Ndërlidhjet

Boshllëku i të dhënave në investimet e huaja


Ilustrim
Ilustrim
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë kishin filluar të bëhen investime ndërkombëtare direkte në fusha të ndryshme. Këto investime ishin vlerësuar si mjete të domosdoshme për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik në vend.

Që nga ajo kohë, institucionet kosovare krijuan mekanizma ligjorë dhe agjenci për promovimin e investimeve, ndërsa u organizuan konferenca të ndryshme ku iu bëhej thirrje kompanive ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë.

Investime të tilla janë bërë që nga paslufta, por mbesin të panjohura detajet për shumën e mjeteve të investuara në Kosovë për periudhën ndërmjet viteve 2000-2003.
Banka Qendrore e Kosovës mohon të ketë dijeni më të hollësishme për këto mjete.

Procesi i përpilimit dhe publikimit të statistikave mbi investimet e huaja direkte në Kosovës nisi në BQK tek në vitin 2006, duke përfshirë periudhën statistikore 2004 dhe 2005.

Përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë (BQK) se që nga viti 2000 deri në tre mujorin e parë të vitit 2012 investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.

Megjithatë, ata nuk ishin në gjendje të ofrojnë hollësi për mjetet e shifrat e investimeve direkte në Kosovë për vitet 2000, 2001, 2002 dhe 2003 e as për fushat në të cilat janë përdorur këto investime.

Drejtori i Departamentit të Statistikave në BQK, Mentor Geci, thotë se të dhënat për vitin 2000- 2003 janë të pozicionuar në tabelën e investimeve ndërkombëtare në vitin 2011.

Ato të dhëna janë publikuar për herë të parë në këtë vit në tabelën për pozicionin e investimeve ndërkombëtare. Kjo tabelë përfshin të dhënat kumulative, pra përfshin periudhën kumulative që nënkupton jo vetëm vitin 2011, mirëpo të gjitha vitet që nga pas lufta deri më tani”, thekson ai.

Por, kjo deklaratë nuk heq paqartësitë për përllogaritjen e shumave që janë investuar drejtpërdrejt në Kosovë për katër vitet e para pasluftës.

Ky boshllëk në tabelat për të dhënat e investimeve të huaja direkte gjatë asaj periudhe vihet në dyshim nga përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka , vlerëson se mungesa e këtyre të dhënave mund të jetë pasojë e mungesës së kompetencave të plota të institucioneve kosovare në atë kohë.

Është fatkeqësi e madhe që nuk kemi të dhëna të detajuara për investimet e huaja direkte që nga paslufta deri në vitin 2004. Unë mund të jep një supozim pse nuk kemi të dhëna të tilla, me siguri për shkak të mos pasjes së kompetencave të plota nga ana e autoriteteve vendore në këtë sektor kaq të rëndësishëm”, thotë Zeka.

Përgjegjësinë kryesore, ndër të tjera, rikonstruktimin e infrastrukturës kryesore në Kosovë e kishte shtylla e katërt e misionit të Kombeve të Bashkuara në vend.

Pjesa dërrmuese e investimeve direkte që bëheshin në periudhën e parë katërvjeçare të pasluftës thuhet se i janë dedikuar pikërisht këtij sektori të menaxhuar nga UNMIK-u.

Ndërtimtaria e patundshmëria, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, janë sektorët të cilëve u është dedikuar pjesa dërrmuese e investimeve të huaja direkte. Sektorët ku vlera e investimeve të huaja direkte vlerësohet të ketë qenë e ulët është sektori i agrikulturës dhe industrisë përpunuese.

Drejtori i Departamentit të Statistikave në BQK, Mentor Geci, sqaron:

Sektori i ndërtimtarisë nënkupton investimet e huaja direkte që vijnë në Kosovë në emër të ndërtimit të objekteve, ndërkaq sa i përket patundshmërisë ka të bëjë për investime që i bëjnë personat fizik jashtë Kosovës dhe që blejnë në Kosovë”, thotë Geci për të shtuar se shumat më të mëdha në kuadër të investimeve të huaja direkte në Kosovë kanë ardhur nga Britania e Madhe, Gjermania, Austria si dhe Turqia.

Por, ekspertët e ekonomisë kritikojnë organet përgjegjëse rreth shpërndarjes së mjeteve të investuara në sektorë të ndryshëm.

Eksperti, Musa Limani thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se me vlerën totale të investimeve të huaja direkte prej 2.4 miliardë eurosh do të mund të ishin përmirësuar shumë segmentë ekonomikë po që se shpërndarja e mjeteve të ishte bërë në mënyrë adekuate.

Nga ajo që e shoh nga ecuritë e përgjithshme me jep të kuptojë se shumë pak janë investuar në prodhimtari, çka unë mendojë se është gabim këto mjete kryesisht është dashur të investohen në prodhim për të përmirësuar strukturën jo të mirë ekonomike”, thekson profesor Limani.

Shuma e investimeve të huaja direkte nëpër vite:

2004 - 42.9 milionë euro

2005 - 107.6 milionë euro

2006 - 294.8 milionë euro

2007 - 440.7 milionë euro

2008 - 366.5 milionë euro

2009 - 291.4 milionë euro

2010 – 365.8 milionë euro

2011 - 394.6 milionë euro

Derisa në tre mujorin e parë të vitit 2012 investimet e huaja direkte kanë qenë 60.4 milionë euro.

Total
2, 364.7 miliardë euro

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG