Ndërlidhjet

Veriu në dilemë mes zgjedhjeve dhe paralelizmave


Mbishkrime me thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri të Mitrovicës
Mbishkrime me thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri të Mitrovicës
Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit kanë vënë në lëvizje edhe subjektet politike serbe në komunat veriore.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, janë paraqitur gjithsejt 105 subjekte politike, përfshirë 33 parti politike, dy koalicione, 53 inciativa qytetare dhe 15 kandidatë të pavarur.

Prej subjekteve serbe, është paraqitur lista e përbashkët “Serbia”, në të cilën janë të përfshirë kandidatët për kryetarë të komunave në pjesën jugore dhe veriore të Kosovës, pastaj lista “Serbia, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq”, Iniciativa Demokratike dhe iniciativat qytetare nga Leposaviqi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Miradije Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës së KQZ-së për regjistrimin e partive.

Elektorati i këtyre komunave në veri të vendit për herë të parë do të ketë mundësinë që të zgjedh në mesin e disa kandidatëve si për kryetar të komunave ashtu edhe për këshilltarët komunal.

Iniciativa qytetare “Serbia” e mbështetur nga Beogradi, paraqet një listë unike të spektrit të atjeshëm serb, përderisa do të ketë edhe nisma e kandidatë të tjerë.

Në mesin e tyre është edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, e më pas zyrtari i qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, i cili pritet të garojë për kryetar të Mitrovicës veriore. Ai thotë se do të ndërtonte një vizion të ri për qytetin.

“Motivi kryesor që më ka shtyrë të kandidoj është se jam i përcaktuar të jetoj në Mitrovicë. Por kjo Mitrovicë nuk i ngjan asaj të viteve të ‘90-ta. Mitrovica e sotme është e papastër, e ngulfatur me automjete, pa parqe dhe ujë të pijshëm e shumë çështje tjera që duhet rregulluar”, ka thënë Ivanoviq, për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, zgjedhjet e sivjetme, të parat që po organizohen në veri në bazë të ligjeve të Kosovës nuk po kalojnë edhe pa kundërshtime të liderëve dhe subjekteve të strukturave të njohura si paralele dhe ilegale.

Kryetari i Këshillit nacional serb për Mitrovicën, Nebojsha Joviq, mendon se mbi 99 për qind e serbëve nga komunat veriore janë të përcaktuar që të marrin pjesë vetëm në zgjedhjet që shpallen nga Republika e Serbisë dhe jo në ato që shpallen nga autoritetet e Kosovës.

“Këto janë zgjedhje shqiptare. Janë irituese rrëfimet e Beogradit kur thotë se këto janë zgjedhje neutrale në raport me statusin. Zgjedhje neutrale do të ishin ato që do të shpalleshin nga UNMIK-u apo OSBE-ja, por jo edhe zgjedhjet që janë shpallur nga e ashtuquajtura presidente e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga”, ka thënë Veliq.

Në lidhje me kritikat që një pjese e spektrit politik serb nga veriu ia drejton spektrit që ka vendosur të dalë në zgjedhje, Oliver Ivanoviq thotë se këto janë zgjedhje lokale dhe se pjesëmarrja në to nuk nënkupton që serbët po e pranojnë Republikën e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës pranohet me aktin e pranimit dhe nëse kjo çështje nuk është temë diskutimi të takimet ndërmjet Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit atëherë edhe më pak kjo pavarësi pranohet me pjesëmarrje në zgjedhjet lokale kur dihet se këtu kemi të bëjmë me çështje komunale”, ka thënë Ivanoviq.

Votojmë, s'votojmë...


Edhe qytetarët serbë në veri, ndajnë mendime të ndryshme rreth pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet lokale.

Srgjan Jovanoviq thotë se nuk e ka ndërmend të merr pjesë.

“Jo nuk marrë pjesë për arsye se nuk e respektoj këtë shtetin e tyre të Kosovës. Kushdo që merr pjesë do ta pranoj atë shtet”, thotë ky qytetar.

Njësoj mendon edhe Millosh Llaketiq.

“Unë nuk do të dal në zgjedhje, nuk do të votoj”...

Mirëpo, ka edhe qytetarë nga kjo pjesë që do të votojnë.

“Me siguri që do të dalim sepse këtu jetojmë. Nuk po e pranojnë serbët e Kosovës pavarësinë e Kosovës. Pranimi i këtij shteti ka nisur nga shteti ynë Serbia, me bisedimet e Brukselit".

"Dhe, kur presidenti i Serbisë thotë se nuk e pranojnë shtetin e Kosovës kjo është më shumë një shpëlarje e trurit, sepse gjërat sikur kanë nisur të ecin në atë drejtim me bisedimet e Brukselit”,
ka thënë kjo banore e Mitrovicës me emrin Sllobodanka Markoviq.

Sidoqoftë, me mbështetjen e Beogradit dhe në harmoni me Marrëveshjen e 19 prillit të arritur në dialogun Kosovë – Serbi, serbët kanë dorëzuar te KQZ-ja kërkesën për të regjistruar nismën e tyre me emrin “Serbia” për certifikim dhe pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, ndonëse ajo nuk do të jetë subjekti i vetëm që do të garoj në emër të serbëve të komunave veriore.

Ndërkaq në komunat tjera, poshtë lumit Ibër, ka edhe një prezencë të fuqishme të subjekteve politike serbe, të cilat do të garojnë dhe të cilat tashmë punojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe marrin pjesë aktive në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG