Ndërlidhjet

Punësim simbolik nga investimet ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim
Sektori i patundshmërisë vlerësohet të ketë qenë më atraktivi për investitorët e huaj gjatë këtij viti, por sektori që ka gjeneruar vende të reja të punës është sektori i ndërtimtarisë.

Sipas të dhënave zyrtare, thuhet se investimet e huaja në Kosovë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, kanë arritur vlerën e 143.4 milionë eurove.

Ndërkaq, nga të gjitha këto investime, janë punësuar 834 punëtorë, 221 nga ta janë punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, 155 në sektorin financiar, 140 në tregti, 138 në aktivitete shërbyese dhe të tjetër në sektorë të ndryshëm.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të punëtorëve, e konsiderojnë të vogël numrin qytetarëve që kanë arritur të punësohen nga investimet e jashtme.

Ali Dragusha, anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social e quan simbolik numrin të punësuarve nga investimet e huaja, për pritjet që kanë pasur.

Këshilli Ekonomiko-Social përbëhet nga të gjithë partnerët socialë dhe ekonomikë që kanë për qëllim këshillimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në funksionimin dhe vazhdimin e zhvillimeve të politikave sociale.

“Ne, nga investimet e huaja kemi pritur më shumë dhe jo një numër simbolik, të cilët kanë përfituar nga to. Po, ne kemi pritur nga investimet, pasi Qeveria është dashur gjithsesi të fokusohet më tepër në fushën e marrëdhënieve të punës dhe në fushën e punësimit. Fatkeqësisht, edhe në këtë vit kjo nuk po ndodh”, thekson Dragusha.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, thotë se numri i të punësuarve nga investimet e jashtme është dashur të jetë më i madh.

Por, ai konsideron se pa krijuar ambient miqësor, pa eliminuar korrupsionin, fenomenin e ryshfetit për investitorët potencialë, nuk do të ketë investime e as punësim të qytetarëve kosovarë.

“Aty ku cilësia e institucioneve të vendit nuk është në nivelin e duhur, kontrolli i korrupsionit dhe krimit ekonomik nuk bëhet, nuk ka kulturë të ndëshkueshmërisë. Çdo investitor i huaj që vjen, përballet me një qasje burokratike ndaj investitorëve të huaj, ku para se të krijojmë lehtësi për të investuar brenda, kërkohet ryshfet apo ortakëri në investimet e huaja, atëherë situata edhe më shumë ndërlikohet”, vlerëson Kastrati.

Edhe Ali Dragusha pajtohet se autoritetet kompetente nuk kanë qenë të orientuara në tërheqjen e investimeve të huaja, edhe pse këto investime konsiderohen si potencial për zhvillimin e ekonomik dhe uljen e shkallës së papunësisë.

Ai pohon Kosova ka sektorë të mjaftueshëm dhe të pashfrytëzuar për investitorët potencialë ndërkombëtarë.

“Këtu ka shumë fusha, veçanërisht në fushën e bujqësisë dhe në ngritjen e kapaciteteve. Kemi punëtorë me përvojë shumë të gjatë dhe me disa trajnime jo të kushtueshme, ata kanë mundur t’iu përshtaten profesioneve, në pajtim me kohën dhe nevojat. Dhe, do të kishin pasur mundësi të inkuadrohen në procesin e punës".

“Mirëpo, fatkeqësisht Qeveria nuk është orientuar në këtë drejtim. Kemi një orientim të punës eventuale në fushën e ndërtimtarisë, çka nuk jemi absolutisht të kënaqur, sepse është një investim i përkohshëm apo mund të jenë investime sezonale apo njëvjeçare”,
shpjegon Dragusha.

Ndërkaq, shtetet që kanë investuar më së shumti në Kosovë gjatë kësaj periudhe janë: Turqia më rreth 42.9 milionë euro, Britania e Madhe me 13 milionë euro dhe Shqipëria 9.7 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG