione të reja të cilat nuk janë bërë. Ky ujësjellës i Prishtinës është paraparë të furnizojë 200 deri 250 mijë banorë, e ne me këtë sistem i furnizojmë rreth 500 mijë banorë dhe normal që do të ketë reduktime”, shton Vataj.

Për të tejkaluar gjendjen e rëndë të furnizimit me ujë për gati gjysmën e popullsisë së Kosovës, përfaqësuesit e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, thonë të kenë vendosur të ndërmarrin disa alternativa.

Vataj thotë se aktualisht janë në një fazë emergjente dhe se nuk është krizë, por që mund të vihet në një situatë kritike.

“Fillimisht jemi duke punuar në funksionalizimin e gypit të mbushjes së liqenit të Badovcit nga liqeni i Ujmanit nëpërmjet kanalit të Ibër Lepencit. Njëkohësisht jemi duke i parë edhe për disa burime të reja nëntokësore në fashatin Llukar dhe në zonën e Gërmisë”, bën të ditur Vataj.

Në të ardhmen, sipas Vatajt do të shihet mundësia e hapjes së burimeve edhe në zonën e shërbimit në komunën e Podujevës dhe Fushë Kosovës.

Derisa, për qytetarët e Prishtinës, furnizim të rregullt me ujë vlerësohet se nuk do të ketë deri në vitin 2016, kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG