Ndërlidhjet

Jahjaga: Zgjedhjet komunale nuk nënkuptojnë bashkëqeverisje


Atifete Jahjaga
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

"Zgjedhjet komunale nuk nënkuptojnë bashkëqeverisje dhe as bashkë-organizim të tyre. Kosova i organizon dhe është përgjegjëse për to", thotë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Presidente, ta nisim bisedën me një vlerësim tuajin rreth arritjeve, por edhe ngecjeve, në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, të arritur në Bruksel?

ATIFETE JAHJAGA
Rezultatet e marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës tashmë janë të prekshme. Prej tyre do të veçoj mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorit, zgjedhje këto që do të jenë gjithëpërfshirëse dhe do të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Qytetarët e kanë mundësinë t'i zgjedhin strukturat legale dhe legjitime, komuniteti serb t’i zgjedhë zyrtarët që i përfaqësojnë interesat e tyre. Do të thotë një kthim i normalitetit, i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, dhe shpërbërje të të gjitha strukturave paralele dhe ilegale.

Në çdo forum dhe në çdo komunikim, është bërë e qartë që marrëdhëniet tona janë më të mira se sa para nisjes së dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa në fakt mund të ketë arritje, pa njohje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale nga ana e Serbisë?

ATIFETE JAHJAGA
Kemi shembuj të tillë gjatë historisë që arrihen marrëveshje duke pranuar realitetin dhe duke zgjidhur çështjet praktike.

Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, çon drejt stabilizimit të të gjithë rajonit të Evropës Juglindore dhe marrëdhëniet tona nuk mund të mbajnë peng të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit.

Ne kemi pasur një të kaluar të vështirë dhe ka ardhur koha që duke e pranuar realitetin, i cili është i pakthyeshëm, të ecim në rrugën e përbashkët evropiane, duke e ndihmuar njëri-tjetrin, si dy shtete të barabarta që respektohen reciprokisht. Anëtarësimi në BE nënkupton edhe zgjidhje të të gjitha çështjeve paraprakisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, në Kosovë pritet të mbahen zgjedhjet për pushtetin vendor më 3 nëntor, të cilat shihen si mundësi për integrimin e komunitetit serb që jeton në veri. Sa besoni në një integrim të këtillë?

ATIFETE JAHJAGA
Konsideroj se integrimi është plotësisht i mundur. Ne jemi duket ndërtuar një shtet mbi parimin qytetar, dhe mëtojmë të krijojmë shtet demokratik dhe gjithëpërfshirës, sovran dhe të pavarur, që ka integritetin territorial të garantuar dhe në të cilin shtet, të gjithë qytetarët janë të barabartë në liritë, të drejtat dhe obligimet e tyre.

Komuniteti serb i Kosovës në të gjitha komunat e tjera, tash e disa vite është plotësisht i integruar dhe vendos për te gjitha çështjet. Nuk shoh asnjë arsye që qytetarët serbë të katër komunave në veri të vendit të mos veprojnë njejtë.

Është përcaktim i përgjithshëm dhe për këtë e kemi edhe mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare se nuk ka ndarje të territorit, nuk ka shkëmbim territoresh dhe nuk ka shpërngulje të popullsisë. Të gjithë mund t'i realizojnë të gjitha të drejtat qytetare dhe kombëtare në kuadër të shteteve ekzistuese. Pra nuk ka ndryshim të kufijve.

Ju bëj ftesë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të gjithë pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, në këtë rast edhe qytetarëve të komunitetit serb, që sa më masovikisht të dalin në zgjedhje dhe t'ua japin votën përfaqësuesve më të denjë që e meritojnë me punën dhe angazhimin e dëshmuar se i përfaqësojnë interesat e gjithë qytetarëve, pa dallim, që respektojnë parimin e sundimit te ligjit dhe që janë të përkushtuar të ndërtojnë dhe të përparojnë proceset demokratike.

Ne besojmë në ndërtimin e të ardhmes sonë të përbashkët, për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe prandaj integrimi në jetën shoqërore e institucionale i të gjitha komuniteteve, është në interes të të gjithëve. Zgjedhjet janë mundësia më e mirë për të dëshmuar se e kaluara nuk do ta përcaktojë të ardhmen dhe nuk e pengon të tashmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka Beogradi zyrtar “hise” në strukturat që do të dalin nga këto zgjedhje atje, duke qenë se në garë është një listë e sponzorizuar drejtpërsëdrejti nga kryeministri serb, Ivica Daçiq?

ATIFETE JAHJAGA
Zgjedhjet mbahen për kuvendet komunale dhe për kryetarë të komunave, ndërtohet pushteti i nivelit lokal që punon sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Duke marrë parasysh të kaluarën dhe funksionimin e strukturave të jashtëligjshme, e vlerësojmë angazhimin e Serbisë për t’i dhënë fund mbështetjes për to dhe për t’i shpërbërë ato, edhe në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Shpërbërja e këtyre strukturave i liron qytetarët nga anarkia dhe nga pushteti i grupeve kriminale e gjithashtu edhe nga imponimi i udhëheqjeve qeverisëse kundër vullnetit te tyre.

Një gjë duhet të jetë e qartë: Zgjedhjet komunale nuk nënkuptojnë bashkëqeverisje dhe as bashkë-organizim të tyre. Kosova i organizon, i mban dhe është përgjegjëse për zgjedhjet komunale dhe zgjedhjet e tjera në territorin e saj.

Ligjet e Kosovës duhet të respektohen dhe ne do të jemi përkrah qytetarëve tanë të komunitetit serb, posaçërisht në pjesën veriore të territorit të Kosovës, për t’iu ndihmuar në procesin e integrimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, ju keni mbajtur një takim në shkurt të këtij viti me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolliq. Këto ditë është aktualizuar një thirrje juaja publike drejtuar zotit Nikolliq dhe homologut tuaj nga Bosnja e Hercegovina, për të marrë pjesë në samitin e presidentëve të rajonit vitin që vjen. Keni marrë ende përgjigje?

ATIFETE JAHJAGA
Ftesa për të zgjeruar formatin e samitit të presidentëve të rajonit, është shprehje e vullnetit dhe qasjes së politikës së jashtme të Republikës së Kosovës për të ndërtuar politika të fqinjësisë së mirë, dhe për të luajtur rolin që jemi përcaktuar ta luajmë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Si nikoqire e samitit të ardhshëm të presidentëve, jam e mendimit që është në interes të të gjitha palëve të kontribuojmë në krijimin e klimës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Në planin e brendshëm, Kosova gjendet në një "krizë institucionale", nisur nga bllokimi i punimeve në Kuvendin e Kosovës. Si faktor uniteti, a mund të ndërhyni për të zhbllokuar krizën?

ATIFETE JAHJAGA
Nuk kam një kërkesë të tille nga asnjë subjekt politik, duket se nuk është shprehur ndonjë interesim për këtë sepse koalicioni qeversisës, por as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e vlerëson se Kosova po përballet me krizë institucionale.

E dini qe dallimet janë shprehur në procedurë dhe përmbajtje se a duhet që Kuvendi të deklarohet për rastet e privatizimeve të ndërmarrjeve publike.

Gjithsesi, se subjektet politike për këtë do ta gjejnë një zgjidhje, ndërsa në çështjet tjera sistemore, gjatë votimit nuk vërehet krizë institucionale e veprimit qeverisës.

Do të vazhdoj të jem garant i funksionimit demokratik të institucioneve, duke respektuar parimin e pavarësisë së secilit prej tyre, por gjithsesi se do të jem faktor i unitetit në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG