Ndërlidhjet

Miliona euro të shpenzuara për shitjen e PTK-së


PTK
PTK
Që nga fillimi i procesit të Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, i cili kishte filluar në vitin 2009, e deri më tani Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Deri në vitin 2011 janë shpenzuar 4 milionë e 402 mijë euro, ndërsa që nga vitit 2012 e këndej janë shpenzuar 3 milionë e 521 mijë euro, që do të thotë se janë shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarët e transaksionit dhe këshilltarët strategjikë nga ana e Qeverisë së Kosovës”, bën të ditur Gëzim Baxhaku, këshilltar në këtë ministri.

Privatizimi i PTK-së ka kaluar në disa procese. Fillimisht në vitin 2010 në Kuvendin e Kosovës ishin ngritur reagime për dhe kundër privatizimit. Me rastin e miratimit të Strategjisë për privatizimin e ndërmarrjes, partitë në pushtet votuan për shitje, ndërsa opozita votoi kundër.

Më pas ishte hapur një proces për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, por procesi qe mbyllur në tetor të vitit 2011, pasi që nga konkurrenca u tërhoq Telekomi kroat, me arsyetimin se menaxherët e Postë-Telekomit të Kosovës janë të dyshuar për korrupsion.

Kjo kompani nuk arriti të privatizohet as në vitin 2012, ndërsa ditë më parë është bërë edhe një shtyrje e këtij privatizimi, për shkak të kërkesës së investitorëve për kompletimin e dokumenteve të tyre.

Të gjitha këto shtyrje, të cilat i kushtuan buxhetin të Kosovës, kritikohen nga shoqëria civile dhe profesorë të ekonomisë. Të gjitha këto mjete financiare të ndara për këtë proces, thonë ata, nuk ndihmuan në një proces të mirëfilltë të privatizimit të PTK-së.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka pasur transparencë të mjeteve që janë shpenzuar për proceset e privatizimit të aseteve publike.

Pikërisht për mungesë të transparencës, tregon Demi, GAP është në një kontest gjyqësor me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Kompani të ndryshme ndërkombëtare kanë përfituar nga procesi për shkak se Qeveria e Kosovës në kontratat me ta nuk është kontraktuar në pagesat në bazë të suksesit, por është kontraktuar pa marrë parasysh rezultatin final që del nga procesi i privatizimit. Së paku për PTK-në kanë qenë tri kompani konsulente, e që të tria po rezultojnë të dështuara”, shprehet Demi.

Kritika për mjetet e shpenzuara për këtë proces, bën edhe profesori i Kolegjit "Riinvest", Muhamet Sadiku. Ai thotë se një proces i stërzgjatur çfarë është privatizimi i PTK-së, ka arritur të shpenzojë mjete të shumta financiare.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
“Ky proces i deritashëm ishte i stërzgjatur; proces që nuk kishte mbështetje në analizat e duhura; proces, i cili ishte përcjellë me shpenzime në angazhimin e këshilltarëve të transaksionit. Dhe mendoj që ishte një proces, i cili nuk kishte pronësi kosovare, sepse këshilltarët e transaksionit zakonisht i bëjnë propozimet se si duhet shitet një ndërmarrje publike".

"Prandaj, Kosova në tërësi, fatin e privatizimit të aseteve publike iu ka lënë këshilltarëve të jashtëm - që do të thotë se Kosova ka shumë pak pronësi të veten në këtë proces dhe kjo është shqetësuese”, vlerëson Sadiku .

Sidoqoftë, këshilltari në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Gëzim Baxhaku, thotë se në javën e ardhshme do t’i marrin ofertat, të cilat pastaj do të vlerësohen nga komisioni teknik sa a janë plotësuar të gjitha kriteret

“Planifikojmë që 10 deri në 15 ditë të bëhet hapja e ofertave financiare. Në atë moment oferta më e mirë i dërgohet Qeverisë së Kosovë për aprovim ose jo. Është në juridiksion të Qeverisë së Kosovës se a do të pranojë ofertën më të mirë financiare dhe a do të japë leje që procesi i privatizimit të vazhdojë më tutje në përgatitjen e kontratave dhe me procedurat tjera pas nënshkrimit të kontratave në një afat prej 6 muajve”, thekson Baxhaku.

PTK-ja është një prej kompanive më profitabile publike në Kosovë, e cila për çdo vit i ka sjell buxhetit të Kosovës të hyra prej 40 milionë eurosh. Vetëm në vitin 2009, Qeveria e Kosovës me një vendim i ka marrë rreth 180 milionë euro të hyra të grumbulluara për disa vjet në Postë-Telekomin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG