Ndërlidhjet

Kosova në 2009-ën


Prishtinë, 17 shkurt 2009.
Prishtinë, 17 shkurt 2009.

Që nga ditëlindja e parë, më 17 shkurt të vitit 2009, Kosova është përballur me një mori sfidash, në përpjekjet e saj shtetndërtuese. Vizita e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, ajo e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, anëtarësimi i vendit në FMN dhe në Bankën Botërore, nënshkrimi i protokollit të EULEX-it me Serbinë dhe zgjedhjet vendore, janë vetëm disa nga ngjarjet që shënuan 2009-ën.



Derisa po i afrohej ditëlindjes së parë, shteti më i ri në botë, në vitin 2009, hyri me një mori sfidash përpara vetes, por, njëkohësisht, edhe me synimet për të dëshmuar, siç është thënë, përpjekjet në vënien e një demokracie të mirëfilltë.

Ditëlindja e parë ishte rast për udhëheqësit më të lartë vendorë për t’i sforcuar edhe një herë këto zotime.

Fatmir Sejdiu, president i Kosovës:

"Ne, sot, jemi krenarë për atë që bënë paraardhësit tanë dhe jemi shumë me fat se na takoi që të jetojmë dhe punojmë në Kosovën shtet të pavarur e sovran.”


Hashim Thaçi, kryeministër:

Sot, të gjithë kemi ditëlindjen. Sot, kujtojmë të kaluarën tonë, respektojmë të kaluarën tonë dhe marrim zotime për të ardhmen”.

Por, kishte edhe zëra që shprehnin pakënaqësi. Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës:

Nuk mund të jemi ne të qetë, nëse shteti i Kosovës nuk e ka të siguruar tërësinë e tij territoriale”.

Në fakt, kjo tërësi territoriale do të sfidohej pikërisht në përvjetorin e parë të shtetit të ri, nga i ashtuquajturi Kuvend i komunave serbe, me miratimin e një deklarate, për ta shpallur, siç thuhej, “pavarësinë e Kosovës si të pavlefshme”. Kryetari i këtij Kuvendi, Radovan Niçiq, lexoi deklaratën:

"Miratojmë deklaratën e konfirmimit të statusit kushtetues të Kosovës në Serbi dhe hedhjes poshtë të të gjitha akteve të njëanshme dhe separatiste të institucioneve të përkohshme në Prishtinë mbi pavarësinë e krahinës", thuhej në deklaratë.

Ajo do të shënojë edhe fillimin e një periudhe më sfiduese për institucionet vendëse dhe ndërkombëtare, në shtrirjen e autoritetit në veri të vendit. Si e tillë do të përmendej edhe në përvjetorin e dhjetë të sulmeve ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Por, të gjitha këto sfida filluan të duken më të zbehta, në çastin kur në aeroportin e Prishtinës, më 21 maj, zbriti zëvendëspresidenti amerikan, Xhozef Bajden.

Gjatë vizitës së cilësuar si historike, ai është pritur si hero, në një atmosferë festive, me rrugë të stolisura me mbishkrime mikpritjeje e flamuj amerikanë.

Gjatë fjalimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, nënpresidenti amerikan pati thënë se tash të gjithë mund të binden se pavarësia ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme.

“Pavarësia e Kosovës, siç e thashë edhe në vendet që i vizitova, është absolutisht e pakthyeshme dhe mbetet opsioni i vetëm i mundshëm”,
pati thënë Bajden.

Zoti Bajden gjithashtu pati shprehur mbështetje për autoritetet e Prishtinës në ruajtjen e tërësisë territoriale dhe krijimin e një shoqërie shumetnike e demokratike.

“Një Kosovë e pavarur është prioritet për administratën tonë dhe për vendim tim dhe elementi kryesor në politikën tonë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, për herë të parë në histori, për të qenë të integruar tërësisht në Bashkimin Evropian”.

Pak më shumë se dy javë pas kësaj vizite, më saktësisht më 4 qershor, Kosova merr konfirmimin zyrtar për anëtarësimin e saj në Bankën Botërore. Më 9 maj, kishte marrë të njëjtin konfirmim për Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Anëtarësimi i saj në këto dy institucione prestigjioze do të zyrtarizohej më 29 qershor, gjatë një ceremonie në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Muajt korrik dhe gusht kalojnë në frymën e debateve për protokollet, që misioni evropian për sundimin e ligjit paralajmëron t’i nënshkruajë me Serbinë. Shefi i këtij misioni, Iv de Kermabon, përpiqej t’i bindte udhëheheqësit kosovarë se protokolli është në të mirën e tyre.

“EULEX-i nuk mund dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës”, pati thënë Kermabon.

I pari protokoll ishte ai i bashkëpunimit policor, të cilin udhëheqësit e lartë vazhdonin ta kundërshtonin ashpër. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë:

“Institucionet legjitime të Rëpublikës së Kosovës janë ato që marrin vendime për Prishtinën".

Por, pavarësisht kundërshtimeve, më 11 shtator, misioni evropian, EULEX, nënshkroi këtë protokoll me Serbinë, ndërkaq institucionet e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për shtyp, thanë se nuk janë të përfshira në të.

Vetëm tri ditë më vonë, mijëra qytetarë dolën në protestë, në shenjë kundërshtimi. Një nga organizatorët kryesorë ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi bënin naze para se ta pranonin protokollin; Jakup Krasniqi u bë zëdhënës i EULEX-it; kurse, Ramush Haradinaj nuk guxonte ta thoshte asnjë fjalë”, ishte shprehur Kurti.

Pas kësaj proteste, çështja e nxehtë e protokolleve zëvendësohet me atë të zgjedhjeve vendore, të parat që Kosova i organizon vetë. Saktësisht më 15 tetor, nis fushata parazgjedhore, me pjesëmarrjen e 74 subjekteve politike.

Por, fushata do të zbehet për një kohë, për shkak të tragjedisë në lumin Tisa të Hungarisë, nga përmbysja e një barke me rreth 18 shqiptarë nga Kosova, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin ilegalisht.

Tragjedia thuhet të ketë ndodhur midis 14 dhe 16 tetorit. Deri më tash, 11 persona janë gjetur të vdekur, 3 kanë shpëtuar dhe katër të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Ndërkohë, fushata po zhvillohej me një ritëm më të shtuar nga partitë politike, posterët dhe flamujt e të cilave tashmë kishin mbuluar çdo cep të Kosovës.

Por, rrugët e Prishtinës morën një pamje krejtësisht tjetër, më 1 nëntor, kur në Kosovë arriti ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, për të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së tij.

Mijëra qytetarë vërshuan atë ditë në rrugët e Prishtinës, për të parë nga afër atë që në Kosovë njihet si njeriu që çliroi vendin nga pushteti i dhunshëm i Serbisë.

Duke përmendur të arriturat e deritashme që prej përfundimit të luftës në Kosovë, presidenti i dikurshëm amerikan ftoi të gjithë në Kosovë të ndjehen krenarë me rrugëtimin e tyre deri më tash.

“Megjithatë, tani duhet të mendojmë se çka do të bëni dhe një prej gjërave që kam mësuar, është fakti se është shumë më e lehtë për njerëzit të ndajnë të ardhmen, nëse mendojnë më shumë për të dhe më pak për të kaluarën”, ka thënë Klinton.

Dhe kjo fjalë - e ardhme - ato ditë më së shumti dëgjohej nga partitë politike, fushata e të cilave në fillim të nëntorit kishte arritur klumin e saj, por me një vëmendje të theksuar në përplasjet që po vëreheshin te dy partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.

Pothuajse e gjithë fushata kaloi me debate mbi qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës, pas një fjalori të ashpërsuar politik.

Më 15 nëntor, qytetarët dolën në votime për të zgjedhur kryetarët e tyre komunalë dhe përbërjen e asambleve komunale.

Të cilësuara si test demokracie për Kosovën, këto zgjedhje u vlerësuan lart edhe për shkak të pjesëmarrjes së komunitetit serb.

Prej 36 komunave, 21 prej tyre do të hynin në balotazh më 13 dhjetor. Por, në natën e 19 nëntorit, ekranet televizive do të pushtoheshin nga njoftimet për prishjen e koalicionit qeverisës.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të përjashtohej nga koalicioni dhe për këtë Partia Demokratike e Kosovës mban një konferencë shtypi në orën 1 pas mesnate. Në emër të saj foli zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi.

“Kemi vendosur të rishqyrtojmë ose të riformatizojmë koalicionin qeverisës”, kishte thënë Kuçi.

Ky i fundit, sipas homologut të tij nga LDK-ja, Ramë Manajt, e kishte thirrë në telefon për t’ia dhënë një porosi.

“Më thotë një fjali të vetme: kemi bërë koalicion me LDD-AKR-në, kaq, të lutem njoftoje presidentin”, ka shpjeguar Manaj.

Të nesërmen, pas një nate të rrëmujshme, ambasadori amerikan, Kristofer Dell, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se lëvizjet e fundit janë potencial për zhvillimin e një demokracie të shëndetshme.

“E vetmja gjë me rëndësi që duhet të veçohet, është fakti se e gjithë kjo duhet të bëhet në kuadër të kornizës së Kushtetutës së Kosovës. Aktivitetet përtej kësaj Kushtetute, padyshim që s’duhen toleruar”, ka thënë Dell.

Vetëm një orë më vonë, PDK dhe LDK, përmes komunikatave për media, kanë bërë të ditur se koalicioni qeverisës vazhdon të funksionojë. Të vërshuar nga kamerat dhe mikrofonët, i vetmi prononcim atë ditë vjen nga kryeministri Thaçi:

“Deklaratat e të dyja partive janë valide”.

Fjalori politik tingëllon më i zbutur paksa deri në daljen në skenë të një personi, i cili, para 29 nëntorit, nuk ishte i njohur për opinionin - Nazim Bllaca.

Në qendër të Prishtinës, në praninë e mediave të shumta, vetëm pak metra larg ndërtesave të Qeverisë, Kuvendit dhe Policisë, ai deklaroi se nën urdhrat e SHIK-ut , ka marrë pjesë në akte kriminale.

“Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj. Është vështirë me ardhë këtu para parlamentit edhe me thënë si dëshmitar, mirëpo boll ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë. Unë jam penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999”, kishte deklaruar Nazim Bllaca.

Kjo paraqitje e Bllacës vjen tri ditë pasi që deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, akuzoi për përfshirje në krime politike disa deputetë dhe anëtarë të Qeverisë së Kosovës.

“Në këtë Kuvend, ka edhe ministra e zëvendësministra që kanë dhënë urdhra të vrasin deputetë të tjerë, kam fakte
”, kishte thënë ai.

Si eprorë të tij, Bllaca apostrofoi disa nga udhëheqësit e lartë të Partisë Demokratike, të cilët përfshirjen e tyre e hedhin poshtë në mënyrë kategorike. Në emër të tyre foli zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, duke ftuar drejtësinë që të merret me këto akuza, të cilat ai i pati cilësuar si tendencioze.

“Konsiderojmë se është një tendencë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik”, kishte thënë ai.

Vetë protagonisti kryesor, Bllaca, arrestohet më 30 nëntor nga EULEX-i dhe, një ditë më vonë, i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Padyshim, e gjithë kjo ngjarje filloi të pasqyrohet në raportet midis partive politike, të cilat ndërkohë po përgatiteshin për të hyrë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Për pak ditë, vëmendja zhvendoset në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, aty ku më 1 dhjetor filluan procedimet mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ajo që është përmendur më së shumti në Kosovë, është mbështetja e fuqishme që Shtetet e Bashkuara i dhanë pavarësisë, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, Harold Koh, i cili kërkoi që të lihet e qetë pavarësia e Kosovës.

“Serbia tani kërkon një mendim nga kjo Gjykatë, për ta kthyer kohën prapa”, ka thënë Koh, duke rikujtuar njëkohësisht se Serbia ka përsëritur se nuk do ta njohë opinionin e Gjykatës, nëse ai është në favor të Kosovës.

Procesi në GJND përfundoi më 11 dhjetor. Dy ditë më vonë, u mbajt rrethi i dytë i votimeve në Kosovë, por, për dallim nga raundi i parë, ky i dyti është përcjellë me akuza të rrepta për manipulim votash nga dy partitë në pushtet, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike.

Përplasjet midis tyre, ndonëse jo edhe aq të zëshme tanimë në nivelin qendror, vazhdojnë posaçërisht në komunat, ku secila parti shpallte fitoren e saj. Dhe kjo, padyshim, pasqyrohet edhe në funksionalitetin e koalicionit qeverisës.

Zafir Berisha, nga PDK-ja, thoshte se koalicioni e kreu punën e vet.

“Detyrën, ky koalicion e ka kryer me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, thjesht, PDK-ja dhe LDK-ja në koalicion është shumë e pakuptimtë”.

I një mendimi të ngjashëm ishte edhe Bujar Bukoshi nga LDK-ja.

“Kjo qeveri ose ky koalicion duhet të rikonsiderohet, të shihet se a ka masa të mundshme për ta sanuar gjendjen, për të cilën unë, personalisht, mendoj se është mjaft vështirë”.

Ndonëse me një procedurë të stërzgjatur, pas shqyrtimit të të gjitha ankesave nga institucionet përkatëse, KQZ-ja caktoi rivotim në Prizren dhe Lipjan, kurse rinumërim votash në Gjilan, për shkak të manipulimeve.

Ky proces është paralajmëruar për muajin janar të vitit 2010 dhe është cilësuar si një prej sfidave serioze, me të cilën do të përballet Kosova në vitin e ri, përkrah papunësisë, varfërisë e zhvillimit ekonomik.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG