Ndërlidhjet

Kosova, më e korruptuara në rajon


Indeksi i "Transparency International" për vitin 2011.
Indeksi i "Transparency International" për vitin 2011.

Edhe kësaj radhe, Kosova renditet e 112-ta në mesin e 183 shteteve të botës nga “Transparency International”, së bashku me Egjiptin, Moldavinë, Senegalin, Vietnamin dhe Algjerinë.

Kjo organizatë ka bërë publik, të enjten, raportin vjetor mbi shkallën e korrupsionit në nivel global.

Me një vlerësim prej 2.9 pikësh, Kosova renditet më poshtë në listën e kësaj organizate, në krahasim me vendet e rajonit. Edhe vitin e kaluar, Kosova ishte renditur më poshtë në krahasim me vendet e rajonit, duke u klasifikuar në vendin e 110-të.

Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit dhe ata të organizatave joqeveritare, pas publikimit të raportit të “Transparency International”, kanë deklaruar se renditja e Kosovës në vendin e 112-të tregon për një nivel të lartë të korrupsionit në vend.

Merita Mustafa, menaxhere e Programit Anti-Korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), që është degë në formim e “Transparency Internacional Kosova”, ka thënë se mungesa e vullnetit politik dhe neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve kosovare për ta luftuar këtë fenomen, kanë bërë që Kosova të renditet si vendi më i korruptuar në mesin e shteteve të rajonit.

Kjo vjen si rezultat i neglizhencës për ta luftuar këtë fenomen, vjen si rezultat i mosgatishmërisë së institucioneve...

“Kjo vjen si rezultat i neglizhencës për ta luftuar këtë fenomen, vjen si rezultat i mosgatishmërisë së institucioneve tjera përgjegjëse për ta luftuar këtë fenomen, po ashtu vjen si rezultat i institucioneve të dobëta për luftimin e kësaj dukurie. Pra, institucionet si: gjyqësori, prokuroria, policia, ende nuk i kanë të gjitha kapacitetet për ta luftuar këtë dukuri, prandaj e kemi një shkallë të tillë siç është paraqitur në ketë indeks”, ka thënë Mustafa.

Sipas saj, Kosova duhet të angazhohet më shumë për të garantuar zbatimin efektiv të ligjeve kundër korrupsionit, pasi, ka shtuar ajo, shkalla e lartë e korrupsionit është duke e penguar Kosovën edhe në rrugën drejt integrimit evropian.

Në krahasim me vitin 2010, në këtë vit, raporti i “Transparency International” tregon për një ngritje të vogël në luftën kundër korrupsionit, gjë që, sipas drejtorit të Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, është një progres.

Hasan Preteni
Hasan Preteni

“Për mua nuk është regres, sepse, vitin e kaluar, në mesin e 170 vendeve kemi pasur koeficientin 2.8 – dihet, maksimumi është 10. Ketë vit, koeficienti është 2.9. Definitivisht, në këtë vit, në raport nuk jemi më keq se në vitin e kaluar. Është një progres, një lëvizje shumë e vogël, por larg, larg asaj ku synojmë të jemi”, ka deklaruar Preteni.

Ai ka thënë se fenomeni i korrupsionit në Kosovë gjen vend në institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike. Sipas tij, pengesë është mungesa e një lufte të ashpër kundër korrupsionit.

“Pengesë është luftimi. Luftës kundër korrupsionit po i mungojnë shifra; ka debate, ka biseda, ka përmirësim të legjislacionit, ka ndoshta progres në hetime, por gjykim nuk ka fare. Korrupsioni në Kosovë nuk po gjykohet”, është shprehur Preteni.

Në raportin e “Transparency International” bëhet e ditur se Shqipëria ka hyrë në vendin e 95-të, Kroacia e Mali i Zi ndajnë vendin e 66-të, Maqedonia renditet e 69-ta, Serbia e 86-ta dhe Bosnjë e Hercegovina hyn në vendin e 91-të.

Merita Mustafa ka thënë se niveli i lartë i korrupsionit, Kosovën është duke e ngufatur edhe në aspektin ekonomik. I njëjti, sipas saj, më së shumti është duke e ngarkuar qytetarin e Kosovës, i cili “për shkak të korrupsionit, detyrohet të paguajë shuma shumëfish më të larta për produkte dhe shërbime të ndryshme”.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që ky indeks dhe raportet e tjera që flasin mbi nivelin e korrupsionit në Kosovë, të ndikojnë në ndryshimin e qasjes së tyre ndaj këtyre fenomeneve.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2011 vlerëson 183 shtete dhe territore me nota nga 0 (korrupsion i lartë) deri në 10 (shumë të pastra) dhe bazohet në perceptimin e nivelit të korrupsionit në sektorin publik.

Ky indeks përdor të dhëna nga 17 sondazhe të ndryshme, bazuar në faktorë si: zbatimi i ligjeve anti-korrupsion, qasja në dokumente zyrtare dhe konflikti i interesit.

Në nivel global, Zelanda e Re ka zënë vendin e parë në raportin e “Transparency International”, kurse në katër vendet e fundit janë renditur: Afganistani, Somalia, Koreja Veriore dhe Birmania.

Lexoni edhe këtë:
Për korrupsionin vetëm fjalë


XS
SM
MD
LG