Ndërlidhjet

Mbivotim në baza etnike


Mbështetja që i ka dhënë Lidhja Socialdemokrate e opozitës së Maqedonisë kufizimit të fjalimeve të deputetëve dhe në përgjithësi miratimit të ligjit që parasheh zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit të propozuar nga VMRO-ja në pushtet, ka thelluar edhe më shumë ndasitë etnike në Maqedoni.

Kështu vlerësojnë njohësit e marrëdhënieve ndëretnike, Mirjana Malevska dhe analisti Albert Musliu.

Me qëllim të pamundësimit të miratimit të këtij ligji, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka paraqitur më shumë se 15 mijë amendamente, por, debati për to u bllokua në komisionet e Kuvendit, pasi BDI-ja kërkoi interpretimin e rregullores mbi punën e Kuvendit për shkak të tentimit të partisë së kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski për të kufizuar fjalimet.

Kërkesa e tyre u rrëzua nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, duke e rikthyer çështjen për votim në komision, ku edhe LSDM-ja, doli në mbështetje të VMRO-s kufizimin e fjalimeve me qëllimin shkurtimin e procedurës së amendamenteve.

Mendoj se bëhet fjalë për një taktikë të veprimit nga LSDM-ja, pasi kjo bie ndesh me veprimin e saj të para disa ditëve, kur organizoi një tryezë të rrumbullakët në të cilën u dëgjuan diskutime dhe teza për forcimin e shoqërisë multietnike në Maqedoni. Pra, bëhet fjalë për dy veprime nga ana e kësaj partie, që nuk mund të shkojnë njëra me tjetrën”, shprehet Mirjana Malevska, njohëse e marrëdhënieve ndëretnike duke shtuar se bëhet fjalë për një lojë të opozitës, që mund të thellojë edhe më shumë raportet ndëretnike.

Kjo, sipas mendimit tim, është një lojë, por që është shumë e rrezikshme sa i përket raporteve ndëretnike. A mund të ketë dalje nga kjo situatë është vështirë të thuhet. Konsideroj se punohet që të shkaktohet një nervozizëm te BDI-ja, që të braktisë koalicionin qeveritar dhe të formohet një shumicë e re, por mendoj se kjo është lojë e rrezikshme”, thotë Maleska.

Nga ana tjetër, duke komentuar mbështetjen e dhënë nga LSDM-ja për këtë projekt-ligj, analisti Albert Musliu, thotë çdo tentim për të mbivotuar shqiptarët, do të mund të çonte në mobilizimin e tyre për kërkimin e zgjidhjeve tjera, pasi, siç shprehet, Musliu në Maqedoni nuk duhet të përsëritet periudha e para vitit 2001.

LSDM-ja atë e bënë për shkak të përfitimeve afatshkurtra politike kurse në periudhën më afatgjate dëmet do të jenë shumë të mëdha pasi edhe pala shqiptare do të mobilizohet nëse vazhdon ndarja në blloqe, në shqiptarë dhe maqedonase dhe do të imponohet nevoja për ndryshime më të thella".

"Të mos harrojmë se ndryshimet kushtetuese në vitin 2001 u bënë me qëllim të pamundësimit të mbivotimit të komuniteteve jo shumicë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me interesat e tyre. Nëse ky ligj miratohet me fuqinë e votave atëherë me siguri se pala shqiptare do të kërkojë zgjidhje tjerë kushtetuese, ligjore e kështu me radhë
”, deklaron Albert Musliu.

Ndryshe, apele për unitet kishte edhe mes partive shqiptare.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili, po viziton mërgatën shqiptare në disa shtete të Evropës me qëllim të siç thuhet mobilizimin tyre për zgjedhjet e marsit, ka thënë se është i gatshëm t'i shtrijë dorën kreut të PDSH-së, Menduh Thaçit dhe liderëve tjerë opozitarë shqiptarë, për të shtyrë para proceset që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Por, kërkesa e tillë është refuzuar nga PDSH-ja, me arsyetimin se nuk mund të amnistojnë Ahmetin nga, siç kanë theksuar, dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve me qeverisja e tij me Nikolla Gruevskin.

Ky i fundit ditë për parë edhe njëherë ka theksuar vendosmërinë e tij për të çuar deri në fundit miratimin e ligjit për forcat maqedonase të sigurimit ndërsa i ka vlerësuar të pabaza reagimet e BDI-së, e cila, kërkon që ky ligj të përfshijë edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, që kanë pësuar nga konflikti i vitit 2001.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG