Ndërlidhjet

Jahjaga: Takim për normalizimin e plotë të marrëdhënieve


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
“Është takim simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë”, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. Zonja Jahjaga gjendet në Bruksel për të zhvilluar takim me homologun e saj serb, Tomisllav Nikolliq, të mërkurën, më 6 shkurt.




RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, takimi me homologun tuaj serb, Tomisllav Nikolliq, është më shumë simbolik apo mund të sjellë përfundime konkrete?

ATIFETE JAHJAGA
Është simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe presidenti i Republikës së Serbisë, gjë që konsiderohet sukses për normalizimin dhe avancimin e marrëdhënieve, si dy shtete sovrane dhe të pavarura.

Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë temash do të diskutoni në këtë takim, cilat janë çështjet që do të ngriten?

ATIFETE JAHJAGA
Do të bisedohet parimisht, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu deri tani ka sjellë disa marrëveshje. Cila është rëndësia e një takimi në nivel presidentësh, nëse jo një përmbyllje e gjithë procesit?

ATIFETE JAHJAGA
Takimi ka për synim, që në pajtim të plotë dhe duke respektuar normat dhe standardet evropiane, e gjithashtu edhe konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet.

Duke marrë parasysh të kaluarën tonë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e pritshme që marrëdhëniet të normalizohen plotësisht. Takimi i presidentëve është në funksion të këtij qëllimi, ndërsa nga parlamenti, qeveria është e autorizuar të udhëheqë procesin e dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka ndikuar ngritja e nivelit të dialogut, prej bisedimeve nga fusha teknike në bisedimet ndërmjet kryeministrave e deri tek ju Presidentët, në zgjidhjen e problemeve dhe në uljen e tensioneve?

ATIFETE JAHJAGA
Është një proces i pandashëm dhe i pashkëputshëm, sepse secili kryen rolin e vet kushtetues.

Ne po sillemi si subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe me Serbinë do t’i ndërtojmë marrëdhëniet dhe do të nënshkruajmë marrëveshje bilaterale, ashtu siç kemi bërë dhe siç po bëjmë me të gjitha shtetet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Një marrëveshje përfundimtare mes palëve, sa mund t’i japë fund problemeve mes dy vendeve dhe a jeni ju – dy presidentët - nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje?

ATIFETE JAHJAGA
Marrëveshja gjithëpërfshirëse mund t’i hap rrugë nënshkrimit marrëveshjeve tjera bilaterale. Kjo është një normë e rregullt sjelljeje ndërshtetërore, për të gjitha shtetet që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Çështja e nënshkrimit dhe e ratifikimit është e rregulluar me Kushtetutë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja presidente, ky dialog që ju do ta zhvilloni me presidentin Nikolliq kujt i jep më shumë shanse: Serbisë për kandidaturën në BE apo Kosovës për diçka tjetër?

ATIFETE JAHJAGA
Shikoni, ky nuk është dialog, por është takim zyrtar i presidentëve të të dyja vendeve, të dy shteteve që janë të pavarura dhe fqinje. Të dyja këto shtete mund t’i ndihmojnë shumë njëra-tjetrës, në rrugën e integrimit në Bashkimit të Bashkimit Evropian.

Të dyja vendet përfitojnë nga takimet e tilla, përfshirë këtu edhe gjithë rajonin, sepse përfundimisht me respektimin e realitetit dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës, do të ketë stabilitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju i jepni mbështetje dialogut, sa do t’i jepni mbështetje dhe zgjidhjeve që vijnë nga ai, posaçërisht zgjidhjes së mundshme të kompromisit që thuhet se mund të ndodh me pjesën veriore të Kosovës?

ATIFETE JAHJAGA
Si presidente e vendit, i jap mbështetje gjithë procesit të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura. Qëndrimi është unik dhe ne, institucionet e Republikës së Kosovës, për këtë çështje nuk e kemi as dallimin më të vogël.

E keni parë se deri më tash nuk është bërë asnjë kompromis që dëmton interesat e vendit dhe qytetarëve tanë. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG