Ndërlidhjet

BSPK: Rritje pagash ose pasoja


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje janë optimistë se gjatë këtij viti do të ketë rritje pagash në shumicën e sektorëve publikë. Madje, një gjë të tillë e ka premtuar edhe kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 12 dhjetorit. Vetëm mësimdhënësve u është premtuar se nga janari i këtij viti, pagat do t'iu rriten 50 për qind.

Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, thotë se të gjitha premtimet do të realizohen. Ai tregon mënyrën se si do të arrihet rritja e pagave në sektorë të ndryshëm publikë.

"Kam kërkuar nga administrata tatimore dhe doganat që t'i riprogramojmë të gjitha shifrat, që do të jenë të mjaftueshme për t'i mbuluar rrogat dhe investimet e premtuara kapitale. Tash jemi në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me të gjitha organet tjera ekzekutive dhe ligjvënëse për të marrë masa, në mënyrë që të gjitha premtimet e dhëna, të realizohen në aspektin financiar", thotë Shala.

Paga mesatare sipas Entit të Statistikave të Kosovës është 272 euro, thotë Bashkim Bellaqa, zyrtar në këtë institucion.

"Sipas të dhënave administrative që posedon Enti Statistikor i Kosovës, paga mesatare është 272 euro; shërbimet e përgjithshme e kanë më të lartë pagën mesatare - 345 euro, rendi publik dhe siguria - 316 euro, arsimi - 243 euro, shëndetësia - 287 euro, ekonomia - 235 euro", bën të ditur Bellaqa.

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thonë se pagat aktuale nuk sigurojnë kushte normale.

Haxhi Arifi, kryetar i kësaj sindikate, thotë se çmimet e artikujve ushqimorë rriten vazhdimisht, ndërsa pagat mbesin në nivel të njëjtë. Ai, megjithatë, shpreson se qeveria e re do t'i realizojë premtimet.

"Gjatë fushatave gjithmonë premtojnë dhe ne u mësuam me mosrealizimin e premtimeve... Ndërsa, këtë herë, përpos premtimeve kanë qenë të nënshkruara edhe marrëveshje, të cilat mendoj se duhet të plotësohen juridikisht. Besoj se ato që i kanë premtuar, duhet t'i realizojnë; në të kundërtën, do të përballen me pasojat", thotë Arifi.

Sipas tij, BSPK-ja që dy vjet i ka propozuar Këshillit Ekonomiko-Social që pagat në Kosovë të jenë me mundësi marrëveshjeje, në mënyrë që të mbulohet shporta e qytetarit varësisht nga lëvizja e çmimeve.
XS
SM
MD
LG