Ndërlidhjet

Kur do të paguhet pjesa retroaktive?


Ilustrim
Ilustrim
Mësimdhënësit kosovarë, të cilët përfituan rritje pagash nga fillimi i vitit të kaluar, ende nuk e kanë marrë diferencën e mbetur për muajin janar dhe shkurt.

Sipas një llogaritjeje të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, janë mbi katër milionë euro që ekzekutivi i vendit u ka borxh rreth 23 mijë mësimdhënësve kosovarë.

Ali Shabani, udhëheqës i kësaj sindikate, tregon se punonjësit e arsimit vazhdimisht po bëjnë presion në këtë sindikatë, që të paguhet pjesa retroaktive për dy muajit e parë të vitit të kaluar. Këto shqetësime Shabani thotë se i ka adresuar edhe tek ekzekutivi i vendit.

“Gjithsesi, mësimdhënësit e kanë të drejtën e tyre për të kërkuar, sepse është vendim i Qeverisë. Ministri i Arsimit e pranon këtë borxh, nuk cakton datë se kur do të shlyhet, por merr obligim se do të bëjë çfarëdo që është e mundur, që brenda vitit të realizohet ajo pjesë e mbetur për janar dhe shkurt”, thotë Shabani.
Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës, nga 1 janari i vitit 2011, ka rritur pagat në sektorin publik nga 30 deri në 50 për qind.

Për shkak të vonesës së miratimit të buxhetit të vitit paraprak, punëtorët në këtë sektor, pagat me rritje i kanë marrë prej muajit mars.

Ekzekutivi i vendit u ka mbetur borxh punonjësve pagesën e pjesës retroaktive për dy muajt e parë të vitit 2011.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, thotë se autoritetet kompetente janë duke pritur momentin e duhur që ta paguajnë borxhin e mbetur, por, siç thotë ai, pa krijuar konflikte me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ne kemi pasur takime me SBASHK-un dhe kemi diskutuar që vendimi i Qeverisë mbetet në fuqi. Pra, ai është një borxh që Qeveria u ka mësimdhënësve dhe natyrisht që ajo e pret momentin e duhur, por pa krijuar konflikte me FMN-në, që edhe këtë obligim që e ka ndaj mësimdhënësve dhe të gjithë shërbyesve civilë, ta realizojë në momentin e duhur dhe më të përshtatshëm”, bën të ditur Mustafa.

Sidoqoftë, Mustafa shpreson se ky borxh të mund të paguhet në fund të këtij viti.

“Natyrisht, me buxhetin e vitit 2012 kjo nuk është paraparë me ligj, për arsye se ekzistojnë kufizimet buxhetore, kufizime që janë imponuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria duhet t’i respektojë ato obligime që i ka marrë nga FMN-ja".

"Mirëpo, mund të ndodhë që nga fundi i vitit, kur shikohet balancimi financiar i Qeverisë, kjo e fundit mund të ketë të drejtë, që me një mbledhje të veçantë të marrë një vendim të tillë, ku do të mund të paguhen të gjitha obligimet që janë ndaj shërbyesve civilë në Republikës së Kosovës”
, shpjegon Mustafa.

Zyrtarë të Qeverisë, në muajin shkurt të vitit të kaluar patën siguruar se të gjithë punëtorët që kanë përfituar nga rritja e pagave, pjesën e mbetur do ta marrin në mënyrë retroaktive nga janari i vitit 2011.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG