Ndërlidhjet

AI: 676 të ekzekutuar gjatë 2011-ës


Amnesty International
Amnesty International
Vendet që kanë kryer ekzekutime në vitin 2011, i kanë bërë ato në shkallë alarmante, vë në dukje organizata Amnesty International (AI) në raportin e saj vjetor mbi dënimet me vdekje dhe ekzekutimet.

Ekzekutimet, sipas organizatës, janë kryer në 10 për qind të vendeve të botës, përkatësisht në 20 nga 198 vende, çfarë, megjithatë, paraqet rënie të konsiderueshme nga viti 2002, kur ekzekutime janë kryer nga 31 shtete.

Njerëzit janë ekzekutuar ose dënuar me vdekje për një sërë kundërvajtjesh, përfshirë shkeljen e kurorës në Iran, blasfeminë në Pakistan, trafikimin e eshtrave të njerëzve në Republikën e Kongos dhe keqbërjet me drogë në më shumë se dhjetë vende të botës, thuhet në raport.

Sipas të njëjtit, metodat e ekzekutimit në 2011-ën kanë përfshirë prerjen e kokës, varjen, injeksionin vdekjeprurës dhe vrasjen me armë.

Rreth 18,750 njerëz thuhet se mbeten të dënuar me vdekje, ndërsa të paktën 676 të tjerë anembanë botës janë ekzekutuar.

Megjithatë, shifrat nuk përfshijnë mijëra ekzekutimet që Amnesty International beson se janë kryer në Kinë, ku numri i ekzekutimeve është sekret shtetëror.

Ato nuk llogarisin as rritjen eventuale të numrit të ekzekutimeve në Iran, pasi organizata në fjalë thotë se ka raporte të besueshme, të cilat flasin për numër të konsiderueshëm të ekzekutimeve, të cilat nuk njihen zyrtarisht.

Mesazhi ynë për udhëheqësit e pakicave të izoluara të vendeve që vazhdojnë të ekzekutojnë, është i qartë: ju jeni jashtë hapit me pjesën tjetër të botës në lidhje me këtë çështje dhe është koha që të ndërmerrni hapa për t’i dhënë fund këtij ndëshkimi mizor, çnjerëzor dhe degradues”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i AI-së, Salil Sheti.

Në Lindjen e Mesme, vë në pah raporti, ka pasur rritje të madhe të ekzekutimeve të regjistruara - pothuajse 50 për qind më shumë nga viti paraprak.

Ato kanë ndodhur kryesisht në katër vende: në Irak, të paktën 68 ekzekutime; në Iran, të paktën 360; në Arabinë Saudite, të paktën 82 dhe në Jemen të paktën 41. Këto konsiderohet të jenë rreth 99 për qind e të gjitha ekzekutimeve të regjistruara në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Për Iranin, organizata ka raporte se të paktën tre persona, që janë ekzekutuar për krime, kanë qenë nën moshën 18-vjeçare, çfarë paraqet shkelje të ligjit ndërkombëtar. Atje janë raportuar edhe katër ekzekutime të pakonfirmuara ende të të miturve, ashtu si edhe një në Arabinë Saudite.

Sipas raportit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë anëtari i vetëm i G8-ës, grupit të ekonomive kryesore, që ka ekzekutuar të burgosur – 43 në 2011-ën. Evropa dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik nuk kanë zbatuar dënime kapitale, përveç Bjellorusisë, ku janë ekzekutuar dy persona. Ekzekutime nuk janë kryer as në Paqësor – përjashtim bën vetëm Papua Nju Guinea me pesë ekzekutime të raportuara.

Në Bjellorusi dhe Vietnam, vijon raporti, të burgosurit nuk kanë qenë të informuar për ekzekutimet e tyre të ardhshme, ashtu si as familjarët dhe as avokatët.

AI bën të ditur se ekzekutime publike janë kryer në Korenë e Veriut, në Arabinë Saudite, në Somali dhe në Iran.

Në shumicën e vendeve ku njerëzit janë dënuar me vdekje ose janë ekzekutuar, gjykimet nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare të një gjykimi të drejtë, thuhet në raport. Po sipas tij, një gjë e tillë përfshin nxjerrjen e “pohimeve” përmes torturës apo detyrimeve të tjera. Këto metoda, thuhet në raport, prekin Kinën, Iranin, Irakun, Korenë e Veriut dhe Arabinë Saudite.

Organizata Amnesty International përmend edhe shtetasit e huaj, të cilët janë prekur në mënyrë disproporcionale nga përdorimi i dënimit me vdekje, sidomos në Arabinë Saudite, Malajzi, Singapor dhe Tajlandë.

Por, edhe në vendet që vazhdojnë të ekzekutojnë në nivele të larta, gjatë 2011-ës është shënuar ca progres, thuhet në raportin e AI-së.

Në Kinë, qeveria ka eliminuar dënimin me vdekje për 13 krime, ndërsa para Kongresit Popullor janë diskutuar masa për të zvogëluar numrin e rasteve të torturës në burgje, për të forcuar rolin e avokatëve mbrojtës dhe për të siguruar se të dyshuarit, në rastet e dënimit kapital, janë të përfaqësuar nga një avokat.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i ekzekutimeve dhe dënimeve të reja me vdekje ka rënë në mënyrë dramatike nga një dekadë më parë. Illinoisi është bërë shteti i 16-të që ka shfuqizuar dënimin me vdekje, ndërsa një moratorium është bërë publik në shtetin e Oregonit.

Edhe në mesin e grupit të vogël të vendeve që kanë ekzekutuar në vitin 2011, ne mund të shohim progres gradual. Këta janë hapa të vegjël, por masat e tilla kanë dëshmuar se çojnë në fund të dënimeve me vdekje”, ka thënë Sheti.

Nuk do të ndodhë brenda natës, por ne jemi të vendosur të shohim ditën kur dënimi me vdekje do të jetë histori”, ka shtuar zyrtari i lartë i AI-së.

Amnesty International ka theksuar se kundërshton dënimin me vdekje në të gjitha rastet, pa përjashtim, pa marrë parasysh se cila është natyra e krimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG