Ndërlidhjet

Abramowitz: Ndarja e Kosovës - shkatërrimtare


Morton Abramowitz
Morton Abramowitz

“Po të ndodhë një gjë e këtillë, do të hapej e gjithë ajo Kuti e Pandorës, do të rihapej Republika Srpska, Maqedonia…”, thotë për Radion Evropa e Lirë Morton Abramowitz, ish-ambasador amerikan.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ambasador, “ndarjet në Bashkimin Evropian po lejojnë Ballkanin të rrëshqasë drejt jostabiltetit edhe më të madh, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara shikojnë nga anash”. E kam marrë këtë fjali prej një shkrimi tuajin, të botuar më shumë se një vit më parë. A kanë ndryshuar gjërat që atëherë?

MORTON ABRAMOWITZ
Është e qartë se Bashkimi Evropian është i ndarë mbi Kosovën, janë ende pesë vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Gjithashtu, mendoj se është krijuar një përshtypje se Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar Ballkanin Bashkimit Evropian. Por, nuk besoj se kjo është e krejtësisht e drejtë.

Bashkimi Evropian ka marrë përsipër një rol më udhëheqës dhe për këtë s’ka asnjë dyshim, por mendoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë thellësisht të brengosura, fillimisht me Bosnjën - kanë bërë përpjekje të mëdha, por të pasuksesshme, për t’i çuar gjërat përpara – dhe së dyti me Kosovën.

Qartazi, Ballkani nuk është prioriteti më i madh për Shtetet e Bashkuara aktualisht, ka shumë probleme tjera në politikën e jashtme, por megjithatë mendoj se është e padrejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kushtuar vëmendje apo se interesimi për Ballkanin është duke u zbehur. Unë, thjesht, mendoj se nuk janë aq aktive sa kanë qenë përpara. Kjo është e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tani ka disa misione mbikëqyrëse ndërkombëtare, ICO-në, EUSR-në, EULEX-in, UNMIK-un pjesërisht, KFOR-in... por megjithatë, beteja për të qeverisur gjithë territorin ende vazhdon. Kush duhet të japë llogari për këtë?

MORTON ABRAMOWITZ
Mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të japë llogari. Edhe Shtetet e Bashkuara edhe Bashkimi Evropian kanë lejuar që një situatë e këtillë të ndodhë. Nuk ka guxuar të ndodhë dhe e tillë ka qenë që prej fillimit. Mendoj se tani kjo do të jetë një çështje qendrore në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Situata në veriun e Kosovës qartazi do të jetë një aspekt kryesor i zhvillimeve që do të pasojnë mendimin e GJND-së, i cili, sa kam marrë vesh, ndonëse nuk e di sa është e vërtetë, do të publikohet në fund të korrikut.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, situata në veri është përmendur si temë e mundshme në bisedimet potenciale midis Prishtinës dhe Beogradit. Disa vëzhgues mendojnë se “Beogradi dëshiron marrëveshje mbi ndarjen e Kosovës dhe apetitet që kjo të ndodhë, nuk shihen vetëm në Beograd, por edhe në disa vende evropiane”. Cilat do të jenë rreziqet nëse kjo ide vihet në tavolinë?

MORTON ABRAMOWITZ
Fillimisht, shumëçka varet nga ajo që do të thotë Gjykata Ndërkombëtare. Dhe, është e vështirë për këdo që të flasë në formë përfundimtare aktualisht mbi këtë çështje. Së dyti, mendoj se nuk ka asnjë dyshim se Serbia do ta shfrytëzojë rastin për të çuar përpara interesat e saj në Kosovë. Nëse kjo nënkupton bisedime të reja, unë pres që Serbia ta mbajë atë qëndrim. Nëse kjo nënkupton aranzhime të reja për veriun e Kosovës, apo nëse nënkupton ndarje, duhet të presim.

Por, diplomacia serbe ka qenë shumë aktive, në shumë mënyra mjaft e suksesshme në dy vitet e fundit, duke kufizuar në masë të konsiderueshme njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Dhe, padyshim, ata do ta shfrytëzojnë çdo rast, për t'i çuar përpara interesat e tyre këtu.

Tani, është e vështirë të thuhet se ç’do të bëjnë. Mendoj se në rastin e parë, varësisht nga vendimi i Gjykatës, do të kërkojnë bisedime të reja me Kosovën. Çfarë do të ngërthejnë ata në këto bisedime dhe çfarë synimesh kanë saktësisht, janë çështje mbi të cilat ne tani vetëm mund t’i diskutojmë, por mendoj se e gjithë kjo do të jetë në menynë e tyre kryesore.

Domethënë, në një formë, Serbia do të përpiqet të rihapë mbase gjithë çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke vënë theksin në situatën që është në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cilat do të ishin rreziqet?

MORTON ABRAMOWITZ

Ndarja e Kosovës do të ishte absolutisht shkatërrimtare për rajonin. Pres vendosmërisht që Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane, t’u rezistojnë këtyre përpjekjeve. Po të ndodhë një gjë e këtillë, për të cilën unë personalisht dhe shumë të tjerë gjithmonë kemi pasur shqetësim, do të hapej e gjithë ajo Kuti e Pandorës, do të rihapej Republika Srpska, Maqedonia dhe të gjitha çështjet tjera.

Prandaj, mendoj se çdo përpjekje për ndarje duhet të hidhet poshtë menjëherë. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se janë kundër ndarjes, por kjo duhet të përsëritet në vazhdimësi. Përtej kësaj, mendoj se do të ketë dallime në qëndrime midis akterëve të ndryshëm. Gjithsesi, gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që negociatat të stërzgjaten.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa ka arritur Kosova ta dëshmojë veten në dy vite e gjysmë pothuajse, si shtet i pvaraur funksional?

MORTON ABRAMOWITZ
Mendoj se ka pasur mjaft përparime në dhjetë vitet e fundit. Ju po ndërtoni një shtet nga zeroja, pa pasur shumë nevojë për ndihmë dhe është ende një rrugë e konsiderueshme që duhet bërë për të ecur përpara.

Por, Kosova ka probleme shumë serioze, duhet të ketë përparime thelbësore mbi sundimin e ligjit dhe këtu do të përmendja raportin e shkëlqyeshëm të Grupit Ndërkombëtar të Krizave mbi këtë çështje.

Mendoj se ka çështje fundamentale që duhet të zgjidhen dhe tani për tani nuk janë duke u zgjidhur. Gjithashtu mendoj, është pikëpamja ime personale, se duhet të ketë një kohë të kufizuar për menaxhimin e Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar.

Kosova ka probleme serioze dhe duhet të gjejnë tranzicionin drejt një shteti të pavarur, plotësisht të pavarur dhe funksional. Kjo nënkupton se kosovarët duhet të punojnë shumë për të ndërtuar institucione adekuate, veçanërisht ato të gjyqësisë, policisë, etj. Kjo nuk duhet të jetë fare çështje e hapur, kanë kaluar 11 vjet tashmë dhe aq sa ka arritje, po aq edhe nuk ka.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG