Ndërlidhjet

Lufta kundër korrupsionit, ende pa rezultate të dukshme


Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në takimin përmbyllës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit
Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në takimin përmbyllës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit
Kosova dhe institucionet e saj ende sfidohen nga dukuria e rëndë e korrupsionit, e cila rrezikon të ardhmen e vendit. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Presidentja, para anëtarëve të këtij këshilli që përbëhet nga përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, tha se lufta kundër korrupsionit është beteja më e rëndësishme që do ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit dhe se, siç u shpreh ajo, do të ndihmojë në funksionimin demokratik të institucioneve.

“Duhet ta luftojmë këtë dukuri më vendosmërisht, duke krijuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja. Është obligim ligjor dhe moral i yni ta bëjmë Kosovën vend të prosperueshëm, të rendit dhe sundimit të ligjit. Vazhdimi i gjithëpërfshirjes është jetik. Korrupsioni si fenomen duhet të luftohet nga të gjithë ne”, deklaroi Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atife Jahjaga, tha po ashtu se ka përmirësime në legjislacion dhe në punën e administratës, por shtoi se duhet ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

“Janë disa ligje specifike, të cilat duhet të amendamentohen në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, duhet të rrisim efikasitetin tonë në implementimin e ligjeve ekzistuese. Vullneti politik ekziston, por është përgjegjësi e të gjithëve që këtë vullnet ta kthejmë në rezultate konkrete”, u shpreh Jahjaga.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke folur për aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit, tha se luftimi i korrupsionit nuk është një detyrë e lehtë, por një sfidë për të gjitha institucionet e Kosovës.

Kuçi theksoi se për të luftuar dukurinë e korrupsionit, janë miratuar, hartuar dhe amendamentuar ligjet kundër korrupsionit.

“Luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet një ndër prioritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës dhe një ndër parakushtet edhe për proceset e integrimit evropian. Ne, edhe më tutje shprehim dedikimin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë të gjitha veprimet për të koordinuar aktivitetet kundër korrupsionit me një politikë zero tolerancë”, tha Kuçi.

Ai shtoi se në bashkëpunim me disa institucione të tjera janë dakorduar që të themelohet një Zyrë Kombëtare për koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve të institucioneve relevante të drejtësisë, lidhur me ndjekjen e kryesve të veprave penale me përfitime ekonomike.

Kurse, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsioni tha se Kosova ka të gjitha mekanizmat e mundshëm për ta luftuar korrupsionin.

“Kosova ka numër të konsiderueshëm të institucioneve, legjislacion në fuqi për të luftuar korrupsionin. Tash është koha që të shohim rezultate. Rezultate do të thotë më shumë raste të hetuara, të ndjekura dhe të gjykuara penalisht nga prokurorë dhe gjyqtarë të aftë dhe të gatshëm. Këtë e them, sepse sfidat mbeten jo vetëm në këtë fushë. Kemi nevojë ta dimë saktë sa ka korrupsion këtu. Ekziston edhe nevoja për një bashkëpunim më të mirë mes agjencive”, tha shefi i EULEX-it, Borchardt.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, deklaroi se Agjencia po vazhdon punës e saj duke realizuar misionin që ka.

Por, ai kritikoi Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, duke thënë se këshilli për aq kohë sa është formuar, ka mundur të jetë më efektiv.

“Ky është takimi i parë gjatë këtij viti në muajin e dhjetë po i trajtojmë rekomandimet e vitit 2012. Vlerësoj se qytetari i vendit ka pritur shumë më shumë nga ne".
"Rikujtoj se me rregullat për këshillin, është paraparë që këshilli të takohet së paku katër herë në vit.

"Rikujtoj se me rregullat për Këshillin është paraparë që këshilli të takohet së paku katër herë në vit. Dhe, sa për koincidencë ne sapo dolëm nga një takim ku koordinimi i mekanizmave anti-korrupsion, si nga mekanizmat vendorë edhe ata ndërkombëtar, nuk u vlerësua pozitivisht”, theksoi Preteni duke kërkuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit që t’i kryejnëe punët dhe përgjegjësitë që kanë.

Preteni në takimin përmbyllës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, njoftoi se numri i kallëzimeve penale të drejtuara në prokuroritë vendore dhe ndërkombëtare, duke krahasuar këtë periudhë kohore me vitin e kaluar, tha se është shumë i madh.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit ishte themeluar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga më 15 shkurt të vitit 2012 me qëllim parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe të aktiviteteve të institucioneve dhe të agjencive në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimeve të tyre për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Ndryshe, në Kosovë ka një numër të konsiderueshëm të këshillave kombëtarë.

Ata këshilla janë themeluar për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës.

Disa prej këtyre këshillave janë; Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Këshilli për Integrim Evropian, Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës dhe të tjerë që asnjë herë nuk kanë mbajtur ndonjë takim.

Sipas disa organizatave joqeveritare në Kosovë, këta Këshilla kombëtarë janë krijuar, por nuk janë duke bërë një punë të mirëfilltë, sidomos ata që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit.

Pavarësisht edhe miratimit të strategjive dhe dokumenteve të ndryshme për luftë kundër korrupsionit, sipas vlerësimeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, niveli i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë.

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka miratuar edhe një Strategji dhe Plan Veprimi Kundër Korrupsionit për vitin 2012-2017, por edhe pas miratimi të kësaj strategjie, gjendja në terren nuk ka ndryshuar.

Prokuroritë dhe gjykatat në Kosovës konsiderojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, janë ndër fajtorët kryesorë për nivelin e lartë të korrupsionit në vend.

OJQ-të konsiderojnë se në sistemin e drejtësisë janë personat kompetentë, të cilët mund të bëjnë hetime dhe gjykime, gjë që sipas shoqërisë civile, dukuria e korrupsionit mund të bjerë.

Sipas Barometrit Global të Korrupsionit nga “Transparency International”, sektori më i korruptuar në Kosovë del të jetë Gjyqësia, e cila pasohet nga partitë politike, shërbimet shëndetësore, Kuvendi i Kosovës, bizneset, sistemi arsimor, zyrtarët e institucioneve publike, policia dhe mediat.

Këto janë gjetjet e fundit në hulumtimin e perceptimit të qytetarëve lidhur me korrupsionin, të cilat janë bërë nga organizata “Transparency International”.

Bazuar në të dhënat që jep TI-ja, rreth 48 për qind e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se gjatë dy viteve të fundit korrupsioni është rritur në masë të madhe, ndërkaq rreth 17 për qind vlerësojnë se korrupsioni është rritur, por në masë të vogël.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG