Ndërlidhjet

Akumulimet e ujit, perspektivë për zgjidhjen e problemit


Liqeni i Batllavës
Liqeni i Batllavës
Dita ndërkombëtare e ujit, e cila po shënohet të shtunën më 22 mars, ka për qëllim sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e ujit dhe për të shtuar përpjekjet maksimale për t’iu siguruar njerëzve sasi të mjaftueshme dhe kualitative të ujit, vlerësojnë ekspertët e ujërave në Kosovë.

Por, cila është gjendja e resurseve të ujërave në vend, si dhe sa shfrytëzohen ujërat burimore?

Ekspertët e ujërave vlerësojnë se Kosova ka mjaftueshëm sasi të ujit për pije, ndonëse resurset e ujit nuk janë në nivelin e dëshirueshëm.

Skënder Bublaku, ekspert i ujërave, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson të papranueshëm faktin që sot, në regjione të ndryshme të Kosovës, mungesa e ujit të pijes është e theksuar.

“Shikuar në kuptimin e resurseve, Kosova nuk është një prej vendeve që konsiderohet shumë e pasur me resurse ujore, por që resurset ujore janë të mjaftueshme, në kuptimin që qytetarët mos ta ndjejnë mungesën e ujit, që tash, praktikisht e kemi prezent. Pra, sasi prej 110 metrash kub ujë në sekondë, rrjedhje mesatare vjetore, është më se e mjaftueshme për nevojat e qytetarëve në kuptimin e furnizimit me ujë. Pra, nuk do të ishte aspak e pranueshme që qytetarët e Kosovës sot të kenë mungesa të ujit të pijes në shumë zona”, thotë Bublaku.

Çaush Bajrushi, njohës i problematikave të ujit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka ujëra burimore të mjaftueshme, por, sipas tij, pjesa dërmuese e ujërave që burojnë në vend, dalin jashtë tij. Ai thotë se burimet e tilla të ujit, duhet akumuluar, në mënyrë që të zgjidhet problemi i ujit të pijes.

“Perspektiva e furnizimit me sasi të mjaftueshme të ujit të pijes në Kosovë, është krijimi i akumulimeve të reja të ujit të pijes. Janë të definuara rreth 10 akumulime, që mund të ndërtohen në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për momentin, situata është mjaft e rëndë edhe për shkak të thatësisë që ka ndodhur ditëve të fundit. Kjo situatë imponon kërkesën që shumë urgjentisht të fillohet me krijimin e akumulimeve të reja dhe ndërtimin e impianteve të reja për pastrimin e ujit të pijes, me kusht që të sigurohen sasi të mjaftueshme të ujit të pijes”, shprehet Bajrushi.

Të dy këta njohës të problematikës së ujit, vlerësojnë se gjendja momentale në Kosovë lidhur me furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm, përgjithësisht është e rëndë, e veçanërisht në regjionet e caktuara.

Ata thonë se duhet kushtuar vëmendje shumë më e madhe menaxhimit të ujit sesa zgjidhjeve alternative, aty për aty, për shkak se ato janë të paqëndrueshme.

Problemi i mungesës së theksuar të ujit të pijshëm, në kohët e fundit është shpërfaqur në Prishtinë dhe rrethinë, gjë që ka çuar në zbatimin e masave të reduktimit të ujit për qytetarët nga ana e Ujësjellësit rajonal të Prishtinës.

Përfundimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, sipas njohësve të problematikës së ujit, është zgjidhje për furnizimin me ujë të kryeqytetit.

Por, Bublaku thekson se janë mjaft regjione në Kosovë, të cilat kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, për shkak se shpërndarja e ujit në mënyrë të natyrshme në Kosovë, nuk është e njëtrajtshme. Sipas tij, regjioni qendror dhe ai lindor i Kosovës, që përfshijnë Podujevën, Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Gjilanin, Kamenicën, Vitinë dhe Ferizajn, janë regjionet me sasinë më të paktë të rrjedhjeve dhe reshjeve.

“Kjo e bën pak problematike, por për atë arsye janë institucionet, me të cilat realisht duhet të menaxhohet me këtë resurs. Do të thotë, ministria të bëjë plane, të hartojë strategji, që në njëfarë forme edhe janë duke u punuar tash, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të ujit në çdo pjesë, pavarësisht resurseve ujore që mund të jenë të ndryshme”, shton Bublaku.

Por, Bajrushi fajëson qeveritë e deritashme të Kosovës, për faktin se, siç thotë ai, nuk i kanë dhënë prioritet projekteve për akumulimin e ujit.

“Fajtor numër një janë qeveritarët. Në bilancet e veta nuk e kanë futur financimin e këtyre akumulimeve. Ato nuk mund të bëhen në kohë të shkurtë. Së pari duhen projektimet, që marrin një kohë, themi 1 vjet. Pastaj, duhet zbatimi i tyre, që zgjat me siguri 3 - 4 vjet, fabrikat e ujit”.

“Kështu që këto nuk janë objekte që mund të ndërtohen shumë shpejt. Mirëpo, projektimi i tyre duhet të fillojë menjëherë, për arsye se nuk janë mjete të mëdha. Në momentin kur ju siguroni mjete të mjaftueshme, atëherë fillon zbatimi, për të mos pritur ndërtimin pa projekte”,
thekson Bajrushi.

Ndryshe, zyrtarët e Kompanisë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, kohë më parë kanë deklaruar se për qytetarët e Prishtinës, furnizim të rregullt me ujë, nuk do të ketë deri në vitin 2016, kur, sipas tyre, pritet të përfundojë ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG