Ndërlidhjet

DASH: Të drejtat e njeriut në Kosovë


Një demokraci parlamentare, me një popullatë prej rreth 2.2 milionëshe, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme më 12 dhjetor të vitit të kaluar dhe përgjithësisht mund të thuhet se ka përmbushur standardet ndërkombëtare, ndonëse parregullsitë serioze kanë rezultuar me rivotime në disa komuna.

Me një konstatim të këtillë fillon kapitulli për Kosovën, në raportin e fundit të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2010.

Në raport thuhet se problemet dhe abuzimet e raportuara në fushën e të drejtave të njeriut kanë të bëjnë me:

“…ndërhyrjen e Qeverisë në forcat e sigurisë dhe në drejtësi; paraburgimet e stërzgjatura dhe mungesën e proceseve gjyqësore në kohën e paraparë; presionin mbi media nga zyrtarët publikë dhe individë të ndryshëm; incidentet e dhunshme kundër pjesëtarëve të komuniteteve fetare; përparimin e kufizuar në kthimin e personave të zhvendosur; korrupsionin qeveritar, përfshirë këtu edhe Policinë e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë; dhunën dhe diskriminimin ndaj grave e trafikimin me njerëz; diskriminimin e abuzimin e komuniteteve pakicë, diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara dhe të personave të tjerë, bazuar në orientimet e tyre seksuale dhe punësimin e fëmijëve në sektorin joformal”
, thuhet në raportin 44 faqesh.

Ai rikujton rastet kryesore, për të cilat janë raportuar problemet, gjatë gjithë vitit 2010.

Mes tjerash, në të përmendet edhe raporti i Këshillit të Evropës, i hartuar nga anëtari i saj, Dik Marti, për, siç thuhet, trafikim organesh nga ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Duke rikujtuar hetimet e zhvilluara nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte, raporti rikujton gjithashtu se hetimet kanë përfunduar pa gjetjen e dëshmive.

“Autoritetet në Kosovë e kanë hedhur poshtë përmbajtjen e raportit, por janë zotuar se do të bashkëpunojnë në çdo hetim”,
thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në të flitet edhe për strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, duke thënë se “qeveria serbe ka vazhduar me funksionimin e pasanksionuar të sistemit paralel të drejtësisë në enklavat e banuara me serbë dhe në komunat e banuara me shumicë serbe”.

Në këtë kuadër, rikujtohet edhe fakti se përpjekjet për të rihapur Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë janë ngadalësuar në korrik të vitit të kaluar, pasi dy gjykatës serbë ishin tërhequr për shkak të presioneve nga autoritetet paralele serbe.

Kur bëhet fjalë për veriun dhe pjesët e banuara me komunitetet pakicë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se rreziqet e perceptuara dhe incidentet sporadike të dhunës dhe presioni, vazhdojnë të kufizojnë lirinë e lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës në veri të vendit dhe të serbëve në pjesët tjera të vendit.

Qeveria ka sforcuar përpjekjet për të ndihmuar udhëtimin për pakicat, por rreziqet reale dhe ato të perceptuara kanë penguar shumë pakica që të dalin jashtë lagjeve të tyre”, thuhet në raport.

Një pjesë e veçantë i kushtohet edhe skenës mediale në Kosovë, bazuar në raportimet që janë bërë dhe reagimet e organizatave vendore e ndërkombëtare mbi presionet e zyrtarëve publik, politikanëve dhe bizneseve.

Te kapitulli për korrupsionin, raporti rikujton se me ligj, korrupsioni zyrtar është vepër penale, megjithatë, thuhet në raport, “qeveria nuk e ka zbatuar këtë ligj me efektshmëri dhe zyrtarët thuhet të jenë angazhuar në praktika korruptive, duke mos u dënuar për to”.

“Organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare vazhdojnë të raportojnë se korrupsioni është një problem serioz. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive ligjore dhe brishtësia e përgjithshme në sundimin e ligjit, i kanë kontribuuar korrupsionit në qeveri
”, thuhet mes tjerash në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për të drejtat e njeriut në Kosovë. (a.v.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG