Ndërlidhjet

Shqetësime serioze për të drejtat e njeriut në Kosovë


Selia e Departamentit Amerikan të Shtetit(Foto arkiv)
Selia e Departamentit Amerikan të Shtetit(Foto arkiv)

Të dhënat për të drejtat e njeriut në Kosovë gjatë vitit 2011 kanë ngritur “shqetësime serioze”.

Ky është konkludimi që ka nxjerrë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë.

Sipas tij, ekstremistët serbë “kanë ushtruar dhunë dhe frikësim” ndaj kundërshtarëve lokalë dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë, çfarë ka rezultuar me vdekje.

Në këtë rrafsh, raporti kujton vrasjen e pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi, i cili është qëlluar për vdekje nga ekstremistët serbë, pas operacionit të policisë për futjen nën kontroll të Bërnjakut – vendkalimit kufitar që lidh Kosovën me Serbinë.

Departamenti i Shtetit vë theksin edhe mbi strukturat paralele të Serbisë, të cilat vazhdojnë të operojnë ilegalisht në enklavat e banuara me shumicë serbe.

“Pengesat që kanë vendosur ekstremistët serbë në pjesën veriore të vendit kanë kufizuar seriozisht të drejtat themelore, përfshirë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në raport.

Ai thotë se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, të kryera në dhjetor të 2010-ës, kanë përmbushur shumë standarde ndërkombëtare, porse “parregullsitë serioze dhe manipulimet zgjedhore” kanë bërë që në disa komuna të rivotohet.

Ndonëse ligji parasheh dënime penale për korrupsionin zyrtar, raporti flet për zyrtarë të angazhuar në praktika korruptive.

“Qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjin. Ka pasur perceptim të gjerë publik për korrupsion në Qeveri. Mungesa e mbikëqyrjes gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit i kanë kontribuuar korrupsionit në Qeveri”, vë në pah raporti, duke përmendur edhe vlerësimin e Komisionit Evropian për përparim në luftën kundër kësaj dukurie.

Por, raporti i DASH-it flet për korrupsion edhe brenda vetë gjyqësorit, duke konsideruar se ai, në disa raste, “ka qenë i njëanshëm, është ndikuar nga jashtë dhe nuk ka ofruar proces të drejtë”.

Raporti, po ashtu, vë në pah diskriminimin kundër minoriteteve etnike dhe të tjera, personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarëve të komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transeksual.

“Ligji ndalon diskriminimin në bazë të fesë, gjinisë, prejardhjes etnike, paaftësisë, statusit social apo gjuhës. Megjithatë, Qeveria nuk i ka zbatuar në mënyrë efektive këto ndalesa”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, pjesëtarët e komunitetit rom, ashakli dhe egjiptian kanë qenë subjekt i diskriminimit social dhe ekonomik dhe shpesh nuk kanë pasur qasje në higjienën bazike, në kujdesin mjekësor dhe në arsim.

“Ata kanë qenë të varur nga ndihmat humanitare për mbijetesë”, thuhet në raport.

Në pjesën për personat me aftësi të kufizuara, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjet dhe programet që i sigurojnë kësaj kategorie qasje në ndërtesa, informacione dhe komunikime.

“Vetë Zyra e Avokatit të Popullit nuk ka qenë e arritshme për personat me aftësi të kufizuara fizike”, thuhet në raport.

Bazuar në të, problem mbetet edhe puna e fëmijëve. Sipas UNICEF-it, në vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që lypin në rrugët e qyteteve, ndonëse shifra e saktë mbetet e panjohur. “Puna e fëmijëve ka shërbyer si një kontribut i madh në të ardhurat e shumë familjeve”, vlerëson raporti.

Po sipas tij, dhuna në familje, përfshirë abuzimin bashkëshortor, mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm.

“Qëndrimet tradicionale shoqërore ndaj femrave në shoqërinë e dominuar nga meshkujt i kanë kontribuar nivelit të lartë të abuzimit në familje dhe numrit të vogël të rasteve të raportuara”, thuhet në raport.

Ai nuk lë pa përmendur edhe vandalizmin në varrezat hebraike në Prishtinë, që është bërë nga persona ende të panjohur në fund të nëntorit. Raporti kujton se zyrtarët qeveritarë dhe fetarë kanë dënuar fuqishëm aktet, porse deri në fund të 2011-s nuk ka pasur asnjë të dyshuar për kryerjen e tyre.

Ky i fundit vë në pah edhe gjetje që flasin për kërcënime të përfaqësuesve të mediave nga ana e zyrtarëve publikë, politikanëve dhe bizneseve. Mediat, gjithashtu, kanë hasur në vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet publike dhe qeveritare, vlerëson raporti.

Shqetësimet e tjera për të drejtat e njeriut, sipas tij, përfshijnë akuzat për keqtrajtimin e të burgosurve dhe trafikimin e personave – ndonëse Qeveria “ka ndërmarrë hapa për të ndjekur penalisht dhe për të ndëshkuar abuzuesit”.

Departamenti i Shtetit, po ashtu, thekson se nuk ka pasur raportime që flasin për vrasje arbitrare apo të paligjshme nga ana e Qeverisë apo agjentëve të saj.

“Kushtetuta dhe ligjet ndalojnë arrestimet dhe paraburgimet arbitrare dhe Qeveria, ashtu si edhe EULEX-i dhe KFOR-i, në përgjithësi i kanë respektuar këto ndalesa”, thuhet më tej në raport.

DASH-i thotë se nuk ka pasur raportime as për zhdukje të motivuara politikisht, ndonëse përmend shifrat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që flasin për 1,796 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998-99 në Kosovë.


DASH: Kryengritjet në botën arabe - “frymëzuese”

Në rrafshin global, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i ka cilësuar si “frymëzuese” kryengritjet e vitit të kaluar në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore.

“Qytetarët e Tunizisë, të Egjiptit, Libisë, Bahrejnit, Jemenit dhe Sirisë janë ngritur në këmbë për të kërkuar të drejtat e tyre universale, më shumë mundësi ekonomike dhe pjesëmarrje në të ardhmen politike të vendeve të tyre”, thuhet në raport.

Duke folur pas publikimit të tij në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se “2011-a ka qenë një vit i trazuar dhe i rëndësishëm për të gjithë të përfshirët në çështjen e të drejtave të njeriut”.

“Shumë prej ngjarjeve që kanë dominuar titujt e fundit, nga revolucionet në Lindjen e Mesme deri te reformat në Birmani, kanë nisur me të drejtat e njeriut, me thirrjen e qartë të burrave dhe të grave që kërkonin të drejtat universale”, u shpreh Klinton.

Por, Departamenti i Shtetit paralajmëron se “ndryshimet shpesh krijojnë jostabilitet përpara se të çojnë në respektim më të madh të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

DASH, po ashtu, vlerëson se kushtet e të drejtave civile mbeten “jashtëzakonisht të dobëta” në vendet si Irani, Koreja e Veriut, Turkmenistani, Uzbekistani, Siria, Bjellorusia dhe Kina.

Për Iranin, raporti thotë se kufizimet e rënda të qytetarëve për të ndryshuar qeverinë përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejta, si dhe kufizimet në liritë civile kanë qenë probleme të mëdha të të drejtave humane gjatë vitit 2011 në Republikën Islamike.

Së bashku me mosrespektimin e lirive civile, arrestimet arbitrare dhe torturat, Turkmenistani ka vazhduar të mos ketë asnjë organizatë të brendshme joqeveritare për të drejtat e njeriut, për shkak të “refuzimit të qeverisë për të regjistruar organizata të tilla”, thuhet në raport.

Në Bjellorusi, vijon ai, “të drejtat e njeriut mbeten të dobëta”, pas zgjedhjeve presidenciale të dhjetorit 2010.

Në Rusinë fqinje, sipas DASH-it, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë kanë raportuar “parregullsi dhe mashtrime të mëdha” gjatë zgjedhjeve të dhjetorit për Dumën shtetërore”.

Raporti thekson se Egjipti dhe Kirgizia kanë mbajtur zgjedhje historike, që në përgjithësi janë konsideruar të lira dhe të ndershme.
XS
SM
MD
LG