Ndërlidhjet

Pajtueshmëri parimore për zbatimin e marrëveshjes


Pamje nga takimi në Bruksel...
Pamje nga takimi në Bruksel...
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri parimore për zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit.

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq kanë përmbyllur të mërkurën në Bruksel bisedimet e nisura një ditë më parë, me qëllim të arritjes së dakordimit për planin e zbatimit.

Nga zyra e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është edhe ndërmjetësuese e procesit, është thënë se Thaçi dhe Daçiq "kanë rënë dakord për një tekst të caktuar, për të cilin do të diskutojnë".

"Ata do të jenë në kontakt me mua deri në fund të javës", ka thënë baronesha Ashton.

Kryeministri Thaçi ka thënë se bëhet fjalë për pajtueshmëri parimore dhe se fjalën kryesore do ta kenë qeveritë e të dyja vendeve.

"Kemi arritur pajtueshmëri parimore sa i përket planit të implementimit. Ka mbetur që kjo pajtueshmëri të verifikohet në kuadër të Qeverive të Kosovës dhe të Serbisë. Në pajtueshmërinë parimore janë të përcaktuara periudhat kohore dhe aktorët implementues në gjashtëmujorin e ardhshëm”, ka thënë Thaçi.

Ngjashëm është shprehur edhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se është arritur deri te një tekst, i cili përfshin planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, por për të cilin do të deklarohen qeveritë e Serbisë dhe të Kosovës.

"Plani përmban veprime dhe afate kohore, të cilat duhet të realizohen në muajt e ardhshëm", ka thënë Daçiq.

Marrëveshja e 19 prillit është e para ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila parasheh raporte normale mes dy shteteve, por zbatimi i saj ka ngecur.

Në anën tjetër, palët janë të vetëdijshme se zbatimi është i pashmangshëm nëse duan të shënojnë përparime në procesin e integrimit evropian.

Presioni për implementim është shtuar dukshëm në ditët e fundit. Për këtë qëllim ka qëndruar në Beograd dhe Prishtinë edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Ai ka porositur përfaqësuesit e të dyja vendeve se integrimeve të tyre duhet t'iu paraprijë zbatimi i marrëveshjes.

Këshilli i Ministrave i BE-së do të vendosë për avancimin e dy shteteve gjatë muajit qershor.

Serbia lufton për datën e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG