Ndërlidhjet

Britania u dërgon rebelëve sirianë automjete të blinduara


Aleppo, Siri...
Aleppo, Siri...
Sekretari i Jashtëm i Britanisë, William Hague, ka thënë se vendi i tij do t’iu sigurojë automjete të blinduara rebelëve sirianë, të cilët luftojnë forcat e presidentit Bashar al-Assad.

Hague i ka thënë Parlamentit se ndihma “jovdekjeprurëse” ushtarake, në vlerë prej 20 milionë dollarësh, është “përgjigje e nevojshme, proporcionale dhe e ligjshme” për një situatë të vuajtjeve “ekstreme” njerëzore.

Britania i ka siguruar tashmë forcat opozitare të Sirisë me gjeneratorë të energjisë dhe pajisje komunikimi, në vlerë prej 14 milionë dollarësh.

Por, Hague ka thënë se Qeveria britanike është detyruar të lëvizë drejt “përpjekjeve më aktive”, për të mbështetur forcat e opozitës.

“Diplomacia është duke marrë shumë kohë dhe perspektiva e një zgjidhjeje të menjëhershme në Siri është e dobët. Secili muaj i dhunës në Siri nënkupton më shumë vdekje, shkatërrim më të gjerë, numër më të madh të refugjatëve dhe konfrontim të përgjakshëm ushtarak".

William Hague
William Hague
"Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrijë karshi këtij realiteti. Politika jonë duhet të lëvizë drejt përpjekjeve më aktive, për të parandaluar humbjen e jetëve në Siri. Dhe, kjo do të thotë rritje e mbështetjes sonë për opozitën”, ka thënë Hague.

Njoftimi i tij vjen pak ditë pasi Bashkimi Evropian ka autorizuar furnizimin me pajisje jovdekjeprurëse ushtarake dhe trajnimin e opozitës siriane.

Hague ka thënë se duhet të konsiderohen edhe llojet e tjera të mbështetjes, nëse diplomacia nuk arrin të ndalë gjakderdhjen.

“Sipas mendimit tonë, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike e krizës në Siri dhe konflikti vazhdon, ne dhe pjesa tjetër e Bashkimit Evropian duhet të jemi të gatshëm për të lëvizur përpara dhe nuk duhet të përjashtojmë asnjë opsion për shpëtimin e jetëve”, ka thënë Hague.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë muajin e kaluar se Uashingtoni do të ndajë 60 milionë dollarë për opozitën politike të Sirisë, ashtu si edhe ushqim dhe ndihma mjekësore.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, konflikti dyvjeçar ka lënë se paku 70,000 njerëz të vrarë.

Të mërkurën, Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 1 milion sirianë kanë lënë shtëpitë e tyre, për t’u larguar nga luftimet.

Në një deklaratë, Komisionari për Refugjatë i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se gjysma e refugjatëve sirianë janë fëmijë.

Me miliona të zhvendosur brenda Sirisë, Guterres ka thënë se vendi “është duke rrëshqitur drejt një katastrofe të plotë”.

Numri më i madh i refugjatëve sirianë është vendosur në Liban, Jordani, Turqi, Irak dhe Egjipt.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG