Ndërlidhjet

Korrupsioni që nuk ndëshkohet, largon investitorët


Ilustrim
Ilustrim
Një nga problemet për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve në Kosovë është korrupsioni, i cili në Kosovë ka përmasa të mëdha, thonë njohës të çështjeve ekonomike

Këto deklarata të ekspertëve të ekonomisë vijnë pas publikimeve të raportit vjetor të Agjencisë Kundër-korrupsioni të Kosovës, në të cilin thuhet se në sistemin e drejtësisë, në Qeveri, në pushtetin lokal dhe në institucionet tjera të Kosovës vazhdon të jetë i pranishëm korrupsioni.

Në këtë raport, përveç tjerash është theksuar se gjatë vitit të kaluar, në 160 raste janë gjetur elemente bazë për fillimin e procedurës së hetimeve paraprake të dyshuara për korrupsion. Rastet e dyshuara për korrupsion mendohet të kenë dëmtuar buxhetin e vendit për miliona euro.


Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se ky nivel i korrupsionit në Kosovë po largon investitorët e huaj.

“Në rajon, pra edhe në Kosovë, njëri nga problemet për zhvillim që nënkupton edhe ardhjen e investitorëve të huaj, është niveli i lartë i korrupsionit. Kjo padyshim do të jetë njëra nga sfidat dhe pengesat kryesore dhe nëse nuk vërehet ndonjë këmbëngulësi që qasjet të kanalizohen dhe që të jetë një luftë më e vendosur kundër korrupsionit, e jo ajo të mbetet vetëm në nivelin verbal, domethënë ajo çfarë është duke ndodhur tani”, thotë Rexhepi.

Rënien e investimeve të huaja e vërtetojnë edhe raportet zyrtare të institucioneve të Kosovës.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro; më 2008 - vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro; ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro, në vitin 2010, investimet kanë rënë në 265 milionë euro, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, investimet e huaja në Kosovë kanë qenë 157 milionë euro.

Ndërtesa e Postë-Telekomit të Kosovës
Ndërtesa e Postë-Telekomit të Kosovës
Sipas Ibrahim Rexhepit, largimin e investitorëve e ka dëshmuar më së miri tërheqja e kompanive të huaja që po hyjnë në garë për privatizim e kompanive publike, siç ishte rasti i Postë-Telekomit të Kosovës.

“Njëra prej arsyeve për tërheqjen e investitorëve apo kompanisë për blerjen e PTK-së, ishte çështja e zbardhjes së disa situatave të dyshimta, të cilat ishin në procedura hetimore. Pra, çështje e korrupsionit është njëra nga problemet më madhore dhe problemi është se fatkeqësisht do të jetë i pranishëm edhe për një kohë shumë të gjatë”, thekson Rexhepi.

Pa eliminimin e kësaj dukurie, thotë Rexhepi, asnjë investitor i jashtëm nuk do të interesohet për tregun e Kosovës.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ismajl Kastrati, thotë se
në kohën e krizës, kur paraja është e mangët, në një korrupsion të tillë, çfarë është në Kosovë, e, siç thekson Kastrati, shpesh herë mbetet i pa ndëshkuar, sigurisht që investimet e jashtme nuk orientohen në Kosovë.
Ndër shkaqet e ikjes së investitorëve është edhe niveli i korrupsionit...

“Në përgjithësi, ambienti për biznese të huaja është i dobët në Kosovë. Ndër shkaqet e ikjes së investitorëve është edhe niveli i korrupsionit, e në veçanti te zyrtarët më të lartë në Kosovë. Korrupsioni është ai, i cili ka ndikuar të mos privatizohet me sukses PTK-ja, të prolongohen investimet në termocentralin ‘Kosova e re’ etj”, vlerëson Kastrati.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, investimet e huaja të drejtpërdrejta janë mundësia më e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Hapja e Kosovës ndaj kapitalit të jashtëm, thonë ata, është shumë e domosdoshme. Pa ardhjen e investitorëve të huaj, Kosova nuk mund të ketë stabilitet ekonomik apo mirëqenie sociale.

Ismajl Kastrati jep më shumë hollësi:

Investimet e jashtme direkte janë shumë pozitive, sepse krijojnë mundësinë për rritjen e punësimit dhe rritjen e GDP-së në ekonominë e Kosovës. Po ashtu, krijojnë mundësinë që ta zvogëlojnë dhe importin dhe ta rrisin eksportin”.

Ndryshe, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ditë më parë kishte theksuar se asnjë afarist i arsyeshëm nuk do të dëshironte të investonte në një vend ku ka korrupsion.
XS
SM
MD
LG