Ndërlidhjet

Beogradi shpërndan kuvendet e komunave serbe në veri


Veri...
Veri...
Qeveria e Serbisë ka shpërndarë kuvendet paralele të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në një njoftim të ekzekutivit serb thuhet se në këto komuna janë emëruar kryetarë dhe anëtarë të organeve të përkohshme.

Qeveria e Serbisë, po ashtu ka formuar një ekip menaxhues për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Nënkryetari i bashkësisë së komunave dhe i vendbanimeve serbe, Marko Jakshiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se shpërndarja e katër komunave serbe në veri të Kosovës, paraqet një akt të vërtetë dhune mbi serbët e Kosovës.

“Ajo që më së paku mund të pres është që serbët e veriut të Kosovës të paraqesin kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, që ajo të japë mendimin e saj për një vendim joligjor dhe antikushtetues. Thirrja për të dalë serbët në zgjedhjet që i ka shpallur Atifete Jahjaga, pra në zgjedhje separatiste, është diçka që nuk i kontribuon procedurës demokratike dhe atmosferës në veri të Kosovës. Mund të them se kjo është goditje për demokracinë. Për mua, zgjedhjet lokale në katër komunat nuk janë të ligjshme”, ka deklaruar Jakshiq.

Nga ana tjetër, Oliver Ivanoviq, kandidati për kryetar të komunës veriore të Mitrovicës theksoi për Radion Evropa e Lirë se një vendimi i tillë ka qenë i pritur, pasi që udhëheqësit e deritanishëm dhe këshilltarët komunalë kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të planifikuara të mbahen në fillim të nëntorit.

“Është një vendim i pritur. Në takimin e fundit që përfaqësuesit e komunave kanë pasur me presidentin e Republikës (së Serbisë) dhe kryeministrin, ka qenë e qartë se ata nuk do të ndryshojnë qëndrimin. Vendimin për shpërndarje e ka marrë qeveria, në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale. Pra, ekzistojnë edhe arsye formale. Por, prapavija është politike, sepse Qeveria e Serbisë nuk mund të zbatojë vendimet e saj nëse ka rezistencë aktive nga përfaqësuesit e komunave”, u shpreh Ivanoviq.

Serbët e veriut, megjithatë janë shprehur kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të Kosovës, të parapara për 3 nëntor.

Kurse, për shpërndarjen e kuvendeve paralele të katër komunave ne veri, ata kanë mendime të ndryshme.

“Nuk e kuptoj politikën, por konsideroj se vendimi i qeverisë nuk është i mirë. Dhe nuk besoj se serbët do të dalin në zgjedhje”, tha Zorica Jovanoviq.

Kurse, Petar Stojanoviq thotë se është i orientuar në atë se çka thotë qeveria e Serbisë, pasi që, siç thotë ai, beson në të.

“Të jem i sinqertë unë jam i orientuar nga Qeveria e Serbisë, çka sjell edhe bëhet. Më shumë nuk më intereson. Ne nuk mundemi të gjithë të jemi në qeveri. Një ekziston edhe ne e dëgjojmë atë”, tha Stojanoviq.

Kurse, Jovan Novakoviq u shpreh:

“Lum si ne për qeverinë tonë dhe që e kemi. Nuk i dallon cila është më e keqe se tjetra. Unë jam refugjat dhe tërë pronësinë e kam humbur. Ku është qeveria? As njëra asgjë s’ka bërë për mua. Jam i zhgënjyer prej të gjithëve”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG