Kosova në 2009-ën

1
Incidente ndëretnike në Mitrovicë - Ditët e para të fillim-vitit kishin shënuar incidente ndëretnike në veriun e Mitrovicës, të cilat, si pasojë, kishin lënë disa persona të lënduar dhe dëmtime në pronën private të qytetarëve. Zyrtarët kosovarë kishin akuzuar Beogradin se, përmes strukturave paralele të sigurisë, po nxiste tensione ndëretnike.

2
Një vit shtet - 17 Shkurti i 2009-ës ka shënuar përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës. “17 Shkurti mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila brenda mban shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme”, ka deklaruar, mes tjerash, presidenti Fatmir Sejdiu, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës kanë marrë urime edhe nga liderët tjerë vendorë si dhe përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë.

3
Sejdiu e Thaçi në Uashington - Vetëm disa ditë pas, zyrtarët e lartë të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, u takuan në Uashington me nënpresidentin e SHBA-ve, Xhozef Bajden, dhe me Sekretaren e Shtetit, Hillari
Klinton, e cila vuri në pah se SHBA-të do t'i qëndrojnë pranë Kosovës .

4
Të akuzuarit serbë - Në anën tjetër, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka liruar nga akuzat ish-presidentin serb, Millan Millutinoviq. Ai akuzohej për orkestrimin e fushatës së vrasjeve, torturave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999. Pesë zyrtarët e tjerë serbë, që përballeshin me akuza të ngjashme, u dënuan me 15 deri në 22 vjet burgim. Vendimi i Gjykatës ka ngjallur reagime të ndryshme në Prishtinë.