Ndërlidhjet

Dell: S’kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit


Kristofer Dell
Kristofer Dell

“Unë nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, thotë ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ambasador, institucionet e reja të Kosovës tashmë janë zgjedhur. Ju keni ftuar elitën politike të formojë një qeveri me “duar të pastra”. A jeni i kënaqur?

KRISTOFER DELL
Po, shumë. Unë mendoj se mediat këtu, me përqendrimin e tyre në raportimet sensacionale të ditëve të fundit, me të madhe e kanë anashkaluar transformimin e jashtëzakonshëm që ka zënë vend. Mendoj se është shumë e dobishme të kthehemi prapa dhe të shikojmë fotografitë e kabinetit që mori pushtetin me rastin e pavarësisë, në vitin 2008.

Po të bëjmë krahasimin me sot, do të jemi dëshmitarë të një lëvizjeje në gjenerata. Ka ndryshime të shquara në fytyrat e kësaj qeverie, në fakt janë shumë pak që kanë mbetur nga qeveria e kaluar; kryeministri, zëvendëskryeministri Kuçi dhe njëri nga ministrat serb, janë personat e vetëm të cilët mendoj se kanë qenë në kabinetin e kaluar.

Siç thashë, një transformim i jashtëzakonshëm ka ndodhur dhe mendoj se kjo jo vetëm që përfaqëson një qeveri me duar të pastra, por gjithashtu një qeveri që pasqyron ndryshim realitetesh në Kosovë; është një lëvizje më tej nga politika e gjeneratës së luftës deri te një gjenerat njerëzish të rinj, të cilët janë duke zënë vendin e tyre të duhur në këtë shoqëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, partitë politike në opozitë kanë reaguar ndaj zgjedhjes së presidentit në veçanti, duke thënë se nuk e njohin legjitimitetin e institucioneve të zgjedhura, për shkak të, siç kanë thënë, shkeljeve kushtetuese. Si do ta komentonit këtë çështje?

KRISTOFER DELL
Nuk më takon mua t’i gjykoj çështjet kushtetuese. Nëse ka ndonjë problem në këtë drejtim, atëherë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që vendos për këtë çështje.

Deri diku, nuk jam edhe aq i befasuar, sepse puna e opozitës është të kundërshtojë. Sidoqoftë, jam i zhgënjyer më shumë me natyrën mendjelehtë të kundërshtimeve ndaj kësaj qeverie.

Ka baza legjitime për të debatuar çështjet e vërteta, me të cilat Kosova përballet; agjenda e Qeverisë ndërkohë që po definohet dhe artikulohet nga kryeministri. Gjithashtu, mendoj se opozita do t’i bënte nder vetes dhe Kosovës nëse vëmendjen e përqendron më pak te loja me fjalë për procedurat, e më shumë te sfidat e vërteta, me të cilat ky shtet duhet të përballet: sundimi i ligjit, korrupsioni, zhvillimi ekonomik dhe prodhimi, krijimi i vendeve të punës për njerëzit, kujdes më të mirë shëndetësor për të moshuarit, arsimi për fëmijët e Kosovës.

Këto janë çështjet e vërteta, për të cilat njerëzit do të donin të bisedonin, kur kërkojnë ndryshime. Nuk besoj se opozita po i bën vetes ndonjë nder, duke vazhduar të luajë një politikë të brendshme, me përqëndrim te çështjet procedurale.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka disa shqetësime që janë ngritur edhe publikisht mbi lidhjet e zotit Pacolli me Rusinë. Si do t’u përgjigjeshit këtyre shqetësimeve?

KRISTOFER DELL
Këto, në fakt, janë shqetësime që zoti Pacolli duhet t’i adresojë. E di që kjo çështje është brengosëse për shumë kosovarë.

Besoj se edhe presidenti vetë është i vetëdijshëm për këtë dhe e kupton se ka nevojë t’i sigurojë njerëzit në këtë rrafsh.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ambasador, cili ka qenë roli juaj në zgjedhjen e presidentit të Kosovës? Mediat vendore kanë publikuar komunikimet private që janë bërë në Kuvend, përfshirë këtu edhe një thirrje telefonike, duke ju involvuar juve…

KRISTOFER DELL

Po, nuk e di për çfarë mund të ketë qenë thirrja telefonike. Sa për tekstet e sms-ve, ato janë tekste midis dy individëve të tjerë, të cilët natyrisht janë të lirë të shkruajnë, komentojnë dhe të thonë ç’të duan, pavarësisht nëse ato e pasqyrojnë realitetin.

Unë kam qenë dëshmitar i këtij procesi, kam ndenjur ulur në galerinë e Kuvendit nga ora 2:30 e pasdites derisa ka përfunduar e gjitha, në orën 8 të mbrëmjes, duke e lëshuar sallën gjatë kësaj kohe vetëm një herë, thënë të vërtetën - për të shfrytëzuar tualetin.

Për çështjet tjera, këto janë procese që janë bërë nga politikanët, respektivisht liderët e këtij vendi, në pajtim me rregullat dhe Kushtetutën në Parlament.

Jashtë kësaj, unë nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit.

Mendoj se personi që mbase është më përgjegjësi pse Behxhet Pacolli është president sot, është duke ndenjur në qelinë e burgut në Hagë.

Fakti që AAK-ja për arsye të veta zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës, e bëri pothuajse të pashmangshme që president u bë Behxhet Pacolli.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilindo rast, Kosova tani është në një situatë me raporte të vështira midis opozitës dhe institucioneve të reja; në rrethana të këtilla, si mendoni se do të përballet Kosova me sfidat që ka, një prej të cilave është edhe dialogu mbi çështjet teknike me Serbinë?

KRISTOFER DELL
Mendoj se e vetmja rrugë përpara për Kosovën është në fakt, siç e kam thënë edhe më parë, t’u qaset punëve serioze të qeverisjes. Është e qartë se ngjarjet në muajt e fundit kanë shkaktuar dëme te besimi i njerëzve ndaj institucioneve dhe udhëheqësve të tyre.

Mendoj se vetmja mënyrë për të rivendosur këtë besim është që qeveria të dëshmojë se është kompetente, e përkushtuar, e pastër dhe se është duke punuar për të mirën e njerëzve.

Në shpatullat e tyre ata mbajnë sfidën për të dëshmuar se meritojnë përgjegjësinë e madhe, të cilën e ka investuar në ta populli i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështje e pashmangshme është natyrisht veriu. A mendoni se veriu duhet të diskutohet në këtë dialog?

KRISTOFER DELL

Dialogu ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë. Veriu është pjesë e Kosovës. Çështjet në tavolinë, çështjet teknike, qofshin ato për targat e makinave, regjistrimin civil apo rrymën, kanë të bëjnë me gjithë territorin e Kosovës, përfshirë pra edhe veriun.

Pra, po, në këtë kuptim, veriu duhet të përfshihet në dialog. Nëse më pyesni nëse dialogu duhet të jetë për veriun, jo, përgjigja është jo.

Pikëpamja jonë është shumë e qartë, statusi i Kosovës është i vendosur, tërësia territoriale e Kosovës është e vendosur dhe nuk ka hapësirë në këtë dialog mbi çështjet teknike, për të trajtuar dhe ringjallur idetë e diskredituara, siç është ndarja apo ndryshimi i kufijve.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë vëzhgues pohojnë se tani nuk është koha e duhur për Kosovën të hyjë në këto bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, me një imazh të lënduar ndërkombëtarisht. Ju si mendoni?

KRISTOFER DELL
Sërish, unë mendoj që dialogu mund të jetë pjesë e procesit për të rindërtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Duke dëshmuar se lidershipi këtu është i përgjegjshëm, duke dëshmuar se është fleksibil, se është i aftë për të punuar me institucionet evropiane dhe në fakt, duke punuar me Serbinë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve në të dyja shtetet, për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore në rajonin e Ballkanit - mendoj se të gjitha këto gjëra janë saktësisht ato çka presim nga një qeveri kompetente dhe e pjekur, siç është ajo që ne shpresojmë të kemi këtu në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të marrin pjesë Shtetet e Bashkuara në këto bisedime?

KRISTOFER DELL
Ne ua kemi bërë të qartë palëve se mëtojmë të kemi një rol mbështetës në këtë çështje. Ky dialog do të udhëhiqet dhe lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Ne mendojmë se kjo është rruga e duhur përpara, por ne gjithashtu synojmë të luajmë një rol të rëndësishëm mbështetës në gjithë procesin.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çështjen e reputacionit, raporti i miratuar nga Këshilli i Evropës për akuzat mbi trafikim organesh njerëzore dhe krime të tjera, ka pasur ndikim të madh. Do t’ju citoj kur keni thënë “të mos mbetet asnjë gur pa lëvizur”, në mbështetje të hetimeve të hollësishme. A është bërë ndonjë veprim deri më tani në këtë drejtim?

KRISTOFER DELL
Jemi ende në fazën e diskutimeve se si t’i organizojmë më së miri, për të lëvizur përpara, drejt zhvillimit të hetimeve. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë, së fundmi edhe në seancën e javës së kaluar në Këshillin e Sigurimit, se besojmë që EULEX-i është institucioni që ka mandat, aftësi dhe kapacitet, për t’i zhvilluar këto hetime.

Shpresojmë që në javët e ardhshme, EULEX-i do t'i diskutojë dëshmitë dhe informacionet e pandehura që zoti Marti ka dhe atëherë mund të fillojë procesi i gjatë i zhvillimit të hetimeve profesionale dhe të hollësishme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG