Ndërlidhjet

Maqedoni: Lufta përmes amandamenteve


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e cila është dhe propozuese e ligjit për ish forcat shtetërore të sigurisë që ishin të përfshira në konfliktin e armatosur të vitit 2001, për të tejkaluar barrierat që ka vendosur partia shqiptare në pushtet BDI, me propozimin e mbi 15 mijë amandamenteve, ka kërkuar nga kryetarja e komisionit për punë dhe politikë sociale Cvetanka Ivanova që amandamentet të cilat kanë të bëjnë me një nen të njëjtë të ligjit, të grumbullohet në një, dhe për to të diskutohet si një pikë e vetme.

Ndërkohë, partia shqiptare pjesë e koalicionit qeveritar, edhe një herë ka përsëritur qëndrimin se nuk do të lejojë miratimin e këtij propozim ligji në këtë formë siç është propozuar nga VMRO-DPMNE, duke përjashtuar privilegjet edhe për ish pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas zëdhënësit të partisë, Bujar Osmani, propozim ligji në fjalë është i pa pranueshëm pasi rrezikon të rrënojë parimet e bashkëjetesës konform Marrëveshjes së Ohrit.

Osmani tha partia që e përfaqëson ai, do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionale për të penguar miratimin e propozim ligjit të “branitellave”.

Ne nuk do të lëmë që pas vitit 2001 në Maqedoni të sillen ligje dhe vendime të njëanshme diskriminuese në bazë të mbivotimeve etnike, andaj mbi bazë të këtij parimi ne do të kërkojmë miratim të ligjit i cili do të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha palët ose i njëjti të mos miratohet fare. Prandaj kemi vendosur që në këtë mënyrë institucionale të bllokojmë ligjin në fjalë që të krijojmë hapësirë kohore që te të gjithë të reflektohet fakti se Maqedonia po jeton një realitet të ri ku gjithpërfshirja paraqet esencën e funksionimit të shtetit multietnik”, është shprehur Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Ndërkaq analistët politik thonë se lufta e partnerëve të koalicionit përmes amandamenteve megjithëse është legjitime ajo reflektohet edhe në poret e tjera të shoqërisë.

Analistja maqedonase Tanja Karakamisheva nga universiteti i Shkupit vlerëson se pas luftës së amendamenteve, është vështirë të përcaktohet se çka fshehin partnerët e koalicionit.

Nëse qëllimi është që të stërzgjatet procedura rreth ligjit në fjalë gjersa të mbahen zgjedhjet vendore, apo bëhet fjalë për mosmarveshje më të thellë mes partnerëve të koalicionit qeveritar, apo thjesht me këtë dëshirohet të demonsrohet se institucionet e sistemit nuk funksionojnë, gjegjësisht ata mbeten për një kohë të bllokuara dhe për këtë arsye duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme është e vështirë të mësohet. Por një gjë është e qartë, se çmimin e gjithë kësaj e paguajnë qytetarët e Maqedonisë pa përjashtim”, nënvizon Karakamisheva.

Nga ana tjetër, Arsim Sinani, ligjërues në USHT, konsideron se lëshimi pe nga ana e partisë shqiptare në pushtet do të thotë kapërcim i vijës së kuqe nga ana e palës shqiptare, gjë që nuk guxon të ndodhë, pikërisht për këtë arsye është e vështirë dhe gjetja e një kompromisi mes partive politike që e përbëjnë koalicionin qeveritar.

Mendoj se BDI nuk ka të drejtë morale që të lëshojë pe sa i përket ligjit të ashtuquajtur ‘branitellave’, sepse kjo parqet dhe vijën e kuqe. Ne me maqedonasit kemi një marrëveshje e cila u arit me garanci nga faktori ndërkombëtar amerikan dhe ai evropian, dhe kjo marrëveshje u garanton shqiptarëve që t’i gëzojnë të drejtat e tyre në Republikën e Maqedonisë”.

Ligji i cili duhet të ndryshohet duhet t’i përfshijë dhe ish pjesëtarët e UÇK-së, nëse pala maqedonase nuk dëshiron të pajtohet me këtë duhet përkujtuar kryeministrit Nikolla Gruevski se në qeverinë e tij i ka dhe ish pjesëtarët e UÇK-së dhe ata janë pjesë përbërëse e koalicionit, andaj është më se e logjikshme që kjo çështje duhet të mbyllet duke përfshi privilegje dhe për ish pjesëtarët e UÇK-së që ishin të përfshirë në konfliktin e armatosur gjatë vitit 2001”, thotë Sinani.

Ndryshe, në mbledhjen e fundit të komisionit për punë dhe politikë sociale, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE, ka kërkuar që fjalimet e deputetëve që kanë të bëjnë me amandamentet të kufizohen në një kohë sa më të shkurtër gjë që nuk u pranua nga deputetët shqiptarë, pas çka pasojë dhe ndërprerja e punës së komisionit në fjalë gjersa organet kompetente të parlamentit të bëjnë interpretimin e kërkesës në fjalë konform rregullores për punën e Kuvendit të Maqedonisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG