Ndërlidhjet

Çitaku: S'kemi frikë nga numri i madh i kritereve për vizat


Vlora Çitaku
Vlora Çitaku
"Kosova nuk i frikësohet numrit të madh të kritereve , sepse në fund të fundit përmbushja e kritereve vetëm sa e përafron Kosovën me familjen evropiane dhe në fund fare është në interes publik dhe në interes të vet qytetarit të Republikës së Kosovës", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Çitaku, Kosova në këtë vit po intensifikon punën në zbatimin e agjendës evropiane. Çka është bërë deri më tash në drejtim të avancimit të marrëdhënieve zyrtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së?
VLORA ÇITAKU
Për herë të parë në këtë vit agjenda evropiane e Kosovës është materializuar në shumë rrafshe. Në rrafshin e parë, përmes lansimit të studimit të fizibilitetit për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ju e dini që Qeveria e Republikës së Kosovës ka pranuar pyetësorin me pyetjet e Komisionit Evropian, përgjigjet i janë dërguar Komisionit Evropian, më pas kemi pasë një mision vlerësues nga ana e komisionit që ka bërë verifikimin e të dhënave të deponuara në pyetësor, dhe tash ne presim në muajin tetor publikimin e studimit të fizibilitetit me rekomandimet për hapat e me tejshëm.

Në anën tjetër, kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ky ka qenë një hap i vonuar, megjithatë më mirë vonë se kurrë. Pavarësisht faktit që Kosova ka pranuar udhërrëfyesin vetëm në qershor, ne tash e tre vjet jemi duke punuar njëanshëm në përmbushjen e kritereve. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të thuhet se përkundër numrit të madh të kritereve që kërkohen nga Kosova për t’u përmbushur, metodologjia është e njëjtë.

Është metodologji e vendeve të Ballkanit perëndimor, nuk është metodologji e vendeve në fqinjësi dhe kjo është e jashtëzakonisht e rëndësishme. Kosova nuk i frikësohet numrit të madh të kritereve , sepse në fund të fundit përmbushja e kritereve vetëm sa e përafron Kosovën me familjen evropiane dhe në fund fare është në interes publik dhe në interes të vet qytetarit të Republikës së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Njohësit e integrimeve evropiane dhe përfaqësues të opozitës kanë shprehur mendimet e tyre se institucionet vështirë se do të mund t’i përmbushin të gjitha kriteret e kërkuara. Ju si mendoni?


VLORA ÇITAKU
Unë jam e bindur që Kosova do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret në udhërrëfyes. Duhet ta kemi të qartë se udhërrëfyesi tashmë është përkthyer është dekonstruktuar dhe nuk është vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës ajo e cila do të ketë listë detyrash të cilat duhet përmbushur.
Edhe Parlamenti ka listën e vet të detyrimeve edhe komunat, sidomos institucionet e pavarura të gjyqësorit. Sigurisht që janë disa kërkesa sfiduese, aty posaçërisht në bllokun që ndërlidhet me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, unë jam e bindur se në rast se punojmë bashkërisht të gjithë ne, pozitë dhe opozitë, dhe me ndihmën e shoqërisë civile në përmbushjen e kritereve, ato nuk janë sfida të patejkalueshme.

Në rast se janë sfida të cilat kanë arritur t’i përmbushin vendet për rreth, fqinjët tonë, unë jam e bindur që edhe Kosova do t’ia dalë mbarë. Për me tepër që ne kemi një vlerë të shtuar në ketë proces, kemi praninë e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e rendit dhe ligjit, dhe unë jam e bindur që do të mund të angazhojmë edhe EULEX-in në përmbushj
en e disa detyrimeve që janë sfiduese për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të munden kosovarët të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e BE-së?

VLORA ÇITAKU
Kjo është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme. Regjistrimi i popullsisë ka vërtetuar që një e treta e qytetarëve tanë jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ishte aspak korrekte nga ana ime që të dal me një datë, me një kohë të saktë kur do të udhëtonim ne pa viza, sepse në fund fare ky proces ndonëse varet nga puna që ne bëjmë këtu brenda, vendimi merret në Bruksel dhe nuk do të ishte korrekte të dalim më prognoza të cilat nuk varen ekskluzivisht nga puna jonë. Ajo çfarë, unë mund t’ju siguroj është që ne do të punojmë pa ndalë, që brenda një afati rekord të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se Kosova do të mund të vijë në një situatë kur pesë vendet që nuk e kanë njohur atë si shtet do të bllokonin, eventualisht, procesin e liberalizimit të vizave?

VLORA ÇITAKU
Procesi i liberalizimit të vizave nuk është proces politik, është proces teknik. Bashkimi Evropian, ka regjim pa viza edhe për Tajvanin p.sh, i cili nuk njihet si shtet prej asnjë prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përmes procesit të liberalizimit të vizave nuk bëhet njohja e shtetit, por njohja e dokumentit të udhëtimit, përkatësisht pasaportës, dhe pasaporta e Republikës se Kosovës tashmë është njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Unë nuk pres bllokada, unë nuk pres pengesa për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e BE-së për procesin e liberalizimit të vizave. Por, mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, gjithsesi do të jetë sfidë për procesin e stabilizim-asociimit, përkatësisht për ratifikimin e MSA-së, sepse në rast se Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim-asociimit me Komisionit Evropian, kjo marrëveshje do të duhej të ratifikohet në 27 parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.

Unë aty e shoh sfidën më të madhe, por jam e bindur se në rast se koordinohemi ngushtë me Komisionin Evropian dhe me mbështetësit e fuqishëm që ka Kosova në Parlamentin Evropian, në Komisionin Evropian, por edhe në vendet anëtare, ne do të jemi në gjendje ta tejkalojmë edhe atë sfidë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sundimi i ligjit, menaxhimi i kufijve, janë dy prej parakushteve për liberalizim. Marrë parasysh gjendjen në veri të vendit, sa mund të ndikojë një situatë e tillë edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e Kosovës në BE?

VLORA ÇITAKU
Nuk ka fjalë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jetë një nder sfidat me të mëdha që ne do të kemi, jo vetëm në kontestin e liberalizimit të vizave, por edhe në kontest më të gjerë në procesin e integrimeve euro-atlantike. Gjithsesi, institucionet e pavarura duhet të rrisin punën dhe angazhimin.

Ne nuk do të mund t’ua mbushim mendjen Komisioni Evropian me fjalime dhe përkushtim politik. Tani, në Komisionin Evropian ne duhet të raportojmë numra, shifra të sakta, sa persona janë arrestuar, sa persona janë gjykuar, sa raste janë duke u ndjekur. Dhe unë pres një punë dhe një angazhim më të madh nga secili nga ne në këtë drejtim.

Normalisht edhe menaxhimi i integruar i kufirit është një sfidë. Kosova ka terë legjislacionin për menaxhimin e integruar të kufiri, dhe ne në fakt operojmë me menaxhimin e integruar. Ne kemi sistemin BMS në të gjitha pikat tona kufitare. Dhe me marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, edhe në pikën një dhe tridhjetenjë do të ketë menaxhim të përbashkët dhe të integruar të kufirit.

Normalisht, që vendosja e ligjshmërisë ndërlidhet me procesin e liberalizimit, por në kontest me të gjerë e thash, edhe me vet procesin e integrimit evropian. Bashkimi Evropian nuk është spital ku trajtohen shtete të sëmura, për ta parafrazuar politikanin nga Maqedonia, zotin Xhaferi, por nga ne do të kërkohet që t’i zgjidhim të gjitha problemet para se të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG