Ndërlidhjet

FMN: Ngadalësim i rritjes ekonomike


FMN
FMN
Rritja ekonomike për Kosovën gjatë vitit 2013, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk do të jetë më shumë se 3 për qind. Kjo rritje ekonomike më e ulët se tre vjetët e kaluar, sipas zyrtarëve të FMN-së, është si pasojë e krizës ekonomike në Evropë.

Misioni i FMN-së ka qëndruar në Kosovë që nga data 5 mars, vizitë kjo që ka pasur për qëllim kompletimin e tretë të marrëveshjes Stand By Arrangment (SBA).

Marrëveshja e 20muajshe, Stand- By, e cila ka filluar para një viti, ka për qëllim mbështetjen e një programi për të lehtësuar presionet fiskale të vendit.

Përmes programit Stand By, Kosova do të përfitojë 107 milionë euro, kurse deri më tani në buxhet janë disbursuar 93.6 milionë euro.

Udhëheqësi i FMN-së për Kosovën, Johannes Wiegand, gjatë një konference për media, ka theksuar se pavarësisht rritjes së ultë ekonomikë që mund të ketë Kosova në vitin 2013, është rritja më e lartë ekonomike krahasuar me vendet tjera të rajonit.

“Parashikimet tona për rritje ekonomike për vitin 2013, janë rreth 3 për qind. Kjo rritje nuk është sikur vitet e kaluara, por kjo ndodh për shkak të krizës ekonomike në Evropë, sigurisht se Kosova nuk është krejtësisht e izoluar. Kosova ka shumë njerëz që jetojnë jashtë vendit, sidomos në Evropën Qendrore, ku ekonomia e këtyre vendeve është ngadalësuar”, është shprehur Wiegand.

I pyetur për procesin e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, Wiegand ka bërë të ditur se nëse ky privatizim nuk ndodh, është e vështirë të ndërtohet autostrada Prishtinë - Hani i Elezit.

Sipas tij, shpenzime në atë rrugë janë të lidhura me një nivel të bilancit bankar, bilanc ky që, sipas tij, arrihet vetëm nëse privatizohet PTK-ja.

“Ka plane kontingjente në buxhet që parashohin reduktime në disa shpenzime në rast se nuk shitet PTK-ja. Në mënyrë specifike, alokimet për rrugën 6 (Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit), janë të lidhura me një nivel të bilancit bankar dhe ky bilanc bankar mund të arrihet vetëm nëse privatizohet PTK-ja. Mendoj se Qeveria ka marrë masat e kujdesit në rast se nuk shitet PTK-ja, në mënyrë që buxheti të jetë në rrugën e duhur”, ka thënë Wiegand.

Ndërkaq, sa i përket numrit të veteranëve të luftës, i cili po del më shumë sesa që është planifikuar dhe , për përfitimet e tyre që i kanë nga buxheti, Wiegand ka thënë se pas verifikimit, do të mund të përcaktojnë beneficitet për ta dhe të vlerësojnë pastaj ndikimin fiskal.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, ka theksuar se kanë përmbushur të gjitha kriteret e parapara që dalin nga marrëveshja Stand By.

“Si rrjedhojë e politikave dhe reformave të suksesshme që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë gjatë vitit të kaluar, është bërë i mundur disbursimi i pjesës më të madhe të kredisë nga FMN-ja që në vitin e kaluar kanë qenë rreth 94 milionë euro”, ka theksuar Avdiu, duke shtuar se është krijuar një ekuilibër i mirë mes të hyrave dhe shpenzimeve dhe se ka qëndrueshmëri makroekonomike dhe makrofiskale.

Ndërsa, guvernatori në largim i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ka theksuar se me të gjitha këto reforma që janë duke u bërë, po forcohet sektori financiar i Kosovës.

“Sa i përket sektorit financiar, jemi të fokusuar që në periudhën e ardhshme të rrisim edhe më tepër sigurinë në këtë sektor, përkatësisht në atë bankar të Kosovës”, ka bërë të ditur Gërguri.

Sidoqoftë, rritja ekonomike prej 3 për qind nga ekspertë të çështjeve ekonomike, vazhdimisht ishte vlerësuar si e ulët dhe e pamjaftueshme për të adresuar dy nga problemet më të mëdha të Kosovës, siç është papunësia dhe varfëria.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG