Ndërlidhjet

Obama paralajmëron pasoja për Assadin nëse përdor armë kimike


Barack Obama
Barack Obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka paralajmëruar presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, se “do të ketë pasoja” nëse regjimi i tij përdor armë kimike kundër luftëtarëve rebelë ose mbështetësve të opozitës.

Sot, dua t’ia bëj të qartë Assadit dhe atyre që komandon ai: Bota po vëzhgon. Përdorimi i armëve kimike është dhe do të jetë i papranueshëm. Nëse ju bëni gabim tragjik dhe i përdorni ato, do të ketë pasoja për të cilat ju do të mbaheni përgjegjës”, ka thënë Obama.

Presidenti nuk ka sqaruar pasojat. Komentet e tij vijnë pasi agjentët e inteligjencës kanë zbuluar se regjimi sirian ka zhvendosur komponentët e armëve kimike në ditët e fundit.

Shtëpia e Bardhë më herët ka thënë se përdorimi i armëve kimike do të shënonte një “vijë të kuqe” për Uashingtonin.

Në përgjigje të shqetësimeve, Ministria e Jashtme e Sirisë ka thënë se qeveria, në asnjë rrethanë, nuk do të përdorte armatimin kimik kundër sirianëve.

Regjimi nuk e ka konfirmuar e as mohuar zotërimin e armëve të tilla. Raportet thonë se arsenali i Sirisë përfshin gaz mustardë dhe sarin – mjete këto të forta toksike.

Në një tjetër zhvillim, NATO-ja pritet të miratojë sot zyrtarisht kërkesën e Turqisë për të vendosur raketa “Patriot” në kufirin e saj me Sirinë.

Masa pritet të miratohet në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s, i cili mbahet në Bruksel.

Vladimir Putin me Tayyip Erdogan
Vladimir Putin me Tayyip Erdogan
Raportet thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Holanda do të furnizojnë Turqinë me raketa “Patriot”, për t’u mbrojtur nga sulmet eventuale të Sirisë, me raketa apo aeroplanë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar Turqinë se vendosja e raketave të tilla përgjatë kufirit me Sirinë, vetëm se mund të përkeqësojë armiqësitë.

Putin i ka bërë këto komente në Stamboll, pas takimit me kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia, e cila strehon mijëra refugjatë sirianë, ka bërë thirrje të vazhdueshme për përmbysjen e regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Rusia, një aleate tradicionale e Sirisë, ka kundërshtuar ndërhyrjen nga jashtë në këtë konflikt.

Ajo është njëra nga furnizueset kryesore me armë të regjmit sirian. Moska ka bllokuar tri rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë synuar rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë në Damask.

Rusia po ashtu kundërshton përpjekjet turke, perëndimore dhe arabe për të siguruar mbështetje për rebelët.

Në mesin e situatës së përkeqësuar të sigurisë në Siri, Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të pezullojnë operacionet e ndihmës në këtë vend dhe se do të tërheqin stafin jo të domosdoshëm ndërkombëtar.

OKB-ja në Siri ka një personel prej 100 punonjësish ndërkombëtarë dhe rreth 900 të tjerë lokalë.

Zyrtarët e këtij mekanizmi thonë se situata e sigurisë është bërë më e rrezikshme në ditët e fundit në Damask.

Luftimet e intensifikuara midis rebelëve dhe forcave qeveritare përreth kryeqytetit kanë kërcënuar aeroportin ndërkombëtar dhe kanë bërë që disa kompani, përfshirë EgyptAir dhe Emirates, të pezullojnë fluturimet drejt Damaskut.

Forcat qeveritare kanë bombarduar bastionet e rebelëve në periferi të kryeqytetit, për të parandaluar avancimin e tyre.

Disa raporte thonë se njëri nga zëdhënësit e Minsitrisë së Jashtme siriane ka ikur nga vendi.

Konfirmime zyrtare nuk ka pasur dhe mbetet e paqartë nëse Jihad al-Makdissi është larguar nga posti i tij apo ka dezertuar.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG