Ndërlidhjet

Sulmet në Boston: FBI në kërkim të të dyshuarve


Përgjegjësinë për sulmet në Maratonën e Bostonit nuk e ka marrë ende askush, bën të ditur Byroja Federale e Inteligjencës (FBI).

Hetuesit e saj po ashtu thonë se shpërthimet mund të jenë shkaktuar nga pajisjet që i ngjajnë “tenxheres me presion” dhe që janë bartur me çanta shpine.

Sulmet e dyfishta më 15 prill, pranë vijës së finishit në maratonë, kanë vrarë së paku tre njerëz dhe kanë plagosur mbi 170 të tjerë.

Të vrarët përfshijnë një djalë tetë vjeç, një grua 29 vjeçe – të dy amerikanë – si dhe një shtetase kineze, e diplomuar në Universitetin e Bostonit.

Agjenti special i FBI-së, Rick DesLauriers, ka thënë se hetuesit kanë zbuluar disa lëndë në të dyja lokacionet e shpërthimeve.

Në mesin e sendeve të gjetura janë copëza të najlonit të zi… Është përcaktuar se të dy eksplozivët kanë qenë të vendosur në najlon me ngjyrë të zezë ose në çanta shpine. Çanta duket të ketë qenë e rëndë për shkak të komponentëve të fshehur në të”, ka thënë DesLauriers.

Një degë e Al Kaidës në Jemen ka publikuar një artikull online më 2010, i cili përshkruante teknikat për prodhimin e bombave, të ngjashme me tenxheret me presion. Bomba të tilla janë përdorur në Pakistan, Afganistan, Indi dhe Nepal.

Udhëzimet për krijimin e tyre mund të gjenden tani në internet dhe ato mund të bëhen relativisht lehtë dhe me çmim të ulët nga kushdo, përfshirë edhe një terrorist të brendshëm.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se shpërthimet në Boston janë duke u hetuar si “akt terrorist”, ndonëse “autoritetet nuk e dinë ende se kush është përgjegjës”.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Obama do të vizitojë Bostonin të enjten, për të marrë pjesë në një shërbim fetar, dedikuar viktimave të krimit.

Sekretarja për Siguri Kombëtare, Janet Napolitano, ka thënë se nuk ka asnjë tregues se shpërthimet kanë qenë pjesë e një komploti më të gjerë.

Shpërthimet në Boston shënojnë sulmin më vdekjeprurës kundër civilëve në SHBA, që nga sulmet e Al Kaidës më 11 shtator të vitit 2001.

Agjenti i FBI-së, DesLauriers, ka thënë se kërkimet për të dyshuarit dhe motivet mbeten “gjerësisht të hapura”.

Dikush e di se kush e ka bërë këtë. Bashkëpunimi i komunitetit do të lunate rol të rëndësishëm në hetime. Kërkojmë nga publiku që të mbetet vigjilent dhe të na njoftojë për çdo individ që ka shprehur dëshirën për të sulmuar maratonën”, ka thënë DesLauriers.

Arabaia Saudite, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik u janë bashkuar dënimeve globale të sulmeve.

Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, në mesazhin e tij ngushëllues për popullin amerikan, ka thënë se autorët e shpërthimeve “janë kriminelë, që përfaqësojnë vetëm veten e tyre dhe nuk kanë as fe, as besim”. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG