Ndërlidhjet

Buxheti me 5% deficit (?)


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shpenzimet e përgjithshme buxhetore të Kosovës janë projektuar të jenë 1 miliard e 434 milionë euro, apo rreth 19.3 për qind më të larta sesa ato në vitin paraprak.

Ky buxhet, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësuesve të organizatave ekonomike në vend, nuk siguron qëndrueshmëri ekonomike.

Ata druajnë se Kosova mund të rrezikohet nga deficiti i madh buxhetor. Eksperti i ekonomisë Lumir Abdixhiku jep më shumë hollësi:

Lumir Abdixhiku

“Sipas parametrave të prezantuar në buxhet, vendi duhej të futet në deficit diku rreth 5 për qind të GDP-së. Sikur ne të kishim qenë vend i Bashkimit Evropian kjo normë do të ishte e palejueshme, meqenëse Bashkimi Evropian ka një nivel prej 3.5 për qind të deficitit në relacion me bruto produktin vendor”.

Ekspertë të ekonomisë theksojnë se problemi tjetër i buxhetit për vitin 2011 është edhe fakti se ai është në kundërshtim me kornizën afatmesme të shpenzime. Lumir Abdixhiku potencon si problem edhe lidhshmërinë e buxhetit me shitjen e aseteve nacionale si Postë-Telekomi i Kosovës.

“Shitja e PTK-së shihet si pjesë integrale e këtij buxheti dhe rrjedhimisht është nënvlerësuese. Vetë vlera e përcaktuar e PTK-së është mjaft simbolike dhe aspak realiste për nevojat zhvillimore dhe mundësitë që i ka Kosova për t'i nxjerrë nga privatizimi i PTK-së”, shprehet Abdixhiku.

Ndërkaq, sa i përket mosmarrëveshjeve që Kosova ka pasur me Fondin Monetar Ndërkombëtar karshi shpenzimeve për vitin 2011, në veçanti te rritja e pagave për sektorin publik, Abdixhiku thotë se edhe këtu Qeveria rrezikon të humbë rreth 167 milionë euro në formë të ndihmës financiare, që do të duhej të vinte nga FMN-ja, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian.

Për shkak të shpërbërjes së Kuvendit, në muajin nëntor të vitit të kaluar, buxheti për vitin 2011 nuk ishte miratuar. Vonesa për rreth tre muaj ka shkaktuar dilema të shumta rreth kësaj çështjeje.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thekson se ky buxhet dilemat më të mëdha i ka në çështjen e ndërtimit të autostradës dhe rritjes së pagave.
...nuk është vetëvrasje çështja e deficitit për shkak se shumë vende janë në deficit, por çështja është se sa është në gjendje ekonomia e Kosovës ta mbulojë këtë deficit.

“Me këtë planifikim që kemi bërë, për herë të parë rrezikojmë të hyjmë në deficit, i cili është diçka e re për ne; nuk është vetëvrasje çështja e deficitit për shkak se shumë vende janë në deficit, por çështja është se sa është në gjendje ekonomia e Kosovës ta mbulojë këtë deficit”, vlerëson Rukiqi.

Por, si duhet të veprojë Kosova karshi deficitit?

“Ne ende nuk jemi të sigurt se çfarë efekte do të sjellë autostrada, për shkak se efektet e saj nuk mund të shihen në këtë vit, apo vitin tjetër, apo brenda kornizës afatmesme. Këtu kanë lindur dilemat".

"Unë besoj që në kushtet që jemi, në mungesë të një bazë ligjore dhe të projekteve tjera alternative, duhet që këto mjete apo këtë deficit ta përdorim për këtë projekt që supozojmë se do të sjellë të mira për ekonominë tonë”,
thekson Rukiqi.

Buxheti i vitit 2011 përfshin edhe rritjen e pagave për sektorin publik. Pagat dhe mëditjet për vitin 2011 janë paraparë të jenë 383 milionë euro apo 23 për qind më shumë se në vitin 2010.

Lidhur me këtë pjesë të buxhetit, eksperti i ekonomisë, Abdixhiku, nënvizon se nëse pagat do të shënojnë rritje në këtë vit, ato do të mbeten të ngrira në tre vjetët e ardhshme, gjë që, siç thotë ai, nuk do të reflektojnë në inflacion.

“Nëse dihet se në vitin 2011 do të kemi inflacion diku rreth 5 për qind dhe po aq në dy vitet e ardhshme, ky fakt të lë të kuptosh se për tre vjetët e ardhshme nuk do të ketë rritje të pagave në sektorin publik dhe inflacioni do ta amortizojë këtë rritje".

"Do të ishte mirë që vendi të bëjë rritje graduale të pagave dhe të mos e ngarkojë buxhetin vetëm në vitin 2011, meqenëse në fund të fundit do të kemi rezultatin e njëjtë”,
shton Abdixhiku.

Ndryshe, të hyrat nga tatimet në kufi dhe brenda vendit pritet të arrijnë shumën prej 1,060 milionë eurosh, duke shënuar një rritje rreth 18.6 për qind krahasuar me vitin 2010. Të hyrat nga kufiri 831 milionë euro, apo 19 për qind më shumë. Ndërsa, të hyrat vendore 261 milionë, apo 17.9 për qind më shumë.

Shpenzimet kapitale janë paraparë të jenë 572 milionë euro, që paraqet një ngritje gati 25.6 për qind krahasuar me realizimin e shpenzimeve të vitit 2010.
XS
SM
MD
LG